Në Vlorë duan vazhdimësi, Dushku: Marrim pikë në Laç
Rigers Dushku mendon se Flamurtari i kishte të gjitha mundësitë për të fituar përballë Partizanit. Në një prononcim për mediat, mesfushori që e ka nisur tek të kuqtë karrierën si profesionist, tha se ishte një barazim me vlera ai i arritur të dielën në Vlorë, por me pak sforco mund të merrnin më shumë. “Ishte një barazim me vlera ndaj Partizanit.
Them se kemi bërë më të mirën tonë dhe se ky barazim na bënë shumë punë. Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje të mirë ndaj të kuqve, por ndoshta meritonim më shumë se vetëm një pikë nga kjo ndeshje.
Por nga mënyra se si rrodhi loja, duke parë që kemi qenë në disavantazh duhet të jemi të kënaqur. Ndihem mirë në shënimin e golit ndaj Partizanit, pasi unë kam qenë pjesë e aksionit për ta arritur atë barazim”, shprehet fillimisht Dushku.
Kundërshtari
Mesfushori ndalet edhe te ndeshja e kësaj jave me Laçin. Ai shprehet se Flamurtari shkon në këtë transfertë për të arritur objektivin maksimal, pse jo për të marrë fitoren.
“Ndeshja me Laçin natyrisht që do të jetë shumë e vështirë. Ne do të luajmë ndaj një kundërshtari cilësor, por në futboll asgjë nuk është e pamundur. Në Laç do të shkojmë për të realizuar objektivin tonë maksimal për një rezultat pozitiv. Me Partizanin kemi treguar forcë dhe karakter për të kthyer rezultatin dhe këtë duhet të vijojmë ta tregojmë gjatë gjithë ndeshjeve që kanë mbetur.
Të gjithë besojmë se mund t’ia dalim, pavarësisht vështirësive që ka një takim i tillë. Renditja nuk na lë vend për të qenë të qetë. Rreziku mbetet ende, ndaj kur kanë mbetur edhe 7 javë nga mbyllja e këtij sezoni, duhet që të shmangim hapat falsë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë”, shtoi 24- vjeçari, i cili beson te vazhdimësia në Laç.
E ardhmja
Rigers Dushku është i bindur se Flamurtari nuk do të bjerë nga kategoria. Mesfushori beson te grupi i lojtarëve, ndërsa premton maksimumin e tij.
“Ky Flamurtar nuk bie nga kategoria. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh e me karakter dhe është kjo forcë e grupit që na bën optimistë edhe për ndeshjet që kanë mbetur. Zgjedhja për të ardhur te Flamurtari në janar ishte e duhura dhe dua t’i falënderoj të gjithë për besimin, pasi vija nga një periudhë dëmtimesh. Jam i kënaqur që jam në Vlorë dhe premtoj maksimumin tim sa herë që të aktivizohem”, përfundon Dushku.
Përgatiti: Ermal Sika













