Matjanët sfidojnë Laçin, Robin Hoti: Luftojmë si të barabartë, kthesa të nisë kundër kurbinasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2026 | 11:49

Matjanët sfidojnë Laçin, Robin Hoti: Luftojmë si të barabartë, kthesa të nisë kundër kurbinasve

Me seancën stërvitore të zhvilluar ditën e hënë, skuadra matjane ka hyrë zyrtarisht në javën anti-Laç, në prag të një prej përballjeve më interesante të javës së 29-të. Sfida mes dy skuadrave fqinje pritet të jetë jo vetëm e fortë për shkak të rivalitetit gjeografik, por edhe vendimtare për objektivat e tyre në renditje.

hoti

Matjanët renditen në vendin e gjashtë me 33 pikë, vetëm një pikë më shumë se ndjekësit e tyre të drejtpërdrejtë, çka e bën këtë duel edhe më të ndezur dhe të luftuar deri në fund. Në prag të kësaj sfide ka folur për “Panorama Sport” Robin Hoti, autori i golit të vetëm të shënuar nga skuadra e tij në dy përballjet e këtij sezoni ndaj Laçit: “Duke ditur rëndësinë e ndeshjes ndaj Laçit, po përgatitemi maksimalisht për ta përballuar me dinjitet këtë sfidë.

Dihet forca e kundërshtarit, që me meritë ndodhet në ato pozita në renditje, por ne do të hyjmë në fushë për të treguar se kemi forcë për t’u përballur si të barabartë ndaj çdo kundërshtari”. Edhe pse vetëm 20 vjeç, Hoti ka treguar një stabilitet të admirueshëm në radhët e skuadrës që prej bashkimit me ekipin në vitin 2022, duke qenë titullar në 26 ndeshje këtë sezon. Në fund të prononcimit Hoti u shpreh: “Edhe pse mund të kemi pasur ndonjë luhatje, ndeshjet e kaluara tashmë janë kapituj të mbyllur. E gjithë vëmendja jonë është te sfida e kësaj jave ndaj Laçit në transfertë. Mendoj se kampionati do të mbetet i hapur dhe rivaliteti do të vazhdojë deri në javën e fundit”.

Nderim GOCI- PANORAMASPORT.AL