Lideri i mbrojtjes është “OK”, Partizani përgatit më i qetë derbin e së dielës
Partizani nuk ka kohë për të pushuar pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë kundër Laçit. Pas barazimit të së mërkurës, dje skuadra ka nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen derbi kundër Tiranës. Partizani është në një ngërç më së shumti sa i përket lojës sulmuese.

Kundër Dinamos dhe Laçit skuadra ka qenë shumë e butë dhe jo logjike në mënyrën sesi shkon në sulm. Nuk ka rrugëdalje, as lojtarë që hyjnë mes linjave, nuk ka driblues të mirë dhe finalizues gjakftohtë. Me siguri me këtë çështje do të merret edhe trajneri Veselinoviç gjatë kësaj jave, ku edhe do të duhet të bëjë disa zgjedhje për rreshtimin, veçanërisht në mesfushë dhe sulm, ku ende askush s’ka bindur. I vetmi i sigurt duket të jetë Bintsuka, që edhe kur skuadra nuk funksionon mirë, arrin të tregohet i rrezikshëm.
DËMTIMET – Sa i përket lojtarëve të dëmtuar, Eleke mbetet jashtë dhe debutimi me fanellën e kuqe duhet të presë ende. Kote është stërvitur disa ditë me skuadrën në kapacitet maksimal dhe mund ta nisë ndeshjen nga stoli. Shqetësim në ndeshjen kundër Laçit pati Marçelino Preka. Shkodrani pësoi një goditje me top, që fatmirësisht ka rezultuar vetëm diçka e momentit.
Preka ka qenë në stërvitje dje dhe është tërësisht gati për këtë sfidë. Në dyshim mbetet Atanaskoski, i cili është kthyer me një dëmtim në pjesën e fytyrës dhe duket e vështirë të jetë në gjendje në këtë sfidë. Derbi vjen pas vetëm tri ditësh nga ndeshja me Laçin, në një kohë kur Tirana ka pasur më shumë pushime.
PANORAMASPORT.AL













