Nga Sinani te Martini, kampionët e vitit 2001 për të rikthyer lavdinë e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2025 | 19:18

Nga Sinani te Martini, kampionët e vitit 2001 për të rikthyer lavdinë e Vllaznisë

Për herë të fundit Vllaznia ka fituar një kampionat në sezonin 2000-2001, sukses që përkonte me titullin e 9-të në historinë e shkodranëve. Një titull që erdhi pas një sezoni shumë rivalizues ndaj Tiranës dhe që u vendos vetëm në javën e fundit të atij edicioni.

vllaznia2001

Një histori në dukje që po përsëritet, ku shkodranët kanë sërish mundësi që në ndeshjen e fundit të sezonit të triumfojnë sërish, ku një fitore ndaj Egnatias do të siguronte kampionatin e 10- të për kuqeblutë, që po ashtu do të pasonte edhe me yllin e parë të vendosur në fanellën e kuqebluve. Një “fiksim” tashmë prej vitesh i tifozerisë, por edhe drejtuesve të klubit shkodran.

E nëse suksesi i fundit daton para 24 vitesh, në skuadrën aktuale si pjesë e stafit janë dy nga kampionët e fundit kuqeblu. Fjala është për zëvendës trajnerin, Vioresin Sinani, i cili në sezonin 2000- 01 shënonte 15 gola. Me ishsulmuesin që udhëhiqte shkodranët drejt suksesit. Por një tjetër ish-kampion është edhe trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi. Pavarësisht se ishte në një moshë shumë të re në sezonin 2000-01, edhe ai e ka provuar shijen e kampionit me skuadrën shkodrane. Te Vllaznia patjetër duket se e kanë si “fat” praninë e dy kampionëve të fundit me fanellën kuqeblu në staf, me shpresën që pas titullit si futbollistë, ta provojnë edhe shijen e fitores në rolin e trajnerit.

SHIFRAT – Vllaznia ka dalë 9 herë kampion i Shqipërisë dhe titulli i fundit është arritur në sezonin 2000-2001. Në atë edicion kampionati elitar i futbollit në Shqipëri zhvillohej me pjesëmarrjen e 14 skuadrave dhe me dy faza. Pas 26 ndeshjesh shkodranët e mbyllën të parët kampionatin me 56 pikë, dy më shumë se Tirana e vendit të dytë dhe katër më shumë se Dinamo që e mbylli sezonin e treta. 17 fitore, 5 barazime, 4 humbje dhe me golavarazh 51-22 ishte bilanci i kampionëve shkodranë para dy dekadash.

Përveç yjeve të futbollit shkodran, si Sinani, Martini, Beqiri, Teli, Kotri e të tjerë, presidenti Myftar Çela kishte afruar edhe disa lojtarë të tjerë cilësor vendës, si Klodian Duro, Dorian Bylykbashi, Saimir Patushi. Trajner i ekipit ishte malazezi Dervish Haxhiosmanoviç. Zv.trajner ishte Esat Rrakiqi, trajner portierësh Avenir Dani. Mjek i skuadrës Zyhdi Çoba dhe masazhator Ruzhdi Mesi. Pjesë e stafit drejtues të skuadrës ishin edhe Artan Bushati, Ismet Hoxha dhe Ferid Borshi.

Nga pjesa e stafeve të Vllaznisë së fundit kampionëve, aktualisht vijon vetëm mjeku veteran, Zyhdi Çoba. Por në staf teknik tani bëjnë pjesë disa ish-lojtarë kampionë. Trajner është Edi Martini, drejtor Vioresin Sinani, ndërsa Ideal Lekiqi është trajneri i portierëve.

PANORAMASPORT.AL