Nga Boriçi te Gjoka, kupa rikthehet në… shkollë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2013 | 14:26

Nga Boriçi te Gjoka, kupa rikthehet në… shkollë

Shkendija U-19Skuadra e drejtuar nga Shpend Kumbarçe pas 10 vjetësh është shpallur kampione e Shqipërisë. Ka qenë trofeu i 14-të, në sezonin 2002-2003, kur nën drejtimin e Ernest Gjokës, Shkëndija U-19 fitonte këtë titull për herë të fundit. Nuk ka qenë e lehtë ta realizojë këtë titull, por grupi i shkëlqyer i lojtarëve të këtij sezoni dhe puna e pakursyer e trajnerit bënë të mundur këtë arritje. Të hënën, futbollistëve të Shkëndijës u është dorëzuar Kupa e titullit kampion nga drejtuesit e FSHF-së.
Historiku Ka qenë janari i vitit 1968 kur qeveria e atëhershme mori një vendim mjaft të rëndësishëm për sa i përket zhvillimit të sporteve, e veçanërisht të futbollit, për krijimin e plejadës së futbollistëve më të mirë të Shqipërisë. Krijohet Instituti i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, ose siç quhet sot Shkolla e Mjeshtërisë së Futbollit. Themelues të kësaj shkolle do të ishin figurat më të shquara të futbollit të kohës si Loro Boriçi, Zyber Konçi, Myslym Alla e Rexhep Spahiu. Më pas do të radhiteshin të gjithë drejtuesit e saj që nga viti 1968 e deri më sot: Koço Karaguni, Pandi Allabashi, Muharrem Sinoimeri, Pandeli Sare, Adem Agovi, Anastas Bumçi, Zija Shaba, Artur Krantja e për të ardhur deri te drejtuesi aktual i kësaj shkolle, Sulejman Mema. Nga kjo shkollë futbolli janë furnizuar të gjitha klubet në vend, madje shumë prej tyre kanë veshur edhe fanellën e Kombëtares. Është mjaft e vështirë dhe duhet goxha vend për t’i përmendur të gjithë këta nxënës të dalë nga kjo shkollë, por disa prej tyre që shpalleshin për herë të parë kampionë të Shqipërisë ishin: Dashnor Bajaziti, Besnik Çela, Fatmir Paçrami, Dashamir Gëzdari, Luan Metani, Ligor Sherko, Dhori Lulo etj. Për t`ia lënë këtë stafetë shumë më të rinjve: Sulejman Starova, Sulejman Mema, Ardian Arra, Arjan Bakiri, Luan Maliqi etj. gjatë viteve 1972-1973. Një plejadë e shkëlqyer futbollistësh është edhe grupi i sezonit 2002- 2003 të përgatitur me mjaft kualitet nga ish-trajneri i kësaj shkolle, Ernest Gjoka, sot trajner i Flamurtarit, të cilët para 10 viteve morën titullin e 14-të. Plejada e kampionëve të sotëm, që më 20 maj ngritën lart trofeun e 15-të të kampionit, ka qenë edhe grupi më i mirë i dekadës së fundit të kësaj shkolle, të cilët të drejtuar nga Shpendi Kumbarçe ngritën përsëri lart vlerat e kësaj shkolle.
Mema Sulejman Mema, drejtori i shkollës së mjeshtërisë “Loro Boriçi”, në lidhje me trofeun shprehet: “Jam tepër i entuziazmuar nga ky sukses i arritur nga një grup nxënësish të kësaj shkolle, pasi më vijnë ndër mend vitet kur isha vetë nxënës në këtë shkollë dhe shpalleshim kampionë të Shqipërisë. Interesi im është që këta fëmijë të ndihen komodë, pasi kënaqësia ime është kur ata kanë obligimin për të dhënë më shumë seç kemi dhënë ne në periudhën tonë. Ky titull kampion i ka sjellë kësaj shkolle një tjetër imazh, si dhe dinjitetin e harruar disa vite, duke përligjur kështu punën e bërë nga të gjithë trajnerët e kësaj shkolle. Përfitoj nga rasti që t’u drejtohem të tërë drejtuesve të klubeve që t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj plejade futbollistësh”.
Trajneri Ish-trajneri i Pogradecit në vitet 2000-2004 e së fundi trajner i Shkëndijës U-19, Shpendi Kumbarçe, në lidhje me rikthimin e titullit kampion në skuadër pas 10 vitesh thotë: “Grupi i lojtarëve që u shpall kampion u grumbullua që më 6 gusht të vitit të kaluar, nga ku kemi përzgjedhur futbollistët e lartpërmendur, kjo në bazë të konkurrencës. Lidhur me këtë sezon, ekipit tonë për të arritur këtë sukses i është dashur një punë intensive. Gjatë fazës së parë kemi pasur rivalë Besën dhe Flamurtarin, ndërsa në të dytën na është shfaqur skuadra e Teutës, e cila ndodhej në vendin e pestë. Me këtë rast falënderoj të gjithë djemtë pa përjashtim, që kanë sakrifikuar e kontribuar maksimalisht në çdo ndeshje. Po kështu falënderoj edhe familjen time”, – përfundon trajneri.
Abdulla Dushku

LOJTARËT KAMPIONË TË SHKËNDIJËS
Klaudio Hyseni
Sokol Tafa
Enton Gjergji
Kristjan Licaj
Halim Vladi
Enis Ibra
Alush Gavazaj
Endri Mersini
Taulant Marku
Antonio Lala
Spartak Ajazi
Franc Spahiu
Alpi Lapardhaja
Glorian Hoxha
Kristjan Meshaj
Skënder Lilaj
Alvi Gjonaj
Gentian Gjoni
Mariol Pere
Albert Gjuta
Orient Todhe
Gentian Prela
Jurgen Dushkaj
Enton Gjergji