Nga Korabi te Korabi, Lushnja 77 ditë pa fitore. Verdhejeshilët nuk kanë “firmosur” për 2026-ën
Lushnja po përjeton një nga periudhat më të errëta të historisë së saj moderne, teksa rreziku i rënies nga Kategoria e Parë është më real se kurrë. Verdhejeshilët, që prej tetë sezonesh janë pjesë e këtij niveli, tashmë ndodhen në fundin e renditjes dhe çdo ndeshje e mbetur ka marrë vlerën e një finaleje për mbijetesë.

Nëse nuk vjen reagimi në pesë javët e fundit, skenari më i keq, rënia në Kategorinë e Dytë, nuk është më thjesht një frikë, por një realitet i prekshëm. Sezoni aktual është pasqyra më e qartë e një skuadre pa stabilitet, ku oshilacionet kanë qenë të dukshme në çdo aspekt. Problemet kanë nisur që nga pankina, e cila është ndryshuar plot tre herë brenda 28 javëve. Fillimisht ishte Erjon Xhafa që drejtoi ekipin në katër javët e para, por u largua pas katër barazimeve radhazi. Më pas drejtimin e mori Ditmar Bicaj, i cili qëndroi deri në fund të vitit të kaluar, për t’ia lënë vendin në vitin 2026 Artan Banos. Megjithatë, as ardhja e Banos nuk solli kthesën e shumëpritur.
Përkundrazi, situata është përkeqësuar ndjeshëm. Edhe pse debutimi i tij ishte premtues, me fitoren 2-0 ndaj Korabit më 17 janar, ajo mbeti vetëm një shkëndijë e përkohshme. Që nga ajo ditë, Lushnja ka hyrë në një tunel të errët, duke regjistruar plot 10 ndeshje radhazi pa fitore. Kanë kaluar 77 ditë nga suksesi i fundit dhe skuadra duket e bllokuar psikologjikisht dhe teknikisht. Seria negative është alarmante në këtë pjesë të dytë të sezonit. Në 10 ndeshjet e fundit, Lushnja ka marrë vetëm disa barazime dhe ka pësuar humbje të rënda, duke treguar mungesë stabiliteti në mbrojtje dhe pafuqi në sulm. pa gola ndaj Apolonisë dhe Luftëtarit nuk mjaftojnë për një ekip që lufton për mbijetesë, ndërsa humbje si ajo 1-5 në shtëpi ndaj Laçit apo 3-1 ndaj Pogradecit kanë thelluar krizën. Kjo ecuri ka bërë që Lushnja të fundoset në renditje, duke u kthyer në një nga kandidatët kryesorë për rënie. Tashmë, gjithçka përqendrohet te sfida e radhës ndaj Korabit, një kundërshtar simbolik për verdhejeshilët, pasi pikërisht ndaj dibranëve erdhi fitorja e fundit. Ndeshja e kësaj fundjave nuk është thjesht një përballje kampionati, por një finale e vërtetë për mbijetesën e lushnjarëve. Duke qenë se luhet në “Roza Haxhiu” dhe pas saj mbeten edhe katër ndeshje deri në fund, çdo rezultat tjetër përveç fitores mund të konsiderohet fatal për fatin e sezonit.
Pagesat
Problemet e Lushnjës nuk kufizohen vetëm në fushë. Kriza është edhe jashtë saj. Duke qenë një klub nën administrimin e bashkisë, vonesat në financa janë kthyer në një problem të përvitshëm. Edhe këtë sezon, sipas burimeve pranë skuadrës, lojtarët dhe stafi ende nuk kanë “firmosur në bordoro” për vitin 2026, për shkak të vonesave në lëvrimin e fondeve. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në moralin dhe përqendrimin e ekipit. Megjithatë, trajneri Artan Bano po përpiqet të mbajë grupin të bashkuar, duke marrë rolin e garantuesit për zgjidhjen e problemeve financiare dhe duke kërkuar fokus maksimal vetëm te fusha. Sfida për të është e dyfishtë, të rikthejë besimin te lojtarët dhe të shpëtojë një sezon që po rrëshqet drejt katastrofës. Pesë ndeshjet e fundit janë tashmë kapitulli vendimtar. Për Lushnjën nuk ka më hapësirë për gabime. Është momenti i së vërtetës, ose reagim i fortë dhe mbijetesë, ose rënie që mund të lërë pasoja të rënda për të ardhmen e klubit, si dhe mbeten edhe 4 ndeshje më pas deri në mbyllje të kampionatit.
Nga Korabi te Korabi, ecuria e Lushnjës në 2026-ën
21.03.26
Apolonia – Lushnja 0-0
18.03.26
Kukësi – Lushnja 3-2
14.03.26
Lushnja – Luftëtari 0-0
07.03.26
Skënderbeu – Lushnja 2-0
28.02.26
Lushnja – Laçi 1-5
21.02.26
Pogradeci – Lushnja 3-1
15.02.26
Iliria – Lushnja 2-1
07.02.26
Lushnja – Laçi 0-1
01.02.26
Lushnja – Burreli 0-1
25.01.26
Apolonia – Lushnja 0-0
17.01.26
Lushnja – Korabi 2-0
8 sezone
ka Lushnja larg elitës së futbollit shqiptar, ku për herë të fundit ka milituar në Superiore në edicionin 2017-2018. Në vitet e fundit Lushnja më shumë ka luftuar për sigurimin e mbijetesës në të Parën.
PANORAMASPORT.AL













