Para sfidës me pretendentët, klubi i Kategorisë së Parë e ka me gjykimin dhe aleancat: Nuk bëjmë qaramanin te Jareci si të tjerët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2026 | 17:54

Para sfidës me pretendentët, klubi i Kategorisë së Parë e ka me gjykimin dhe aleancat: Nuk bëjmë qaramanin te Jareci si të tjerët

Luhatjet e shpeshta të rezultateve mund t’i kushtojnë shtrenjtë Burrelit, i cili gjithsesi vijon të jetë brenda objektivit sezonal, zonës “play-off”. Pas humbjes së thellë 3-0 në shtëpi ndaj Pogradecit, nga matjanët kërkohet reagim i menjëhershëm. Megjithatë, misioni nuk pritet të jetë i lehtë, pasi në fundjavë Burreli udhëton në transfertë ndaj Laçit, një prej skuadrave më në formë të kampionatit.

lleshaj burreli

Në një prononcim për “Panorama Sport”, sekretari i klubit të Burrelit, Marjan Lleshaj, analizoi ecurinë e skuadrës, veçanërisht në fazën e tretë, si dhe pritshmëritë për ndeshjen e radhës ndaj kurbinasve. “Në dy fazat e para kemi bërë një paraqitje dhe një ecuri pozitive, me luhatje të vogla, por duke qenë gjithmonë brenda objektivave. Skuadra ka treguar karakter dhe është përballur si e barabartë me ekipet kryesuese”, u shpreh fillimisht Lleshaj në lidhje me ecurinë e ekipit.

KONTESTIMET

Sekretari i klubit matjan pohon se gjykimet dhe aleancat po e prishin bukurinë e kampionatit. “Sa i përket fazës së tretë, kemi pasur luhatje dhe në një farë mënyre jemi ndëshkuar në disa ndeshje. Kemi zhvilluar dy faza të mira dhe kundër disa kundërshtarëve kemi dalë mbi pritshmëritë, por dua të theksoj se në ndeshjet e fundit kemi pasur edhe vendime të diskutueshme nga arbitrat. Me vendimet e tyre është ndikuar në fatin e ndeshjeve, me qëllim apo pa qëllim, këtë nuk më takon mua ta gjykoj. Megjithatë, nuk kemi zgjedhur të ankohemi apo bëjmë qaramanin te shefi i arbitrimit në federatë, Sokol Jareci, siç bëjnë disa ekipe. Ne e kemi ndërtuar ekipin mbi forcat tona dhe jo mbi aleanca, të cilat kanë ndikuar në garë që në fillim të kampionatit.”

SFIDA ME LAÇIN DHE OBJEKTIVAT

Lleshaj i sheh kurbinasit me meritë të ngjitur në Superiore, por shpreson te një paraqitje e mirë e ekipit matjan në Laç: “Ndeshja e radhës është me Laçin, që për mendimin tim është praktikisht i ngjitur në Superiore. Kurbinasit kanë bërë një kampionat shumë serioz dhe me meritë janë pretendentë kryesorë. Kjo fazë ka hyrë në një moment shumë delikat, ku një fitore të ngjit lart dhe një humbje të zbret poshtë. Për sa i përket mesit të tabelës, do të ketë një luftë shumë të fortë për zonën ‘play-off’ dhe ‘play-out’ deri në fund. Shpresoj që Burreli të bëjë një paraqitje të mirë në ndeshjet e mbetura dhe të qëndrojë mes gjashtë ekipeve më të mira, për të synuar më pas ngjitjen përmes ‘play-off’-it. Por duhet të jemi realistë: çdo ndeshje do ta trajtojmë si finale, sepse e tillë është dhe vetëm kështu mund të arrijmë objektivat”.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL