Mala rikthehet mesfushë, Qato e Dros rrisin konkurrencën/ Martini me luksin e zgjedhjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2025 | 21:44

Mala rikthehet mesfushë, Qato e Dros rrisin konkurrencën/ Martini me luksin e zgjedhjes

Rikthimi i të gjithë të dëmtuarve te Vllaznia ka bërë që skuadra të jetë e plotësuar dhe opsionet për të zgjedhur të jenë më të shumta për trajnerin Edi Martini. Kështu shkodranët kanë një “bollëk” futbollistësh te të cilët mund të besosh në çdo moment dhe reparti që duket se “garanton” gjithmonë është ai i mesfushës.

Esat Mala

Me kalimin e dëmtimit nga ana e Qatos dhe Dros, konkurrenca për një vend titullari shtohet në radhët e kuqebluve. Pasi dyshja e sipër përmendur patjetër kanë ambicie personale për të qenë protagonistë me fanellën e shkodranëve. Por, edhe kthimi i Bismark në sulm bën që në mesfushë të “zbresë” edhe Esat Mala, i cili në javët e fundit ka qenë partneri i Balajt në sulmin e skuadrës.

Teksa përveç titullarëve të zakonshëm si Krymi, Kallaku dhe Murataj, minuta në mesfushë ka pasur edhe për Salën e Tafilin. Me të parin i cili po ashtu është shfaqur edhe si titullar e duke bindur me performancat e tij në fushën e lojës. Edhe këtë javë ndaj Partizanit në varësi të asaj çfarë do të aplikojë Martini dhe formës fizike të futbollistëve, mund të ketë ndryshime në këtë repart. Kjo pasi Kallaku dhe Murataj nuk gëzojnë 100% të formës së tyre dhe mund të jetë në pikëpyetje aktivizimi i tyre që nga minuta e parë në duelin ndaj “demave”.

Teksa më e komplikuar duket gjendja për ish-mesfushorin e Teutës ndërsa Murataj po arrin ritmin e skuadrës pas kthimit nga dëmtimi i para disa javëve. Megjithatë mundësitë dhe opsionet janë të shumta në mesfushën e kuqebluve, me trajnerin Martini që duket më se i qetë në prag të takimit të javës së 12-të kundër Partizanit.

PANORAMASPORT.AL