“Lushaj, xhevahir që duhet mbështetur”, Rustemi: Ju tregoj problemet e Flamurtarit
Arlind Rustemi men don se Flamurtari ka probleme me mbrojtjen. Ish trajneri vlonjat për “Panorama Sport” shprehet lojtarët duhet që të sakrifikojnë, të ndiejnë fanellën dhe ta dinë se ku kanë ardhur. Rustemi thekson se ata bëjnë gabime individuale. “Flamurtari ka probleme në repartin e mbrojtjes. Ka probleme në mënyrën se si tre lojtarët e qendrës vendosen siç duhet. Disa herë kanë bërë gabime individuale dhe ndoshta nuk e ndiejnë sa duhet peshën dhe rëndësinë e vlerës së fanellës së Flamurtarit. Nuk e ndiejnë atë që Vlora ka pritur dhe ata të vinin e të sakrifikonin dhe të bënim më të mirën e tyre për rezultate pozitive.

Flamurtari ka probleme në identitet, nuk ka kohezion. Kanë ndërtuar një skuadër me një buxhet të mirë, me një investim të mirë, por gjatë gjithë kampionatit nuk pati kohezion. Nuk pati një grup që të ishte bashkë në mënyrë organike. Ka momente që skuadra zgjate apo prish ekuilibrat taktikë. Por Flamurtarit kjo i ndodh në momentet kyçe. Nuk ndodh që të jesh duke fituat ndeshjen 1-0 dhe skuadra të kapet më pas e hapur dhe kjo ka ndodhur disa herë”, shprehet fillimisht Rustemi.
LOJA DHE VAZHDIMËSIA – Ish-trajneri dhe ish futbollisti i Flamurtarit, thekson se e shikon të vështirë situatën e kuqezinjve, ndërsa thotë se në klub nuk mësojnë nga gabimet, por i përsëritin ato. “Edhe të duam ne të luajmë një lojë të mirë tani është disi e vështirë. Çdo gjë fillon edhe vështirësohet. Vjen nga rezultate negative dhe t’i nëpërmjet dy-tre strategjie duhet të vesh tek rezultati. Sepse kur vete tek rezultati me lojë të bukur do ta pësosh. Në 12 javë Flamurtari ka marrë më pak pikë se të gjitha skuadrat që ka konkurrente.
Trajneri nuk mund të ndryshojë shumë në aspektin fizik, por duhet të gjejë elementë e duhur që të kenë kohezionin për maksimumin në fushë. Duhet që të punojë në dhomat e zhveshjes për anën psikologjike. Unë kam 6-7 vjet që jam shkëputur nga Flamurtari. Problemi kryesor ka qenë që ne nuk kemi pyetur: pse? Nuk duhet të përsërisim të njëjtat gabime. Ne çdo vit kemi pësuar të njëjtat gabime, dështimi është i mirë se ti mëson, por ne nuk kemi marrë mësimet e duhura nga dështimet që kemi bërë në vitet e kaluara”, thekson Rustemi.
TALENTI LUSHAJ – Arlind Rustemi zbulon edhe interesimin e Lokomotivës së Zagrebit për talentin Hetem Lushaj. Madje bashkë me Lushajn ka qëndruar atje për dy javë. “Rasti i Lushajt është i veçantë me talentet që ka pasur Flamurtari. Lushaj nuk është evidentuar sot si futbollist i talentuar. Unë Lushajn e kam pasur në moshën 11- vjeçare dhe e kam afruar tek Akademia e Flamurtarit, duke luajtur futboll në Plazh të Vjetër. Ai e ka treguar që ishte një talent që në një të ardhme nëse gjithçka do të shkonte mirë, kishte për të treguar shumë. Para një viti Lushajn e kam pasur përsëri në skuadër. Ka bërë një sezon me mua me moshat U-19. Në behar Lushaj ka qenë me mua te Lokomotiva e Zagrebit.
Kemi qenë dy javë atje. Për arsye të moshës, pasi ende nuk kishte mbushur 18 vjeç, ai në janar do të shkonte te Lokomotiva. Kaloi testet dhe provat me shumë sukses, madje ata të klubit më thanë që si ka mundësi që një element i tillë nuk është në kontratë. Sepse ata kur premton dhe mbush 16 vjeç firmosin kontratën. Nuk pranojnë që të largojnë një lojtar që është “xhevahir”. Fati Lushajt që sot vendosi dhe firmosi me Flamurtarin.
Por për mua ai djali në momentin që futet në fushë, mënyra se si e prek topin e dallojnë të gjithë. Nuk arrij që të kuptoj se përse këtij djali nuk i japin më tepër mundësi për të luajtur. Të themi sot që është ende i vogël…Bylisi sot luan me titullarë dhe ka katër 18- vjeçarë. Dëgjoja dhe trajnerin që kur fliste thoshte po luajmë me një djalosh. Çfarë do të thotë kjo? Domethënë që ti të justifikohesh që ai është ende i vogël dhe nuk po të jep rezultatin e duhur. Ti ku ta gjesh që në futbollin shqiptar të kesh një element të tillë. Duhet ti japësh mbështetjen maksimale pasi këta numërohen me gishta sot në kampionatin shqiptar”, përfundon Rustemi.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













