“Na mohuan penallti me Ilirinë”, Burreli shpërthen ndaj arbitrimit përmes drejtorit Gjoka
Burreli nuk arriti të shkonte më shumë se një barazim pa gola, 0-0, në fushën e tij përballë Ilirisë, në një ndeshje ku skuadra matjane pretendon se është dëmtuar rëndë nga gjykimi. Episodi më i diskutueshëm i takimit lidhet me një moment brenda zonës së miqve, kur sulmuesi Xhabrahimi goditi drejt portës dhe topi u përplas në dorën e mbrojtësit Markoçi.

Sipas vendasve, bëhej fjalë për një penallti të pastër, por arbitri i ndeshjes vendosi të vazhdojë lojën, duke shkaktuar reagime të forta në kampin matjan. Ky nuk është rasti i vetëm që Burreli ka pretendime ndaj arbitrimit gjatë këtij sezoni, sidomos në ndeshjet e zhvilluara në stadiumin e tyre. Sipas drejtuesve të klubit, në disa takime gjyqtarët kanë marrë vendime që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjeve, por deri më tani klubi ka zgjedhur të mos reagojë publikisht. Megjithatë, pas barazimit të fundit me Ilirinë, durimi duket se ka marrë fund. Për këtë arsye, drejtori sportiv i Burrelit, Klevis Gjoka, ka reaguar në një prononcim për “Panorama Sport”, duke shprehur hapur pakënaqësinë për atë që e cilëson si një padrejtësi të madhe ndaj skuadrës së tij.
Madje, rasti i diskutuar është shoqëruar edhe me pamje filmike që, sipas matjanëve, tregojnë qartë penalltinë e mohuar. Në deklaratën e tij, Gjoka nuk i ka kursyer kritikat ndaj arbitrimit, jo vetëm në ndeshejn ndaj Ilirisë, por në përgjithësi përgjatë gjithë sezonit: “Ka gjithë vitin që nuk flas për arbitrimin, por tani ka ardhur fundi, sidomos me këtë rast flagrant, aq më tepër në fushën tonë dhe para tifozëve tanë. Arbitrat po na shkatërrojnë investimet e një sezoni, të cilat nuk janë të pakta për një klub si Burreli.
Ne jemi pro gabimeve njerëzore, sepse ato ndodhin në futboll, por ky rast nuk është thjesht një gabim. Kjo duket si keqdashje, ashtu siç ka ndodhur edhe në disa raste të tjera gjatë sezonit. Ne vazhdojmë t’u besojmë institucioneve dhe shpresojmë që në vazhdim të mos jemi më ekipi që penalizohet në këtë mënyrë”.
SHIH VIDEON E RASTIT KETU
Reagimi i drejtuesve të Burrelit pritet të hapë debat për gjykimin e ndeshjeve në këtë kategori, ndërsa klubi matjan kërkon më shumë drejtësi në fushë, duke theksuar se vendime të tilla mund të ndikojnë jo vetëm në rezultatin e një ndeshjeje, por edhe në fatin e një sezoni të tërë.
PANORAMASPORT.AL













