“Në merkato, për të dubluar ndonjë rol”/ Daja: Dinamo serioze në Ballsh, kreu do të ketë rrotacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2025 | 11:41

“Në merkato, për të dubluar ndonjë rol”/ Daja: Dinamo serioze në Ballsh, kreu do të ketë rrotacion

Dinamo ishte nga skuadrat më në formë para ndërprerjes së kampionatit për festat e fundvitit. Blutë u shpallën kampionë dimri, por kjo është vetëm gjysma e rrugës, gjysma tjetër nis sit me transfertën e Ballshit.

ilir daja

Të besuarve të Dajës u duhet të impenjohen maksimalisht për të mundur një kundërshtar, që në dy fazat e para nuk e kanë thyer dot. Dinamo ka forcuar mesfushën me Fjoart Jonuzin, por pritet që sot ta nisin ndeshjen thuajse me ekipin fitues të javëve të fundit të 2024-ës. Trajneri Ilir Daja ka theksuar në konferencë shtypi se Bylisi duhet marrë shumë seriozisht për të vazhduar me ecurinë pozitive. Ai ka folur edhe për merkaton, si dhe për temën e ndryshimit të rregullit të lojtarëve të huaj në një ndeshje.

SKUADRA – Trajneri i bluve foli fillimisht për gjendjen e të tijve: “Pothuajse nuk kemi pushuar fare me përjashtim të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri me nga 2-3 ditë. Për këtë periudhë 20-ditore kanë qenë mangët vetëm ndeshjet dhe jemi pa ritmin e tyre, ndërsa me seancat stërvitore kemi qenë prezent. Kemi pasur pak probleme me viruset stinore, kemi edhe tani një lojtar. Gjithë kontingjenti është në dispozicion, por jo të gjithë janë të gatshëm. Mandela vjen nga një periudhë dëmtimi, që e ka kaluar. Ka shkuar në vendlindje për shkak dokumentacioni dhe për një periudhë nuk ka qenë me grupin”.

MERKATO – “Kemi punuar në drejtim të merkatos, kemi pasur në fokus 2-3 lojtarë. Presidenti i plotësoi të gjitha kushtet, por kemi zgjedhur një alternativë tjetër. Kemi afruar Jonuzin, i cili është një mesfushor që e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar. Jemi në tratativa jo për shumë blerje, por për ato vende, ku kemi nevojë për dublim të roleve. Besoj që mund të ketë edhe ndonjë lojtar të perspektivës, sepse duhet të alternojmë grupmoshat brenda ekipit. Duke ditur që disa lojtarë janë edhe në fokusin e merkatos në dalje, do të shohim në dinamikë se çfarë do të ndodhë deri më 31 janar”, tha Daja për merkaton e Dinamos.

BYLISI – Për ndeshjen e sotme dhe kundërshtarin, kreu i stolit kryeqytetas u shpreh: “Në këtë ndeshje nuk nisemi nga gjendja e Bylisit në tabelën e klasifikimit. Nëse u referohemi tri ndeshjeve të fundit të Bylisit, ka një fitore dhe dy barazime, që do të thotë se ka një ecuri të mirë. Na pret një ndeshje e vështirë, ata e kanë treguar edhe në dy ndeshjet e tjera. Jo vetëm në fushën e tyre shprehen mirë, por edhe në transfertë luajnë mirë. Por ne jemi gati dhe shpresojmë të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive, duke e marrë seriozisht Ballshin”.

TË HUAJT – Trajneri i Dinamos komentoi më tej ndryshimin e rregullit për lojtarët e huaj: “Për ndryshimin e rregullit në lidhje me lojtarët e huaj, të them të drejtën, është pak e habitshme që ndodh në mes të garës. Ndryshimi i rregullores për lojtarët e huaj që marrin pjesë në ndeshje ndryshon shumë gjëra te klube të caktuara”, është shprehur Daja.

KREU – “Nuk besoj se ndjehet presioni, sepse ne jemi të vetëdijshëm që nuk e kemi mbajtur vendin e parë për një kohë të gjatë. Katërshja e parë ka bërë rotacion, që do të thotë se na del për detyrë që të vazhdojmë ecurinë që kishim, duke u fokusuar tek ajo që rëndom thuhet ndeshja e radhës. Kemi bërë një gjysmë sezoni goxha të mirë, por asgjë nuk ka vlerë, nëse nuk vazhdojmë kështu. Megjithatë, nuk ka presion. Rotacioni do të ndodhë shpesh deri në fund të këtij kampionatit” u shpreh Daja sa i takon çështje së kreut të klasifikimit dhe presionit.

KUPA – Mesjavën e ardhshme Dinamo luan ndeshjen e parë në Kupën e Shqipërisë për këtë edicion: “Nëse e përmenda pjesën e rimtit të ndeshjeve, futja e kupës në këtë kohë është diçka e mirë, por ndoshta do të ishte më mirë që të fillonte viti me kupën dhe të vazhdonte me kampionatin pastaj. Ka të mirën që në këtë trejavësh me ndeshje të munguara futesh më mirë në ritëm, duke pasur më shpesh ndeshje”, përfundoi Daja.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL