Merkato “ngec” në hyrje, Partizani nuk i ka bërë Kërnajës asnjë “dhuratë” për Vitin e Ri
Partizani e nisi sezonin 2025-2026 mes shumë zhgënjimesh teksa vetëm shkarkimi i trajnerit serb Mladen Milinkoviç dhe emërimi i teknikut Oltijon Kërnaja bënë që situata të ndryshonte në kampin e kryeqytetasve.

“Demat e Kuq” nisën të fitonin pozicione në tabelën e klasifikimit me trajnerin Kërnaja që gjithnjë shfaqej me plot besim se skuadra e tij e kishte potencialin për të mbërritur zonën e “Final Four”. Koha i dha të drejtë trajnerit 37-vjeçar, me të kuqtë që tashmë janë në vendin e gjashtë me shtatë pikë diferencë nga Vllaznia e vendit të katërt teksa kur ka mbetur edhe gjysma e kampionatit për t’u zhvilluar, janë të përfshirë në garën për katër vendet e para, një arritje që i mundëson ekipit të garojë deri në momentin e fundit për titullin kampion.
Megjithatë, për ta arritur objektivin, skuadra do të ketë nevojë në pjesën e dytë të sezonit për elementë të rinj të cilët mund të kontribuojnë dhe të rrisin edhe më tepër cilësinë e ekipit për të tentuar mrekullinë në fundin e kampionatit. Trajneri Kërnaja e ka shprehur gjithnjë dëshirën për të afruar lojtarë të rinj në merkaton e janarit, një dëshirë që të paktën për momentin nuk i është plotësuar nga ana e drejtuesve të klubit.
Aktualisht, përtej emrave që mund të qarkullojnë, te Partizani nuk ka asnjë zyrtarizim për sa i takon afrimeve në këtë merkato janari. Drejtuesit kanë menduar më shumë për merkaton në dalje teksa Viktor Da Silva dhe Xhudah Garcia janë tashmë të larguar. Braziliani e mbylli me zhgënjim aventurën e dytë në radhët e “Demave të Kuq” duke u aktivizuar në vetëm pesë ndeshje, ndërsa Garcia regjistroi vetëm 11 paraqitje mes kampionatit dhe Kupave të Europës pavarësisht se mbërriti në kryeqytet nga grekët e AEK-ut të Athinës ku aktivizohej me skuadrën B të grekëve. Kështu, koha në merkato nuk pret më për Partizanin me ndeshjet e radhës që janë vetëm disa ditë larg.
Të kuqtë do të zbresin në fushë më datë dhjetë janar për takimin e Kupës së Shqipërisë ndaj Burrelit e më pas, më datë 15 janar do të luajnë ndaj Vorës, përballje kjo e vlefshme për Abissnet Superiore duke i dhënë start pjesës së dytë së kampionatit. Koha nuk është në favorin e kryeqytetasve duke ditur se afrimet e reja do të kërkojnë kohën e tyre për t’u përshtatur me “Demat e Kuq” dhe futbollin e kërkuar prej trajnerit Kërnaja, i cili në rast se drejtuesit nuk do të mundeshin t’ia përmbushnin dëshirat, do të detyrohej që të “arnonte” formacionin dhe të kthente sytë sërish nga lojtarët e rinj si dhe të shpresonte që dëmtimet të mos e penalizonin organikën e “Demave”.
Nga ana tjetër, skuadrës nuk i falen pikët e humbura pasi i duhet të rifitojë terren dhe të arrijë të prekë zonën e “Final Four”, ndaj duhet ta nisë kampionatin me “gazin” në maksimum. Kjo do të ishte edhe forma e vetme që skuadra e kuqe të përmbushë objektivin e vendosur prej drejtuesve të klubit dhe trajnerit Kërnaja. “Topi” tashmë është në gjysmëfushën e drejtuesve për të bërë lëvizjet në ditët e ardhshme.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













