Matjanët bien në Laç, katër ndeshje për “play off”-in. Fetaj: Na ndëshkoi një penallti e dyshimtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2026 | 11:46

Matjanët bien në Laç, katër ndeshje për “play off”-in. Fetaj: Na ndëshkoi një penallti e dyshimtë

Me humbjen e pësuar ndaj Laçit me rezultatin 3-1, skuadra matjane ka humbur terren në renditje, duke shkëmbyer vendet me Besën dhe duke zbritur në pozicionin e shtatë me 33 pikë. Pavarësisht mungesave, ekipi i drejtuar nga trajneri Samuel Nikaj zhvilloi një ndeshje të luftuar në transfertën e vështirë të Laçit, duke synuar të paktën një pikë, madje e nisën edhe me golin e Patrik Fetajt.patrik fetajMegjithatë, në fund ishin vendasit ata që morën trepikëshin, duke u afruar ndjeshëm me rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. “Ndeshja ndaj Laçit u zhvillua shumë e fortë dhe e luftuar nga të dyja skuadrat. Duke ditur pretendimet e tyre për ngjitjen në Superiore dhe objektivin tonë për të qenë në gjashtëshen e parë, u mobilizuam maksimalisht. Por në realitet ndodhi e kundërta e asaj që synonim. U ndëshkuam nga një 11-metërsh i dyshimtë dhe një gol aksidental në pjesën e dytë, që sollën humbjen tonë. Nëse e analizojmë në tërësi, me lojën që zhvilluam, meritonim të paktën një pikë”, u shpreh për “Panorama Sport” mbrojtësi i djathtë, Patrik Fetaj, autor i golit të vetëm për matjanët në këtë sfidë dhe i dyti personal për këtë sezon. Në vijim të kampionatit, kalendari nuk premton aspak lehtësi për matjanët.

Këtë javë ata presin Skënderbeun në stadiumin “Liri Ballabani”, ndërsa më pas i pret transferta ndaj Luftëtarit, një skuadër e zhytur në “ethet” e mbijetesës pas humbjes së fundit. “Çdo ndeshje do të jetë një finale për ne, duke nisur që këtë javë ndaj Skënderbeut në fushën tonë. Janë katër beteja që kërkojnë përqendrim maksimal për të marrë rezultate pozitive. Çdo kundërshtar ka objektivat e veta, por ne do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin e pikëve. Është e vetmja mënyrë për të qenë pjesë e gjashtëshes së parë, që mbetet objektivi ynë kryesor”, përfundoi Fetaj. Lezhjani, i cili është pjesë e skuadrës matjane prej dy sezonesh, mbetet optimist se ekipi do të reagojë në momentin më vendimtar të kampionatit.

Nderim GOCI-PANORAMASPORT.AL