Nuk ka dyshime te Partizani, zëvendësuesi i Kërnajës shfaqet në momentin më delikat të sezonit
Oltijon Kërnaja do të mungojë në stolin e Partizanit, që do të përballet të hënën(13 prill) ndaj Elbasanit. Transferta delikate është e vlefshme për javën 31 të Abissnet Superiores.

Kërnaja do të jetë mungesë e rëndësishme, ndërsa Partizani nuk fiton prej tri javësh. Pezullimi vjen pas kartonit të kuq, që gjyqtari Juxhin Xhaja i tregoi ndaj Vllaznisë.
Vendin e tij në Elbasan ndërkohë do e ketë Real Zhivanaj. Ky i fundit bënte të njëjtën gjë ndaj Teutës në Durrës. Në anën tjetër Kushtrim Voka, trajneri i portierëve që ka punuar më parë edhe si video analist, do japë si gjithmonë kontributin e tij.
Partizani mban aktualisht vendin e katërt. Vetëm me 1 pikë më pak ndjek Dinamo, ndërsa të kuqtë po rrezikojnë të mbeten pa Europë.
PANORAMASPORT.AL













