“Mendoj që Rama nuk ka dijeni, federatat e tjera janë xheloze”, Gjoza: VKM e re, goditje e rëndë për peshëngritjen
Në ditën e fundit të vitit 2025, Feder ta Shqiptare e Peshëngritjes mori një shuplakë të fortë nga Qeveria Shqiptare. Pas shumë vitesh përpjekjesh për zbatimin e rregullores ndërkombëtare të shpërblimeve për medaljet në çdo stil, VKM-ja e re, e miratuar më 31 dhjetor, e riktheu shpërblimin financiar vetëm për dygarëshin.

Një situatë që ka tronditur komunitetin e peshëngritjes në vend, për të cilën ka reaguar edhe presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjoza e komenton kështu ndryshimin ligjor që prek peshëngritjen: “Për mua kjo është një çudi e madhe, kur shikoj një vendim të Këshillit të Ministrave për heqjen e shpërblimeve për çdo medalje në sportin e peshëngritjes, pasi ne kemi luftuar dhe negociuar për shumë vite me ministrinë dhe Qeverinë Shqiptare për miratimin e atij ligji. Një ligj që, brenda pak vitesh, dha rezultate të shkëlqyera në peshëngritje. Brenda pesë vitesh kemi marrë mbi 180 medalje ndërkombëtare, kemi thyer shumë rekorde europiane dhe botërore, kemi ngritur flamurin dhe është kënduar himni në shumë vende të Europës dhe botës. Arritëm të zëvendësonim brezat, gjë që është shumë e vështirë. Nga emra të mëdhenj si Briken Calja, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Romela Begaj e shumë të tjerë, kaluam te sportistë të rinj si Enkileda Carja, Ertjan Kofsha, Antonino Mullisi, Franko Ferra, Maida Lozi dhe shumë të tjerë. Miratimi i atij ligji ishte një nxitje e madhe për peshëngritjen. Mendoj se qeveria shqiptare mori fillimisht vendimin e duhur dhe më vjen çudi që tani e hodhi poshtë. Personalisht besoj se kryeministri i Shqipërisë nuk ka dijeni për këtë, sepse ai është një njeri i sportit dhe na ka mbështetur vazhdimisht”, shprehet kreu i shtangës shqiptare.
Më tej, Gjoza vijon: “Nesër (sot) kam mbledhjen e kryesisë së federatës, bashkë me grupet e interesit, si trajnerët dhe sportistët, të cilët preken drejtpërdrejt nga ky ligj. Do të përgatisim një shkresë dhe një kërkesë drejtuar kryeministrit për rivendosjen e ligjit që ishte në fuqi gjatë këtyre viteve. Kam theksuar vazhdimisht se ishte një nga ligjet më të mira në botë, i cili realisht dha rezultate. Kjo mund të bëhet për arsye xhelozie, por ne nuk jemi më në sistemin komunist; ne shpërblehemi sipas kontributeve.
Jemi një federatë që vetëm në vitin 2025 kemi fituar 60 medalje, nga të cilat 30 të arta. Kemi thyer mbi 15 rekorde, dy prej tyre botërore dhe të tjerat europiane. Marrim medalje në Kampionate Ballkanike dhe kemi rezultate të jashtëzakonshme, të cilat janë fryt i punës së federatës, Komitetit Olimpik dhe Qeverisë Shqiptare. Tani pyes veten: kush i merr këto nisma? Cilët janë ata zyrtarë që duan të dëmtojnë sportin shqiptar dhe, në mënyrë të veçantë, peshëngritjen? Jam dakord që çdo federatë të konkurrojë, të afrohet me peshëngritjen dhe të marrë atë që i takon. Ne bashkëpunojmë me të gjitha federatat e tjera dhe nuk xhelozojmë.
Për shembull, në vitin 2025 federata e mundjes mori një grant më të madh se peshëngritja, por ne nuk u mërzitëm dhe nuk u xhelozuam. Përkundrazi, shtuam përpjekjet dhe realizuam një numër të jashtëzakonshëm medaljesh, më shumë se disa federata së bashku. Dua të them se, përpara se të merret një vendim i tillë, ai duhet diskutuar me grupet e interesit, me njerëzit që preken drejtpërdrejt. Çfarë përfiton ose humbet Shqipëria nga ky vendim? Mendoj se vetë shteti shqiptar dhe kryeministri janë bashkëpërgjegjës për sukseset e peshëngritjes dhe nuk besoj se ky është momenti për të prishur gjithë këtë punë të bukur që kemi ndërtuar së bashku. Jemi përpara një ngjarjeje shumë të madhe, si Olimpiada, dhe përgatitjet i kemi nisur herët, sepse synojmë të kualifikohemi me sportistë dhe jo me ftesa. Synojmë të sjellim medalje me sportistë shqiptarë, pa pasur asnjë paragjykim ndaj sportistëve të huaj që vijnë dhe garojnë për Shqipërinë. Ky ligj i mirë, që ishte ndërtuar me shumë punë, nuk duhet të prishet dhe të dëmtojë sportin shqiptar”, deklaron presidenti i FSHP-së.
XHELOZIA
Gjoza ka folur edhe për xhelozi nga disa federata të tjera sportive ndaj peshëngritjes, si një lloj lobimi kundër shtangës: “Është thjesht xhelozi nga federata të tjera, gjë që nuk më përket mua. Unë kam respekt për çdo federatë dhe i nxis të ecin përpara e të marrin medalje si peshëngritja. Kjo është gara e ndershme. Nuk jemi më si para 30 vitesh. Ai që është më i zoti, ai që ecën përpara dhe prodhon rezultate, duhet të marrë më shumë”. Në fund, drejtuesi i shtangës tregon se si është pritur ndryshimi i VKM-së në komunitetin e peshëngritjes: “Kam pasur një revoltë të jashtëzakonshme nga sportistët elitarë, por edhe nga sportistët e tjerë. Të gjithë pyesin: ‘Çfarë po ndodh? Si është e mundur që u miratua diçka e tillë dhe kush e bëri këtë?’. Të gjithë kërkojnë shpjegime për këtë situatë, e cila nuk ka të bëjë vetëm me peshëngritjen, por me gjithë sportin shqiptar”, përfundon Gjoza.













