Nga Ballshi te Tirana, Elbasani kërkon fundvitin perfekt/ Strategjia e verdhebluve, avantazhi psikologjik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2025 | 23:55

Nga Ballshi te Tirana, Elbasani kërkon fundvitin perfekt/ Strategjia e verdhebluve, avantazhi psikologjik

Elbasani ka vendosur një objektiv të qartë për dy ndeshjet e fundit të këtij viti kalendarik. Dy fitore dhe gjashtë pikë të plota. Verdheblutë kërkojnë ta mbyllin vitin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke konsoliduar pozitat në krye të renditjes dhe duke dërguar një sinjal të fortë për rivalët në mbyllje të gjysmës së parë të kampionatit.

elbasani

Përballjet me Bylisin dhe Tiranën shihen si një mundësi e artë për të forcuar edhe më shumë pozicionin e kryesuesit. Në letër, Elbasani është favorit në të dyja sfidat. Skuadra e Ivan Gvozdenoviçit udhëheq Superioren dhe do të përballet fillimisht me Bylisin, që ndodhet në zonën e ftohtë në renditje, e më pas me Tiranën, një ekip që po kalon vështirësi dhe ndodhet në vendin e fundit.

Për këtë arsye, marrja e maksimumit të pikëve konsiderohet si një “detyrë shtëpie”, të paktën në aspektin teorik. Megjithatë, në kampin verdheblu janë të vetëdijshëm se futbolli nuk njeh llogari në letër dhe se çdo ndeshje kërkon përqendrim maksi mal, disiplinë taktike dhe sakrificë.

FOKUSI TE BYLISI, PASTAJ TIRANA – Edhe pse kalendari i vë përballë dy kundërshtarë që në renditje duken më poshtë, Elbasani nuk dëshiron të bëjë asnjë hap të gabuar. Në kampin elbasanas mbizotëron parimi “ndeshja e radhës”.

I gjithë fokusi është përqendruar te sfida me Bylisin, e cila luhet nesër në transfertë dhe që mbart rreziqe të shumta, pasi ekipet që ndodhen në fund të tabelës luajnë pa presion dhe shpesh janë të paparashikueshme. Vetëm pasi të mbyllet me sukses përballja në Ballsh, verdheblutë do të kthejnë vëmendjen nga dueli me Tiranën, që do të luhet në shtëpi.

Një ndeshje kjo që pritet të ketë interes të lartë, jo vetëm për rivalitetin që mbart, por edhe për faktin se mund të jetë vendimtare për fatin e kreut të renditjes në mbyllje të fazës së parë. Në Elbasan shpresojnë që kjo sfidë të shndërrohet në një festë për tifozët, nëse skuadra arrin të ruajë epërsinë në renditje.

E PËRBASHKËTA – Një nga elementët që i bashkon përballjet e Elbasanit me Bylisin dhe Tiranën këtë sezon është mënyra se si verdheblutë kanë arritur fitoret. Skuadra e Gvozdenoviçit ka ndërtuar identitetin e saj mbi cinizmin dhe efikasitetin maksimal, duke fituar shumicën e ndeshjeve me rezultatin minimal 1-0. Një stil që mund të mos jetë gjithmonë spektakolar, por që ka rezultuar tejet efektiv në garën për titull. Megjithatë, pikërisht ndaj këtyre dy kundërshtarëve ka ndodhur një përjashtim domethënës.

Elbasani ka arritur të shënojë më shumë se një gol, duke treguar se, kur i jepet hapësirë, ky ekip di të jetë edhe dominues në fazën sulmuese. Bylisi është mposhtur me rezultatin 2-1, ndërsa Tirana është mundur bindshëm me shifrat 4-1, rezultate që flasin qartë për superioritetin e verdhebluve në këto duele direkte. Praktikisht, Bylisi dhe Tirana janë shndërruar në dy nga kundërshtarët më “të preferuar” për ekipin e Ivan Gvozdenoviçit, të paktën në këtë fazë të sezonit. Jo vetëm për rezultatet e marra, por edhe për mënyrën se si Elbasani ka ditur t’i lexojë dhe t’i menaxhojë këto ndeshje.

Balanca mes mbrojtjes së fortë dhe goditjeve të shpejta në sulm ka funksionuar në mënyrë perfekte, duke i dhënë skuadrës siguri dhe vazhdimësi. Në këtë kontekst, synimi për gjashtë pikë është më shumë sesa një dëshirë; është një objektiv strategjik. Marrja e këtyre pikëve do të thotë jo vetëm mbajtje e vendit të parë, por edhe një avantazh psikologjik i rëndësishëm ndaj rivalëve, në prag të ndarjes së kampionatit në fazat vendimtare.

PANORAMASPORT.AL