Matjanët qetësohen pas trepikëshit me Lushnjën, Nikaj: Fitore me shumë vlera, Burreli beson te “play off”-i

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2026 | 15:00

Matjanët qetësohen pas trepikëshit me Lushnjën, Nikaj: Fitore me shumë vlera, Burreli beson te “play off”-i

Me fitoren e arritur ndaj Lushnjës, matjanët i bënë një mbyllje pozitive të ndeshjeve në shtëpi para tifozëve të tyre. Ecuria jo shumë e mirë e skuadrës, sidomos gjatë 2026-ës, bëri që përballja ndaj lushnjarëve të merrte rëndësinë e një finaleje.

SAMUEL NIKAJ

Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj ndeshjeje, takimi u ndoq nga një numër i konsiderueshëm tifozësh, të cilët mbështetën Burrelin në një moment vendimtar të sezonit. Pas ndeshjes, trajneri shkodran Samuel Nikaj, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ndeshja ndaj Lushnjës ishte delikate për vetë pozitat që kishim në renditje. Fitorja ishte i vetmi rezultat që na largonte nga zona “play out”. Pas një pjese të parë të dominuar nga skuadra jonë, ku përveç golit të shënuar kishim edhe raste të tjera për shënim, në pjesën e dytë u tërhoqëm dhe rrezikuam të pësonim gol. Por fati dhe forma e mirë e portierit na shpëtuan nga një rezultat i padëshiruar”.

Skuadra ka nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Apolonia Fier, e cila do të luhet në transfertë. Edhe pse kjo përballje ka rëndësinë e saj, trajneri Nikaj ka lënë të kuptohet se mund t’u japë më shumë hapësira lojtarëve që kanë pasur më pak minuta gjatë sezonit. Një fitore në ndeshjen e ardhshme do t’i jepte mundësi skuadrës matjane të renditej mes gjashtë më të mirave të kampionatit dhe të siguronte pjesëmarrjen në “play off”, një objektiv i rëndësishëm për ekipin në këtë fazë. Vlen të theksohet se nga tre fitoret e arritura në transfertë këtë sezon, një prej tyre ka qenë pikërisht ndaj Apolonisë në Fier, çka i jep më shumë besim ekipit për të synuar një tjetër rezultat pozitiv edhe në sfidën e radhës.

Nderim Goci- PANORAMASPORT.AL