Lleshaj: Duam ndryshime, si dhe një Burrel më ambicioz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2026 | 17:25

Lleshaj: Duam ndryshime, si dhe një Burrel më ambicioz

Burreli ishte pjesë e inspektimit zyrtar të zhvilluar në stadiumin “Liri Ballabani”, në kuadër të vlerësimit të infrastrukturës sportive për sezonin 2026-2027 të Kategorisë së Parë, si dhe për implementimin e kërkesave të transmetimit televiziv dhe sistemit VAR.lleshaj-burreliNë këtë inspektim morën pjesë përfaqësuesit e FSHF-së, Eduard Gjini, menaxher i licencimit, dhe Dritan Kadia, ekspert i infrastrukturës pranë Komisionit të Licencimit. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të Bashkisë Mat, administratori i klubit, Marjan Lleshaj, si dhe drejtori sportiv, Klevis Gjoka. Gjatë inspektimit u vlerësuan kushtet infrastrukturore të stadiumit, duke përfshirë fushën e lojës, ambientet funksionale, sistemet elektrike, zonat e transmetimit televiziv dhe mundësinë për implementimin e sistemit VAR. Klubi i Burrelit mbetet i angazhuar për përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës sportive dhe për plotësimin e standardeve të kërkuara për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare në Kategorinë e Parë.

ADMINISTRATORI LLESHAJ Pas inspektimit, administratori i klubit, Marjan Lleshaj, foli për “Panorama Sport”, duke zbuluar situatën aktuale dhe pritshmëritë e klubit matjan për sezonin e ri. “Po presim disa ndryshime në ambiente dhe shpresojmë të kemi një bashkëpunim me FSHF-në, Bashkinë Mat, por edhe me një grup donatorësh, në mënyrë që të realizojmë disa përmirësime këtë sezon. Jemi të vetëdijshëm se për të synuar një kategori më lart duhen ndryshime të rëndësishme, ndërkohë që ne jemi një bashki e vogël dhe me financa të kufizuara. Shpresojmë të gjejmë një rrugë të përbashkët me FSHF-në, sepse sporti kërkon financa dhe mbështetje. Uroj që këtë vit të bëjmë diçka ndryshe. Interesi i disa investitorëve për privatizimin e klubit na jep më shumë optimizëm dhe shtysë për një sezon me më shumë ambicie”, u shpreh Marjan Lleshaj.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL