Mario Dajsinani firmos 4 vite me Skënderbeun, korçarët marrin “hak” për Bonifejsin
Portieri i talentuar 18-vjeçar Mario Dajsinani, sipas “Supersport”, ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me klubin e Skënderbeut. Deri më tani ai ka qenë pjesë e Partizanit, por të kuqtë nuk i kanë ofruar një kontratë të re, duke bërë që portieri të cilin e konsideronin si pasardhës të Alban Hoxhës, të largohet drejt një ekipi rival.

Kjo mund të konsiderohet si një “hakmarrje” e korçarëve ndaj “demave” duke qenë se në merkaton e janarit këta të fundit “rrëmbyen” në merkato sulmuesin Methju Bonifejs, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të luajtur me kampionët në fuqi të asaj kohe.
Skënderbeu është në kërkim të një portieri që do të pasojë Orges Shehin, i cili me shumë mundësi është në vitin e fundit të karrierës së tij si futbollist. Korçarët kanë në organikën e tyre edhe Aldo Teqjan, dhe ky i fundit bashkë me Dajsinanin duket se do të mundohen gjatë këtij viti të bindin drejtuesit që meritojnë të jenë zëvendësuesit e kapitenit.

Nga ana tjetër, nuk kuptohet ende pse Partizani e la të largohej një talent si Dajsinani, por largimin e tij ata e kanë pritur duke qenë se gjatë kësaj merkatoje afruan në skuadër një tjetër portier, Fabio Gjonikajn.













