Ndeshja e sezonit për Lushnjën, rikthehen dy titullarë. Fitorja ndaj Luftëtarit, “urdhër” që duhet zbatuar
Lushnja ndodhet përballë një prove të vërtetë në këtë fazë vendimtare të sezonit. Pas disa humbjeve ndaj skuadrave të kreut, tashmë për verdhejeshilët vjen momenti për t’u përballur me rivalët direkt në garën për mbijetesë. Të shtunën, të besuarit e trajnerit Artan Bano do të presin në shtëpi Luftëtarin, një kundërshtar i drejtpërdrejtë në luftën për të qëndruar në Kategorinë e Parë.

Gjirokastritët mbajnë aktualisht vendin e 11-të në renditje me 20 pikë, po aq sa ka edhe Lushnja që pozicionohet në vendin e 10-të. Situata në fundin e tabelës është shumë e ngjeshur, pasi edhe Kukësi i vendit të fundit ndodhet vetëm tre pikë larg. Me tetë javë ende për t’u zhvilluar deri në fund të kampionatit, çdo skenar mbetet i hapur për lushnjarët. Nga rreziku i një katastrofe sportive me rënien në Kategorinë e Dytë, te sigurimi i zonës “play out”, ku mbijetesa diskutohet përmes një ndeshjeje shtesë, e deri te shpëtimi i drejtpërdrejtë duke u ngjitur të paktën në vendin e tetë të renditjes.
Pikërisht për këtë arsye, përballja me Luftëtarin merr karakter jetik për skuadrën verdhejeshile. Një fitore do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për të ndryshuar rrjedhën e sezonit dhe për të rritur shanset e mbijetesës. Duke qenë se rëndësia e kësaj sfide është maksimale, drejtuesit e klubit u kanë bërë thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë në stadium për të mbështetur ekipin. Madje hyrja në stadium është vendosur të jetë e lirë, pa biletë, me shpresën që atmosfera nga tribuna të shërbejë si një shtysë shtesë për lojtarët në fushë.
Canka-Hida- Një lajm pozitiv për trajnerin Artan Bano është rikthimi i dy lojtarëve të rëndësishëm në formacion. Bëhet fjalë për mbrojtësin Klevis Hida dhe kapitenin Mikel Canka, të cilët munguan në ndeshjen e fundit për shkak të pezullimit nga kartonët. Në sfidën e kaluar, të zhvilluar në Korçë, Lushnja u mposht me rezultatin 2-0 dhe mungesa e tyre u ndje në lojën e skuadrës. Megjithatë, edhe për këtë takim grupi nuk do të jetë i plotë. Mesfushori Ersi Zganjori ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe do të mungojë për shkak pezullimi. Ndërkohë, portieri Oltjan Haremi duhet të vuajë edhe javën e fundit të dënimit të vendosur nga Komisioni i Disiplinës.
“Gardiani” u ndëshkua pas polemikave që pati me tifozët kur u largua i dëmtuar nga fusha në ndeshjen me Laçin, ndërsa në atë moment u ndëshkua edhe me karton të kuq nga arbitri për gjest antisportiv. Pavarësisht situatës së vështirë në renditje dhe mungesave në skuadër, në kampin lushnjar po përpiqen të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen maksimalisht te përgatitja për ndeshjen. Objektivi është i qartë: rikthimi te fitorja përballë Luftëtarit dhe nisja e një serie pozitive që do të çonte drejt realizimit të misionit kryesor të sezonit, shpëtimit dhe qëndrimit në Kategorinë e Parë.
PANORAMASPORT.AL













