“Nëndetësja” bindet nga Malomo, sulmuesi ende në pritje te Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2026 | 17:32

“Nëndetësja” bindet nga Malomo, sulmuesi ende në pritje te Dinamo

Dinamo po kalon një moment shumë të rëndësishëm të sezonit, ku fitorja e fundit ndaj Elbasanit, ka rikthyer besimin se skuadra do të rikthehet në “Final 4”. Nëse rezultatet e fillimit ishin pozitive dhe e bënë Dinamon të dukej si skuadra që do të luftonte deri në fund për titull, rezultatet e fundit nuk janë ato që priteshin në fillim.

dinamo

Nëse në letër pesha e golave duhej të binte mbi repartin ofensiv, në praktikë është mesfusha ajo që po merr protagonizmin dhe vec lojtarëve të konfirmuar, një emër i ri që po spikat te skuadra blu, është mesfushori nigerian Ajodeji Malomo, i afruar te kryeqytetasit në merkaton e janarit, aty ku u transferua nga Bylisi. Afrimi i tij në merkato po rezulton një lëvizje e goditur, pasi mesfushori jo vetëm është përshtatur shpejt me skuadrën, por ka nisur të japë kontribut konkret në rezultate.

Dy golat e tij në kampionat nuk janë thjesht shifra në statistikë, por realizime që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e Dinamos. Ai ka ditur të shfaqet në momentet e duhura, duke ndihmuar skuadrën të marrë pikë të rëndësishme dhe duke shtuar një dimension që ndoshta nuk ishte parashikuar në fillim të sezonit. Ajo që e bën edhe më domethënës këtë kontribut është fakti se këto gola kanë ardhur në vetëm 9 ndeshje, çka tregon një efikasitet të lartë për një lojtar të repartit të mesfushës.

Ky ritëm bëhet edhe më interesant kur krahasohet me periudhën e tij te Bylis. Atje, ai kishte arritur të realizonte 3 gola në 20 ndeshje në këtë sezon, duke qenë një nga lojtarët më produktivë të ekipit, ndërsa një vit më parë kishte shënuar 5 gola në 33 ndeshje. Pra, edhe pse tani luan në një ambient të ri, ai po ruan një mesatare të ngjashme efikasiteti dhe duket se është në rrugën e duhur për të arritur pse jo edhe për të kaluar statistikat e mëparshme.

MUSTAFA- Nëse Malomo është surpriza si lojtari që shënon golat, e kundërta mund të thuhet për lojtarin që pritej të shënonte. Ibrahim Mustafa, i ardhur për të qenë pika kryesore e golit, ende nuk ka arritur të zhbllokohet me fanellën e Dinamos. Në 7 ndeshje të luajtura, sulmuesi nuk ka gjetur rrugën e rrjetës, duke mbetur larg asaj që tregoi më parë.

Krahasimi me të kaluarën e tij e bën edhe më të dukshme këtë moment të vështirë. Te Bylisi, në të njëjtin sezon, Mustafa kishte realizuar 7 gola në 19 ndeshje, duke qenë një nga pikat më të forta të skuadrës në sulm dhe një lojtar që garantonte rregullisht finalizim. Tani, në një ambient të ri, ai duket ende në kërkim të formës më të mirë, i kushtëzuar ndoshta nga mënyra e lojës, hapësirat e kufizuara apo thjesht nga mungesa e momentit të duhur për t’u zhbllokuar.

Kjo situatë krijon një tablo të pazakontë për Dinamon, ku rolet duket se janë përmbysur përkohësisht pasi mesfusha po jep gola dhe po mban peshën e rezultatit, ndërsa sulmi është ende në kërkim të identitetit të tij. Megjithatë, brenda kësaj panorame ka edhe arsye për optimizëm. Forma e Malomos tregon se skuadra ka alternativa dhe burime të tjera për të bërë diferencën, ndërsa për rastin e Mustafas shpresohet mbetet një çështje kohe. Ndoshta do të mjaftojë një gol për të ndryshuar rrjedhën psikologjike të një sulmuesi dhe për ta kthyer atë në lojtarin që pritej të ishte. Që nga koha kur dy lojtarët u larguan nga Bylisi, ballshiotët kanë pasur një mungesë të golave të shënuar dhe kanë vuajtur jo pak.

PANORAMASPORT.AL