Mister “X” i stolit vlonjat, Idrizi zbulon identikitin. Flamurtari do të ketë trajner të huaj, brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2025 | 23:20

Mister “X” i stolit vlonjat, Idrizi zbulon identikitin. Flamurtari do të ketë trajner të huaj, brazilian

Flamurtari do ta ketë trajnerin e ri në orët në vijim. Administratori Sinan Idrizi, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, thotë se klubi është treguar i kujdesshëm, pasi kërkon një trajner që të njohë mentalitetin vlonjat, të jetë një njeri me grintë dhe të mos jetë vetëm një rrogëtar.

IDRIZI

Idrizi thekson se trajneri i ri nuk do të jetë një njeri që të sjellë vetëm trofe në Vlorë, por edhe të bashkëjetojë me klubin dhe akademinë. “Këtë javë do të mbyllim çështjen e trajnerit të ri. Nesër (sot) ose pasnesër (nesër), do të kemi lajmin për trajnerin. Ne kemi qenë të kujdesshëm, pasi duam një trajner që të ketë mentalitetin e asaj çfarë duan në Vlorë, pra të futbollit vlonjat. Vlora ka një karakteristikë të saj, ka një futboll të saj. Është një futboll që është i qytetit. Duam apo nuk duam ne, jo më kot ne përmendim legjendat e viteve ‘80-‘90… Është një mentalitet që këta kanë sjellë në këtë qytet.

Pra, është një mentalitet shumë i afërt. Jo më kot themi që kemi rrahur Barcelonën. E kemi filluar pikën e trajnerit nga mentaliteti që ka ai. Nuk duam thjesht një trajner që të sjellë dhe merr kupën, por duam një që të bashkëjetojë me klubin. Ky trajner do të jetë i lidhur shumë edhe me akademinë. Do të jetë një trajner që të ketë grintën e tij për të qenë i lidhur me futbollin. Pra, jo vetëm thjesht një rrogëtar, por të ketë një grintë”, shprehet fillimisht Idrizi për “Panorama Sport”.

DO TË JETË I HUAJ – Sinan Idrizi zbulon se trajneri i ri do të jetë i huaj, teksa beson tek eksperienca që trajneri i ri do të ketë. “Besoj se larg rrëmujës së një trajneri të bujshëm dhe me tituj, do të kemi një trajner që është me ‘këmbë në tokë’ dhe që e di çfarë kërkojnë në Vlorë. Unë kam dialoguar në një vizitë që kam qenë jashtë Shqipërisë me dy kandidatë trajnerë. Shpresoj që këto ditë do ta mbyllim. Nuk kam probleme filie, as esterofil, asgjë tjetër. Unë nuk i kam këto probleme. Por një personazh që mund të ketë më shumë përvojë nga ne… Kur themi i huaj, mund të ketë eksperiencë më shumë se ne dhe nuk i ndaj në shqiptar dhe joshqiptar. Por ndoshta ka përvojë dhe kaq. Kjo përvojë e tij dhe ajo çfarë ka dhe çfarë pret, është kjo që më nxit më tepër mua”, përfundon Idrizi.

TRAJNERI I RI – “Panorama Sport” zbulon se Sinan Idrizi do të takohet në orët në vijim me trajnerin e ri. Ai pritet që të zbarkojë në Vlorë ndoshta që sot. Kreu i ri i pankinës vlonjate nuk do të jetë as Xhani De Biazi, Qatip Osmani apo Thomas Brdariç. Janë lakuar shumë emra, por duket se do të rrëzohen të gjithë. Gazeta mëson se trajneri i ri i Flamurtarit mund të jetë një brazilian që jeton aktualisht në Itali dhe që në Vlorë do të vijë me një grek. Mësohet se Sinan Idrizi e ka takuar kreun e ri të pankinës ditët e fundit në Itali. Në klub tregohen shumë hermetik për të mos zbuluar asgjë rreth identitetit të trajnerit të ri, por patjetër që këtë javë do të marrë emërimin.

Sot

Këshilli vendos për kontratën e re

Këshilli Bashkiak i Vlorës do të mblidhet sot për të diskutuar dhe miratuar shtyrjen e kontratës së administrimit të Flamurtarit nga kompanitë turke “TRK GROUP dhe “ATLAS Global”, që përfaqësohen nga Sinan Idrizi. Kontrata e fundit me bashkinë e kompanive turke që skadon në korrik, u shty me një vit, por kërkesa e re e Idrizit është se kontrata që do të miratohet sot nga këshilli, të jetë pa afat, deri në privatizimin e klubit. Mbetet për t‘u parë se si do të jetë sot fryma dhe tendenca e këshilltarëve bashkiakë, përkundrejt kërkesës së administratorit të klubit, nëse do ta shtyjnë pa afat apo do të veprojnë sikundër ka ndodhur deri më tani.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL