“Mungon fati”, ish-mesfushori Kuçi: Elbasani ka potencial, me Dinamon bën kthesën e madhe
Elbasani doli me një pikë nga ndeshja me Teutën, ndonëse me atë që shfaqën në fushë përgjatë gjithë 90 minutave kishin shumë mundësi për të dalë me një fitore. Ky ishte barazimi i 15-të i verdhebluve këtë edicion, duke treguar në njëfarë mënyre se has vështirësi për të fituar, por nga ana tjetër edhe nuk mundet lehtë.

Për ish-futbollistin e skuadrës së Elbasanit, Egert Kuçi, barazimi me Teutën dhe disa të tjerë lidhet edhe me fatin se në futboll ndonjëherë luan një rol vendimtar. Në prononcimin për “Panorama Sport”, ai sheh optimizëm në këtë klub, përpos mungesës së rezultateve.
“Futbolli është edhe çështje fati. Me Teutën patën shumë mundësi shënimi dhe iu afruan shumë golit, ku tri pikët do të ishin më se të merituara nëse do të merreshin në fund. Po t’u kthehemi barazimeve të tjera, më e freskët është edhe ndeshja me Skënderbeun, duhej të fitonin me atë që u tregua në fushë.
Ajo që kam vënë re në gjithë këto barazime lidhet me faktin se Elbasani në pjesën dërrmuese te tyre ka dominuar, pra ka lënë dy pikë dhe nuk ka marrë një. Kjo tregon se skuadra ka potencial dhe shpresojmë që ta shprehë në këtë fund kampionati”, u shpreh fillimisht ishfutbollisti i verdhebluve.
OBJEKTIVI – Prej javësh, Elbasani qëndron në mesin e tabelës, mes “Final 4” dhe mbijetesës. Në fakt, nuk i është afruar asnjëherë shumë pranë katërshes dhe nga ana tjetër nuk është rrezikuar mjaftueshëm për rënien. Megjithatë, rreziku është gjithnjë aty, ndërsa për Kuçin nuk ka histori mbijetese, por vetëm mundësi për të arritur katërshen.
“Sa i përket mbijetesës, nuk e diskutoj, sepse i ka mundësitë për të shkuar përpara dhe jo mbrapa. Klubi ka qenë korrekt në të gjitha aspektet me lojtarët dhe më vjen keq që ende diskutohet pjesa e mbijetesës. Në Superligën shqiptare me një fitore ngjitesh dhe një humbje të zbret poshtë. Me këtë dua të them që ekipi duhet të besojë ende te katërshja, edhe pse kjo javë nuk ishte në favorin e tyre”, vijoi më tej Kuçi.
DINAMO – Këtë fundjavë, Elbasani pret në shtëpi Dinamon, në një ndeshje ku do të kërkohet maksimumi. Verdheblutë vijnë pas tri humbjesh, por për Kuçin ka ardhur koha të fitojë. “Me Dinamon e shoh decizive për kthesën e Elbasanit, sepse pas dy barazimeve pretendohet fitorja në shtëpi. Edhe pse Dinamo është ekip i vështirë, ku e ka mundur tri herë Elbasanin, mendoj se verdheblutë këtë herë do ta tentojnë dhe marrin trepikëshin, pasi i kanë të gjitha mundësitë për këtë gjë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Egert Kuçi, i cili me Elbasanin numëron një titull kampion në sezonin 2005- 2006.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













