“Ndikoi menaxhimi i gabuar dhe personat jo kompetent”. Rënia e Lushnjës, Dushi: Dihen fajtorët e dështimit total, ja si ringrihet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2026 | 13:07

“Ndikoi menaxhimi i gabuar dhe personat jo kompetent”. Rënia e Lushnjës, Dushi: Dihen fajtorët e dështimit total, ja si ringrihet

Agonia e gjatë e Lushnjës pati një përfundim të hidhur. E paaftë për t’u rikthyer në elitë, klubi ka prekur pikën më të ulët në historinë e tij, duke zbritur në nivelin e tretë të futbollit shqiptar. Në kampin lushnjar nuk është më koha për të gjetur fajtorët, pasi sportdashësit dhe specialistët vendas i njohin mirë të gjithë, me emër dhe figurë.

LLAZAR DUSHI LUSHNJA

Ajo që kërkohet tani është analizimi i dështimit, vendosja “me shpatulla pas muri” e përgjegjësve dhe zëvendësimi i tyre me njerëzit e duhur, që mund të premtojnë ringjalljen e futbollit në Lushnjë. Një nga zërat kritikë, por edhe realistë, është ish-trajneri dhe ish-drejtuesi i klubit verdhejeshil, Llazar Dushi, i cili është konkret në ndarjen e përgjegjësive. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tregon shkurt rrugëdaljen e Lushnjës dhe nga duhet të nisin hapat për rikthimin e futbollit lushnjar në kohët kur përballej me dinjitet me klubet e elitës.

Lushnja do të luajë sezonin e ri në Kategorinë e Dytë. Çfarë do të thotë kjo për Llazar Dushin, që ka kaluar një jetë në këtë klub?

Sigurisht që ajo që ndodhi me Lushnjën është një dështim total, krahasuar me ekipin e dikurshëm që përballej me dinjitet me klubet elitare të kohës. Madje, kanë qenë përballje të denja dhe jo paraqitje si skuadra aktuale.

Një dështim historik i paralajmëruar prej sezonesh. Mos ndoshta më mirë një fund i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund për futbollin lushnjar?

Përfundimi që prodhoi ky sezon pritej. Për vite me radhë jemi mbajtur te mbijetesa në Kategorinë e Parë, pa guxuar të shihnim më lart dhe pa treguar vlerat e futbollit lushnjar.

Sipas jush, pse erdhi kjo katastrofë, që çdo vit u ka kushtuar taksapaguesve lushnjarë mbi 500 milionë lekë? Kush janë fajtorët?

Fajtorët dihen dhe i njohin të gjithë, por për katastrofën mendoj se ka ndikuar menaxhimi i gabuar i fondeve të destinuara për futbollin. Pastaj vjen zgjedhja e personave nga presidentja për të marrë këtë përgjegjësi. E gjithë kjo solli këtë situatë të dhimbshme dhe të papranueshme për sportdashësit lushnjarë.

Çfarë duhet të ndodhë me përgjegjësit e kësaj situate?

Është shumë e thjeshtë: zëvendësimi i tyre është domosdoshmëri. Nëse duam që klubi të ringrihet mbi themele profesionale dhe të sigurta. Gjithashtu, pretendohet se kemi akademi futbolli, por produkti mungon dhe struktura është e papërshtatshme.

Si shpjegohet që edhe treva e Myzeqesë dështon njëkohësisht, me Lushnjën dhe Apoloninë që zbresin në Kategorinë e Dytë?

Është një lajm i hidhur për gjithë trevën. Ndoshta të dy klubet kanë ndjekur të njëjtën “strategji” dhe përfundimi dihet tashmë për të dy.

Ka zëra për privatizimin e klubit. A mund të lidhet kjo me situatën aktuale, pasi një produkt “jo kualitativ” nuk shitet shtrenjt?

Klubi i Lushnjës e ka të domosdoshme ndërhyrjen në drejtim dhe menaxhim. Privatizimi mund të jetë një zgjidhje, por duhet trajtuar me seriozitet dhe me ndjenjë përgjegjësie ndaj sportdashësve.

Si specialist, cila është rruga e daljes nga kjo situatë?

Gjithçka duhet të nisë nga moshat. Duhet rishikuar efiçenca e akademisë, përmirësimi i terreneve dhe vënia në funksion e të gjitha ekipeve zinxhir. Duhet evidentuar talenti në çdo nivel dhe më pas të ndërtohen hapat e mëtejshëm për ta rikthyer Lushnjën në piedestalin që i takon, në elitën e futbollit shqiptar.

 

 

3 trajnerë e drejtuan Lushnjën në sezonin e fundit, por s’e shpëtuan. Ekipi e nisi kampionatin me Erjon Xhafën, që pas katër javësh i hapi rrugën Ditmar Bicajt, ndërsa nga janari deri në fund drejtoi Artan Bano.

 

500 milionë lekë mendohet se ka qenë buxheti vjetor i akordua nga Bashkia Lushnjë për ekipin në sezonin 2025-2026. Kjo shifër, e denjë edhe për një ekip Superioreje, e thellon edhe më shumë krizën e lushnjarëve.

ILIR CARA- PANORAMASPORT.AL