Moviola e Flamurtari-Partizani/ Gol “fantazmë” në Vlorë, VAR protagonist (VIDEO)
Takimi i luajtur në Vlorë mes Flamurtarit dhe Partizanit i përfunduar me triumfin e të kuqve me rezultatin 1-2, solli shumë episode të cilat kanë nevojë për moviolë, sidomos në rastin e penalltisë në favor të vendasve e po ashtu edhe në një pretendim të Trashit se topi kaloi vijën fatale pas ekzekutimit të një goditje dënimi.

Gjithçka nisi me golin e kuqezinjve, teksa pati pretendime për një faull të Hjuman, megjithatë arbitri Bastari edhe pas konfirmimit të shkurtër nga salla e VAR nuk ndërhyri duke konfirmuar vendimin e marrë në fushë, ndërsa protesta pati edhe nga Sembene i Partizanit në pjesën e parë. Më poshtë, mund të lexoni të gjitha rastet për moviolë në këtë sfidë të renditura kronologjikisht:
Minuta e 8-të: Flamurtari gjen golin me Maksutin, i cili godet fuqishëm nga distanca duke mposhtur Qirkon. Këtu nuk ka asgjë, por pretendimi i Partizanit lidhet me një faull të mëparshëm ndaj Hjuman në fushë, arbitri Bastari e gjykoi një kontakt të rregullt, teksa edhe VAR pas një kontrolli të shkurtër, konfirmoi vendimin e arbitrit në fushë. (VIDEO)
Minuta e 22-të: Sembene pretendon për penallti pas një dueli ajror në zonën e vendasve. Edhe në këtë rast arbitri Bastari vijon lojën duke e konsideruar një kontakt normal. . (VIDEO)
Minuta e 29-të: Pretendimet për 11-metërsh tashmë kalojnë në kampin e kuqezinjve. Bolzan godet, por Bytyçi bllokon topin. Sulmuesi i Flamurtarit ka pretendime për një top të prekur me dorë, por që nuk ka asgjë. (VIDEO)
Minuta e 41-të: Hjuman pason për Sidibe duke e liruar sulmuesin nga mbulimi i mbrojtësve. Sidibe rrëzohet në zonë pas një kontakti me mbrojtësin Kantakias. Arbitri Bastari vijoi lojën, por VAR ndërhyri dhe ktheu vendimin duke akorduar penallti për Partizanin. Pamjet tregojnë qartësisht kontaktin mes Sidibe dhe Kantakias. (VIDEO)
Minuta e 60-të: Moment tepër i diskutuar. Trashi ekzekuton në perfeksion një goditje dënimi nga e majta. Qirko pret në ekstrem, teksa lojtarët vlonjatë pretendojnë se topi e kishte kaluar vijën fatale. E vështirë për t’u gjykuar, teksa duhet theksuar se për t’u akorduar gol, topi duhet të kalojë i tëri vijën fatale. (VIDEO)
Minuta e 68-të: Ememe rrëzohet në zonë pas një kontakti me Martinez. Arbitri Bastari ndëshkon lojtarin e Flamurtarit me të verdhë për simulim, për Ememen ishte i dyti dhe do të duhej të linte fushën e blertë. Por, VAR ndërhyn dhe kthen vendimin e Bastarit, i cili më pas i heq kartonin e verdhë Ememes dhe akordon penallti për vendasit pas kontaktit me Martinez. (VIDEO)
PANORAMASPORT.AL













