“Objektivi, ndaj Lushnjës vetëm për fitore”. Burreli dështoi në Gjirokastër, trajneri Nikaj tregon shkaqet
Matjanët nuk kanë humbur kohë pas humbjes ndaj Luftëtarit. Të nesërmen e ndeshjes, skuadra ka zbritur menjëherë në fushë për të nisur përgatitjet për sfidën e radhës ndaj Lushnjës, e cila do të zhvillohet në fundjavë në stadiumin “Liri Ballabani”.

Për ekipin e drejtuar nga Samuel Nikaj, përballja me lushnjarët merr një rëndësi të veçantë në luftën për të përmirësuar pozitat në renditje. Në këtë moment të sezonit, çdo hap fals mund të kushtojë shtrenjtë dhe për matjanët objektivi i vetëm mbetet rikthimi te fitorja. Humbja ndaj Luftëtarit ishte e 14-ta sezonale për skuadrën matjane, ndërsa rikthimi te suksesi shihet si rruga e vetme për të rikthyer qetësinë në ekip. Kjo ndeshje kishte edhe një veçanti, pasi autor i të dy golave për gjirokastritët ishte Klahos Zani, një futbollist që sezonin e kaluar ishte pjesë e matjanëve. Trajneri Samuel Nikaj, në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, analizoi humbjen ndaj Luftëtarit, duke theksuar se skuadra u ndëshkua nga dy episode: “Në përgjithësi zhvilluam një ndeshje të mirë dhe u ndëshkuam nga dy goditje standarde. Autori i dy golave tregoi cilësi individuale”, u shpreh numri një i pankinës matjane.
Ndaj Lushnjës- Tashmë, kur kampionati ka hyrë në dy javët e fundit, llogaritë po bëhen me shumë kujdes dhe çdo pikë ka peshë të madhe. Nikaj e bëri të qartë se ndaj Lushnjës skuadra do të hyjë në fushë vetëm për tre pikët: “Marrja e tre pikëve mbetet objektivi primar për ne. Pavarësisht pozicionit aktual që ka skuadra kundërshtare, vlerësimi ynë do të jetë maksimal”, deklaroi trajneri i matjanëve. Një nga dy fitoret e këtij viti, matjanët e kanë arritur pikërisht ndaj Lushnjës në transfertë. Atëherë ishte goli i Mëllugjës që u dha tri pikët e para jashtë fushe, fitore që deri tani mbetet e vetmja në transfertë për skuadrën matjane. Tashmë mbetet për t’u parë nëse matjanët do të arrijnë të përsërisin suksesin ndaj lushnjarëve dhe të mbyllin sezonin me një reagim pozitiv në javët e fundit.
Nderim GOCI-PANORAMASPORT.AL













