Lajm i mirë për trajnerin Bano! Hapet rruga për Korçë, bien pengesat e Lushnjës për pikë ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2026 | 12:50

Lajm i mirë për trajnerin Bano! Hapet rruga për Korçë, bien pengesat e Lushnjës për pikë ndaj Skënderbeut

Pas 11 ditësh kaosi në akset rrugore dhe izolimit të juglindjes së Shqipërisë, qarkullimi i automjeteve është rikthyer dje përmes një aksi të përkohshëm, duke i dhënë fund një situate që kishte krijuar vështirësi për lëvizjen në vend. Në orën 11:38 u rihap zyrtarisht qarkullimi në segmentin e prekur në zonën e Dragostunjës, në rrugën Librazhd–Prrenjas.

skenderbeu lushnja

Ky segment, pjesë e aksit kombëtar, ishte bërë i pakalueshëm pas dëmtimeve në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”. Rihapja rikthen normalitetin në një nga arteriet më të rëndësishme që lidh Tiranën me juglindjen dhe me shtetet fqinje, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun. Ky zhvillim ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe te aktivitetet sportive, veçanërisht futbolli. Shqetësimin e kishte ngritur pak ditë më parë trajneri i Lushnjës, Artan Bano, duke qenë se verdhejeshilët sipas kalendarit duhet të luajnë të shtunën në Korçë ndaj Skënderbeut për javën e 25-të të Kategorisë së Parë. Bano madje kishte shpresuar në një shtyrje të ndeshjes për të shmangur peripecitë e një udhëtimi alternativ.

“Luajmë jashtë shtetit (në Korçë) javën tjetër. Ka edhe një problem tjetër, sepse kemi ndeshje të shtunë–të mërkurë–të shtunë. Ky është problem i kalendarit. Shkojmë në Korçë, presim Luftëtarin, shkojmë në Kukës. Kohëzgjatja nga ndeshja në ndeshje është shumë e shkurtër. Të bësh atë rrugën nga Memaliaj, Tepelenë, Përmet, Leskovik… tani vetëm për ekskursion shkon, jo për ndeshje. Shpresojmë te shtyrja”, deklaroi Bano. Tashmë duket se ky shqetësim nuk ekziston më. Me rikthimin e qarkullimit, lushnjarët duhet të fokusohen plotësisht te përgatitjet në fushë, me synimin që skuadra të reagojë dhe të marrë pikë në transfertën e vështirë të Korçës. Në fazën e dytë, Lushnja bëri një paraqitje mbresëlënëse në këtë transfertë, ku Skënderbeu arriti ta siguronte fitoren 4-3 vetëm falë golit të Nasr në minutën e 9-të shtesë. Kjo e bën edhe më intriguese përballjen e radhës, me verdhejeshilët që synojnë të mos dalin duarbosh nga Korça.

1 pikë e ndal Lushnjën nga vendi i 11-të në renditje, pozicion i cili në fund të kampionatit të zbret në Kategorinë e Dytë.

PANORAMASPORT.AL