Lëvizje në klubin e rënë në Kategorinë e Parë/ Një mesfushor shkon në Moldavi, kush pritet të marrë drejtimin e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2026 | 16:00

Lëvizje në klubin e rënë në Kategorinë e Parë/ Një mesfushor shkon në Moldavi, kush pritet të marrë drejtimin e skuadrës

Bylisi ka nisur të lëvizë në këtë merkato vere, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij si një nga klubet më të suksesshme shqiptare në zhvillimin dhe promovimin e talenteve.

bylis

Pas largimit të Robert Muriç te Floriana në Maltë, pas përfundimit të kontratës me Bylisin, një tjetër futbollist i rëndësishëm i jep lamtumirën klubit. Bëhet fjalë për mesfushorin ofensiv Arli Përgjoni, i cili, sipas klubit, do të transferohet në Moldavi te Sherif Tiraspol. 23-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Bylisit në dy sezonet e fundit, duke fituar edhe një ftesë në Kombëtaren A.

Për Përgjonin kishte interes dhe oferta konkrete që verën e kaluar nga klube të njohura brenda dhe jashtë vendit, por atëherë lojtari dhe klubi vendosën të vazhdonin bashkë për shkak të objektivave sportive të ekipit. Tashmë, mesfushori hedh një hap të rëndësishëm në karrierë, me synimin për të konsoliduar pozitat e tij në arenën ndërkombëtare dhe për t’u bërë pjesë e rregullt e Kombëtares shqiptare. Largimi i Përgjonit pritet të krijojë më shumë hapësira për lojtarët e rinj të ekipit B dhe të Akademisë, ku klubi vazhdon të investojë me seriozitet.

Ndërkohë, zhvillime ka edhe në strukturat drejtuese. Ergys Luga pritet të bëhet pjesë e Bylisit në sezonin e ri. Edhe pse ende nuk ka një zyrtarizim, ish-trajneri i ekipeve si Kamza dhe Erzeni, si dhe pjesë e stafit të Partizanit gjatë sezonit të fundit, është shumë pranë marrjes së një posti drejtues në klubin mallakastriot. 37-vjeçari pritet të angazhohet si drejtor sportiv, duke pasur një rol të rëndësishëm jo vetëm në ndërtimin e skuadrës, por edhe në zhvillimin e Akademisë dhe talenteve të klubit. Nga ana tjetër, Bylisi ende nuk ka marrë një vendim për trajnerin e skuadrës së parë, ndërsa sezoni i ardhshëm pritet të sjellë ambicie të mëdha edhe për ekipin B dhe formacionin U-19. Pas shitjes së Përgjonit, nuk përjashtohet mundësia që edhe futbollistë të tjerë të largohen në drejtim të klubeve jashtë vendit apo të Superiores, duke bërë që vera në Ballsh të jetë mjaft e nxehtë në aspektin e merkatos.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL