Mungojnë dy mbrojtës, Partizani mes dyshimesh për formacionin kundër Skënderbeut
Partizani ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e sotme në orën 17:00 në Korçë kundër Skënderbeut.
Të kuqtë numërojnë shtatë ndeshje radhazi pa fitore, teksa katër të fundit janë mbyllur me humbje. Kjo padyshim ka krijuar një atmosferë jo të mirë në dhomat e zhveshjes dhe trajnerit Abilaliaj përveçse duhet të punojë në aspektin taktik dhe atë të lojës, i duhet edhe të ringrerë skuadrën në aspektin psikologjik dhe t’i kthejë mentalitetin fitues. Skuadra në këtë ndeshje nuk do të ketë në dispozicion dy qendërmbrojtës.
David Domgjoni u ndëshkua me karton të kuq kundër Vllaznisë dhe duhet ta shlyejë për këtë sfidë në Korçë. Nga ana tjetër, Bytyçi nuk është rikuperuar nga dëmtimi muskulor dhe kërkon ende kohë. Pjesa tjetër e skuadrës janë të gjithë të gatshëm, me Abilaliajn, që i duhet të ndërtojë një formacion fitues. Shanset më të mëdha janë që mbrojtja të jetë me tre, me Janjevën në mungesë të Domgjonit dhe Bytyçit. Ndeshjen e shkuar nuk startuan, por as dyshja tjetër në krahë nuk shkëlqyen, kështu që priten edhe Podstrelov e Atanaskoski. Në mesfushë dhe në sulm nuk pritet të ketë ndryshime.
PANORAMASPORT.AL













