Matjanët synojnë trepikëshin ndaj Apolonisë, Hoti: Fitorja ndaj Lushnjës na çliroi, Burreli e mbyll me sukses
Fitorja ndaj Lushnjës, përveç tri pikëve, vlejti edhe për të kaluar ngërçin e fitores që i mungonte Burrelit prej javësh. Fitorja mungonte që prej 1 shkurtit, në transfertë po ndaj Lushnjës. Në tre ndeshjet e zhvilluar këtë edicion ndaj verdhejeshilëve, skuadra e trajnerit Samuel Nikaj ka një bilanc pozitiv, dy fitore dhe një barazim.
Fitorja e fundit pati tjetër peshë, pasi një hap tjetër fals do të ndërlikonte dukshëm rrugën drejt pozicionimit në mesin e renditjes. “Ndeshja ndaj Lushnjës pati dy anët e medaljes. Pjesa e parë u dominuar nga skuadra e Burrelit, ndërsa pjesa e dytë nuk ishte në lartësinë e duhur. Në këtë fraksion të lojës hasëm në vështirësi, por që ja dolëm me sukses. Ndeshje të tilla kanë përgjegjësi, pasi një tjetër hap fals, mund të na kushtonte shtrenjtë në renditjen e skuadrës”, u shpreh për gazetën “Panorama Sport”, mesfushori Robin Hoti, i përzgjedhur nga FSHF si pjesë e formacionit më të mirë të javës. Skuadra nga dita e djeshme ka nisur përgatitjet për ndeshje e radhës, ku sezonin e rregullt e mbyllin në transfertë ndaj Apolonisë.
Një fitore ndaj fierakëve, duke përfituar dhe ndonjë hap fals të krutanëve në transfertë ndaj Lushnjës, do ta rendiste skuadrën e Nikajt në vendin e gjashtë. Pavarësisht se ndeshja e kësaj jave nuk ka peshën e përgjegjësisë, siç ishte ajo e disa ditëve më parë ndaj Lushnjës, 20 vjeçari Hoti tregohet optimist se dhe në ndeshjen e fundit skuadra do të udhëtoj drejt Fierit për rezultat pozitiv. “Kampionatin e mbyllim në Fier dhe ekipi ynë do të udhëtojë për të marrë maksimumin e pikëve. Fitorja e fundit ndaj Lushnjës na ka dhënë shtysë morale për të përballuar me sukses edhe ndeshjen kundër Apolonisë”, mbyll komentin e tij matjani Hoti, i cili dha asistin që i dhuroi golin e fitores në ndeshjen e fundit. Mesfushori ka patur paraqitje konstante në ndeshjen e fundit, duke qenë gjithmonë pjesë e formacionit bazë.
Nderim GOCI- PANORAMASPORT.AL













