Laçi-Bylisi, premio 90 milionë lekë për të hyrë në histori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2013 | 11:42

Laçi-Bylisi, premio 90 milionë lekë për të hyrë në histori

FINALJA-E-KUPES-KRYESORE me dateSonte në orën 20:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në prani të një numri rekord spektatorësh, që kanë ditë të tëra organizim për këtë ndeshje, do të luhet finalja e Kupës së 61-të të Shqipërisë. Në “mejdan” janë dy skuadra rrethesh, që nuk e kanë shijuar kurrë më parë një “stacion” të tillë në kompeticionet kombëtare, qoftë kampionat apo kupë. Bylisi dhe Laçi sfidojnë njëri-tjetrin për të rrëmbyer trofeun, që veç arritjeve historike dhe monetare, do të vlente edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Kujtojmë se klubi që fiton Kupën e Shqipërisë do të përfitojë 200 milionë lekë. Në këto të ardhura përfshihet jo vetëm shpërblimi që jep FSHF-ja, por veçanërisht paratë nga pjesëmarrja në Ligën e Europës. Fituesja e kupës merr pjesë në turin e parë paraeliminator të këtij kompeticioni dhe vetëm për këtë fakt, përfiton nga UEFA 100 mijë euro shpërblim. Nga ana tjetër, institucioni i futbollit shqiptar jep një shumë prej 50 milionë lekësh për ekipin që merr trofeun e kupës. Në total, një mes Laçit dhe Bylisit do të përfitojë pas finales së sotme 200 milionë lekë të vjetër, pa përfshirë këtu të ardhurat që mund të ketë nga e drejta televizive. Ndërkohë, nëse kalohet turi i parë paraeliminator në Ligën e Europës, atëherë përfitimi dyfishohet. Në bazë të shpërblimeve që jep UEFA, ekipet që kalojnë këtë tur marrin 200 mijë euro. Laçi dhe Bylisi kanë shansin që jo vetëm të bëjnë për vete trofeun e parë të rëndësishëm në historinë e tyre, por të mbushin edhe arkat e klubit. Pjesëmarrja në Kupat e Europës është synimi kryesor i ekipeve elitare të Shqipërisë, pikërisht prej të ardhurave.

Laci formacioniBylis formacioniLaçi dhe Bylisi, ja e kaluara në Europë
Laçi ka luajtur vetëm një herë në Kupat e Europës në 2010-ën në Ligën e Europës. Pas një sezoni 2009-2010 mjaft të mirë, ku u rendit i katërti në Superiore, Laçi u kualifikua, për faktin se kupa u fitua nga Besa, e cila u rendit në vend të dytë në kampionat. Kurbinasit luajtën ndaj bjellorusëve të Dnepr Mogilev, teksa barazuan 1-1 dhe humbën 7-1 në takimin e kthimit. Ndërkohë Bylisi ka marrë pjesë dy herë në Kupat e Europës, teksa më 1999 ka qenë në Kupën UEFA, kur ka luajtur përballë Interit të Bratislavës (1-3 dhe 0-2). Të njëjtën gjë ka përsëritur dhe më 2001-shin, teksa në Kupën Intertoto ka luajtur përballë rumunëve të Universitatea Krajovës, ku u eliminua pas barazimit 3-3 dhe humbjes 0-1.
Klubet e mëdha dështuan që në çerekfinale  Edicioni i 61-të i Kupës së Shqipërisë rezervoi shumë surpriza, madje që përpara turit çerekfinal. Klubet legjendë të futbollit shqiptar, duke filluar nga Tirana dhe për të vijuar me Vllazninë, mbetën jashtë fazës së grupeve, pasi u eliminuan nga Kukësi dhe Shkumbini. Ndërkohë, edhe klubet me traditë dhe që kanë fituar nga tri herë secila Kupën e Shqipërisë, si Teuta dhe Flamurtari, e ndalën hapin që në turin çerekfinal. Gjithashtu, skuadra si Partizani, që është rekordmene në kupë me 15 trofe të fituar (po kaq sa Tirana), u eliminua që në turin e parë, pikërisht në përballjen që pati me bardheblutë. Edhe ecuria e Dinamos që ka fituar 13 herë kupën, ishte tejet zhgënjyese. I veçantë gjatë këtij edicioni ishte edhe fakti që katër klubet gjysmëfinaliste nuk e kishin fituar asnjëherë kupën. Sot, Laçi dhe Bylisi do ta bëjnë sefte, teksa në fund një prej tyre do të ngrejë trofeun.
Të ardhurat, Kupa vlen 200 milionë lekë Klubi, i cili fiton sot Kupën e Shqipërisë, do të përfitojë 200 milionë lekë. Të ardhurat e skuadrës që merr trofeun e dytë për nga rëndësia, ka të ardhura jo vetëm nga shpërblimi që jep FSHF-ja, por veçanërisht nga pjesëmarrja në Ligën e Europës. Fituesja e kupës merr pjesë në turin e parë paraeliminator të këtij kompeticioni dhe vetëm për këtë fakt, përfiton nga UEFA 100 mijë euro shpërblim. Nga ana tjetër, institucioni i futbollit shqiptar jep një shumë prej 50 milionë lekësh për ekipin që merr trofeun e kupës. Në total, një mes Laçit dhe Bylisit do të përfitojë pas finales së sotme 200 milionë lekë të vjetër, pa përfshirë këtu të ardhurat që mund të ketë nga e drejta televizive. Ndërkohë, nëse kalohet turi i parë paraeliminator në Ligën e Europës, atëherë përfitimi dyfishohet. Në bazë të shpërblimeve që jep UEFA, ekipet që kalojnë këtë tur marrin 200 mijë euro. Laçi dhe Bylisi kanë shansin që jo vetëm të bëjnë për vete trofeun e parë të rëndësishëm në historinë e tyre, por të mbushin edhe arkat e klubit. Pjesëmarrja në Kupat e Europës është synimi kryesor i ekipeve elitare të Shqipërisë, pikërisht prej të ardhurave.
Gjykimi, treshe shqiptarësh për finalen Nuk do të ketë arbitra të huaj për finalen e Kupës së Shqipërisë. Edhe pse presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, pat bërë kërkesë në Federatën Shqiptare të Futbollit për arbitra të huaj, kjo gjë nuk u plotësua. Ose më mirë, nuk u pranua më pas nga ky i fundit. Kapllanaj kërkoi arbitra nga vende të Europës Perëndimore, ndërsa FSHF-ja i ofroi një treshe nga Bosnja. Sakaq, sot pak orë para takimit, është programuar që të hidhet short për treshen e arbitrave shqiptarë që do gjykojnë këtë finale. Në short do të jenë vetëm emrat e Lorenc Jeminit, Bardhyl Pashajt dhe Enea Jorgjit, të vetmit që kanë stemën e FIFA-s nga gjyqtarët shqiptarë.

Nica-300x199“Bylisit ia di pikat e dobëta, trofeu yni”
Trajneri i Laçit, Stavri Nica, sheh një ndeshje të ekuilibruar, e cila do vendoset vetëm nga momente të vogla, ku skuadrat mund të gabojnë. Ai thekson se e ka përgatitur më së miri këtë finale, ashtu sikundër ka vërejtur me kujdes si anët pozitive dhe ato negative të kundërshtarit. Sakaq, Nica beson se kupa do të shkojë në Laç.
Si është gjendja e skuadrës suaj në prag të kësaj ndeshjeje historike?
Kemi punuar të qetë gjatë kësaj periudhe dhe besoj se tashmë jemi gati për sfidën me Bylisin, ku normalisht do të tentohet fitorja nga ana jonë. Shoh që grupi është i qetë e ka besim, ashtu sikurse edhe tifozët tanë kanë besim te ne, çka është shumë e rëndësishme për mua e sigurisht më qetëson disi. Dëshira tek të gjithë është shumë e madhe për të fituar, ndërsa do tentojmë deri në fund ta bëjmë diçka të tillë.
Por ka edhe emocione?
Sigurisht që ka emocione, por që asnjë nuk i shfaq lehtësisht. Grupi i lojtarëve është i bashkuar dhe ato emocione ata i përballojnë së bashku. Por janë emocione pozitive, që ndikojnë në rritjen e dëshirës për të fituar, ndaj unë e shoh si më se normale të ketë emocione.
Luhet një finale dhe ato janë tek të gjithë të pranishme. Cili do të jetë çelësi që do përcaktojë fituesin e kësaj ndeshjeje?
Përqendrimi do jetë ajo çka do vendosë fituesin. Nuk duhet në asnjë moment që të humbasim përqendrimin, përndryshe mund ta pësojmë, ashtu siç mund t’i ndodhë kundërshtarit e njëjta gjë. Çdo moment duhet vlerësuar në maksimum, ndërsa ne duhet të mundohemi të shfrytëzojmë çdo rast të krijuar për të shkuar te fitorja.
Shihni ndonjë pikë të fortë apo të dobët te kundërshtari?
Si ne ashtu edhe ata kanë pikat e forta dhe të dobëta. Ballshiotët kanë një sulm të shpejtë, i cili duhet marrë në konsideratë, pasi në përbërje të tyre ka mjaft lojtarë me eksperiencë dhe që vrapojnë shumë. Gjithashtu kanë edhe pikat e tyre të dobëta, që ne i kemi biseduar të gjithë së bashku, ndërsa gjatë seancave stërvitore jemi munduar ta përgatitim ndeshjen për t’u bërë ballë cilësive të kundërshtarit, për t’i goditur aty ku mendojmë se është e mundur.
Sa janë shanset që ju ose Bylisi ta fitoni këtë takim?
Unë i shoh shanset e barabarta për të dyja skuadrat. Sigurisht dëshira është që të dalim ne fitimtarë, por jemi me këmbë në tokë dhe e vlerësojmë kundërshtarin, pasi ka vlera. Të dy ekipet do të japin maksimumin për të gëzuar tifozët e shumtë që do të jenë në stadium, që do festojnë edhe trofeun e parë të rëndësishëm në historinë e klubeve respektive. Uroj që në fund të fitojë futbolli.

Laska, 40 mln lekë premio
Plot 40 milionë lekë të vjetër u ka premtuar kreu i kurbinasve, Pashk Laska, lojtarëve të tij në rast fitoreje të Kupës së Shqipërisë. Mendohet që të ketë edhe premio të tjera na rast fitoreje, si nga ana e sponsorit Ervis Martini të kompanisë së basteve “Baste Live”, ashtu edhe nga biznesmenë të tjerë sportdashës të klubit kurbinas. Kjo shumë natyrisht është vënë me qëllim që lojtarët të jenë më të motivuar për të bërë më të mirën në fushën e lojës në takimin e mbrëmjes së sotme, pavarësisht se thuajse të gjithë janë koshientë për rëndësinë që ka kjo ndeshje, jo vetëm për klubin, por edhe për tifozët e kësaj skuadre.

Kurbinasit përgatiten edhe për penallti
Ndryshon plani te kurbinasit sa i takon seancës së fundit stërvitore, që ishte menduar të zhvillohej në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa” për t’u përshtatur me fushën para ndeshjes me Bylisin. Ata janë stërvitur sërish në një nga fushat stërvitore në resortin “Tropikal”, ku janë grumbulluar, duke nisur nga ora 20:00 që është edhe orari i ndeshjes së nesërme. Seanca stërvitore është karakterizuar nga ushtrime të lehta tekniko-taktike, si dhe është vijuar t’u jepet rëndësi goditjeve standarde e sigurisht edhe atyre nga pika e bardhë, duke marrë parasysh edhe barazimin në këtë takim, në mënyrë që të jenë të përgatitur për të gjitha skenarët e mundshme.

Laçi, 10 autobusë falas për tifozët
Atmosfera në qytetin e Laçit duket tejet e ndezur, teksa janë shpërndarë një numër i konsiderueshëm bluzash bardhezi dhe do të vijohet të ndahen edhe nesër nëpër autobusët e vendosur për të udhëtuar drejt Tiranës. Siç është bërë e ditur, Bashkia e Laçit ka vendosur në dispozicion të sportdashësve 5 autobusë dhe 500 bileta, ndërsa 8 autobusë të tjerë janë vendosur nga ana e Alfred Daçit, kandidat për deputet për PDK dhe sportdashës i ekipit të Laçit. Gjithashtu ai ka vendosur në dispozicion të tifozëve edhe 500 bileta falas. Për të gjithë ata që udhëtojnë me autobusë, krahas biletës, do të marrin edhe nga një bluzë bardhezi këto të sponsorizuara nga ana e presidentit Laska.

Reagimet e kurbinasve
Zefi – Mesfushori është i bindur se kupa do të shkojë në Laç. “Shanset sipas meje janë 70 me 30 për qind për Laçin. Jemi përgatitur më së miri, ndaj besojmë se nuk do të zhgënjejmë në këtë finale historike për klubin tonë”.
Nimani – Shkodrani shpreson që të jetë deciziv në këtë finale. “Kam kaluar një sezon të vështirë në Laç, pasi më duhej të lëvizja çdo ditë për stërvitjet, por më vjen mirë që e kam ndihmuar ekipin për të ardhur deri në finale. Nëse do të shënoja, atëherë do ishte e mrekullueshme”.
Buljan – Mbrojtësi kroat vlerëson kundërshtarin, por beson te triumfi. “Laçi nga sa kam mësuar nuk ka qenë asnjëherë në finale, ndaj ne nuk duhet ta humbim këtë rast. Bylisi është një skuadër e fortë, por ne i kemi të gjitha mundësitë për të fituar”.
VLADIMIR PRENGA


Kapllanaj BesnikKapllanaj, 50 mln lekë për kupën

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, nuk kursehet për të fituar trofeun e parë në historinë e skuadrës mallakastriote. Ai ka pohuar se do të japë 50 milionë lekë, nëse skuadra e tij fiton sonte në “Qemal Stafa” ndaj Laçit. Sakaq, ka kërkuar një arbitrim sa më korrekt nga treshja shqiptare e FIFA-s.
Homologu juaj Laska ka deklaruar se ka barë gati një kupë kineze për Bylisin, pasi trofeun e vërtetë e fiton Laçi…
Atë kupën kineze ju siguroj juve, por më shumë Laskën, se nuk ka shanse të ma japë ai, por ndoshta dikush tjetër.
Për çfarë e keni fjalën?
Për ndonjë skenar negativ ndaj nesh, por që realisht nuk e marr fare për bazë, pasi jam i bindur se kam një skuadër të fortë, e cila mund ta fitojë këtë trofe, tejet të rëndësishëm për ne. Puna e Laskës është si ai njeriu, që ecën natën në varreza dhe vërshëllen se ka frikë.
Çfarë skenari i druheni?
Më shumë arbitrimit. Siç e dini unë pata kërkuar një treshe arbitrash të huaj e perëndimorë, ndërsa isha i gatshëm t’i paguaja edhe i vetëm paratë, por federata nuk e plotësoi këtë kërkesë. Ua kam shpjeguar se nuk është se nuk kam besim tek arbitrat shqiptarë, por nuk do të doja që as unë dhe as Laska në fund të kësaj finaleje të shfrynim ndaj arbitrave. Në këtë kontekst, uroj me shpirt që arbitrimi në këtë ndeshje të jetë në lartësinë e duhur. Nuk kërkoj absolutisht asnjë favor, por nuk dua as nga ana tjetër që të favorizohet kundërshtari.
U kanë thënë se cilët do të jenë arbitra?
Jo, por sipas informacioneve do hidhet me short para takimit dhe do arbitrojë një treshe shqiptarësh që mbajnë stemën e FIFA-s. E ritheksoj: do të ishte fatale që një ndeshje e tillë të vendosej nga gabimet e arbitrave, qofshin këto edhe njerëzore. Nëse mua më mund Laçi me meritë në fushë, nuk kam asnjë arsye pse të mos e përgëzoj dhe të jeni të sigurt se do ta bëj një gjë të tillë.
Sa vendos kjo finale për Bylisin?
Shumë. Është një finale që rrallëherë vjen, pasi janë dy skuadra që nuk kanë luajtur asnjëherë në finalen e kupës. Madje, jam i sigurt se skuadra që do të humbë, do t’i vuajë pasojat e këtij takimi më pas.
Që do të thotë?
Që normalisht humbja do të sjellë jo vetëm trishtim, por edhe problematikë si psikologjike dhe financiare. E thashë se si Bylisi dhe Laçi nuk dalin çdo vit në finalen e kupës, ndaj do duan që ta shfrytëzojnë në maksimum një gjë të tillë.
Presupozon kjo gjë një largim të mundshëm nga presidenca në rast humbjeje?
Jo, deri këtu. Por normalisht, nëse do humbnim, çka nuk e mendoj kurrë, do zhgënjehesha shumë dhe nuk do kisha ndoshta të njëjtën dëshirë për t’u marrë me ekipin.
Keni pohuar se do të jepni premio për fitoren, mund të na thoni shifrën?
Sigurisht, pasi nuk kam gjë për të fshehur. Lojtarëve u kam thënë se 50 milionë lekët që vijnë si premio nga FSHF-ja janë të tyret. Të fitojnë trofeun dhe t’i marrin ato parà, pa pikë problemi. Mundëm Skënderbeun, ndaj nuk ka arsye pse të mos fitojmë me Laçin.

Shensoji ne Bylis-Skenderbeu 1-0Shansoji: Fitojmë ne se eliminuam kampionët
Trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoji, beson se skuadra e tij ka një përqindje sado të vogël më shumë sesa Laçi për ta fituar këtë takim. Turko-kosovari saktëson se pas eliminimit që ballshiotët i bënë Skënderbeut, kanë më shumë mundësi që ta fitojnë finalen e kupës. “Është një ndeshje e ekuilibruar, ku si Laçi dhe ne kemi shanse për të fituar. Por ne, me modesti po e them, kemi një përqindje më shumë, pra 51 për qind, pasi eliminuam Skënderbeun”, – pohoi trajneri për “Supersport”. Më pas, tekniku ka bërë edhe një rezyme të skuadrës kundërshtare dhe ekipit të tij. “Laçi është një skuadër pa individualitete të theksuara, pra që të bëjnë diferencën, por forca e këtij ekipi është te kolektiviteti. Sakaq, kanë edhe një trajner me shumë eksperiencë, i cili di të marrë më të mirën nga organika që ka në dispozicion. Si do t’i mundim? Do luajmë me presing gjatë gjithë ndeshjes, duke mos u dhënë mundësi që ata të organizohen dhe natyrisht duhet të shfrytëzojmë në maksimum çdo hapësirë që do të na lejojë kundërshtari dhe çdo rast që do kemi para portës. E di që do të jetë shumë e vështirë. E di që, duke qenë një finale historike, të dyja këto skuadra do kërkojnë që historinë ta vulosin me këtë trofe, por sikundër e thashë edhe më lart ne kemi shanset tona dhe me një lojë të kujdesshme besojmë se do ta fitojmë këtë trofe tejet të rëndësishëm”, – përfundoi Shensoji.

Reagimet e ballshiotëve
Fjodor Xhafa – Kapiteni kërkon trofeun e karrierës. “Unë isha gati duke e lënë futbollin dhe t’i përkushtohesha futsallës, por oferta e Kapllanaj para tri vitesh më riktheu. Tani dua t’ia shpërblej me një trofe”.
Jetmir Sefa – Mesfushori thekson rëndësinë e këtij takimi. “Është një finale jo dosido, ndaj si për Laçin dhe për Bylisin është tejet e rëndësishme. Gjithsesi, ne kemi një skuadër më të mirë sesa kundërshtari, ndaj besojmë se trofeu do të jetë yni”.
Klodian Arbri – Sulmuesi “vë dorën në zjarr” për Ballshin. “Kush fiton? Po normalisht që Bylisi, pasi jemi më skuadër sesa Laçi dhe e kemi treguar edhe gjatë këtij sezoni me lojërat që kemi zhvilluar”.
Endri Bakiu – “Unë nuk kam pasur shans të luaja ndonjë finale, ndaj këtë herë nuk do të doja që ta humbja. Me këtë rast dua t’u tregoj edhe klubeve të tjera elitare se jam një lojtar që vlej”.
Peter Olajinka – “Më vjen mirë që goli im, që shënova ndaj Skënderbeut në Korçë, e ndihmoi ekipin për të kapur finalen. Tani do dua që të shënoj edhe golin e trofeut”, – pohoi sulmuesi nga Nigeria për “Supersport”.

Bylisi “pushton” stadiumin
Në kampin e tifozerisë planet dhe organizimi për të qenë sa më të shumtë në shkallët e “Qemal Stafa”-s vazhdojnë. Ata pretendojnë jo vetëm të mbështesin fuqishëm skuadrën e tyre të zemrës, por edhe të krijojnë një atmosferë sa më të këndshme me dekorin e tyre bardhë e kuq, shaje, fanella apo pankarta dhe parulla të shumta. Udhëtimi i tyre do të bëhet me autobus, të vënë falas nga bashkia dhe presidenca e skuadrës ballshiote, që do të shpërndajë dhe rreth 1200 bileta falas. Sipas programimit, tribuna përkarshi do të jetë për kurbinasit, ndërsa të tjerat, tribuna qendrore dhe anësoret do të jenë për ballshiotët.
LEONARD KARAJ

Laci-BylisProfecia e kapitenëve: Laçi fiton me… 1 votë
Laçi fiton Kupën e Sh qipërisë me një votë më shumë se Bylisi. Ky është parashikimi i kapitenëve të 13 ekipeve, të cilët në një mini-sondazh komentojnë për “Panorama Sport” finalen e sotme. Shtatë prej tyre mendojnë se kurbinasit do të ngrenë trofeun, ndërsa 6 të tjerë shikojnë Bylisin si skuadrën fituese. Nga klubet që mbyllën sezonin si pjesë e Superiores dhe ato që u ngjitën në elitë dhe që milituan kampionatin e fundit në Kategorinë e Parë, nuk është prononcuar vetëm kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela. Ky i fundit ka qenë i padisponueshëm për të dhënë komentin e tij për gazetën. Nga treshja e parë e Superiores, kapiteni i Skënderbeu, Bledi Shkëmbi dhe ai i Kukësit, Rrahman Hallaçi, shikojnë Laçin si fitues. Nga ana tjetër, portieri Bledian Rizvani, ai që mban shiritin te Teuta e vendit të tretë, “voton” për Bylisin si fitues të kupës. Në komentet e futbollistëve, nuk mungojnë as argumentimet se pse Laçi është më favorite se skuadra ballshiote. Ka edhe nga ata që parashikojnë se ndeshja do të përfundojë në barazim brenda 90 minutave, për të kaluar më pas në kohën shtesë. Franc Veliu i Flamurtarit dhe Gilman Lika i Tiranës parashikojnë se do të ndodhë kështu, por në fund trofeun do ta marrin ballshiotët. Nga skuadrat që këtë sezon zbritën nga Superiorja, bie në sy fakti se tre prej kapitenëve shikojnë Bylisin triumfues. Bëhet fjalë për Lorenc Pashjen e Shkumbinit, Gersi Arbrin e Tomorit dhe Gazmend Cimilin e Apolonisë. Ndryshe mendon Arlind Nora i Luftëtarit, i cili është një ish-lojtar i Laçit. Madje, sulmuesi gjirokastrit jep edhe një rezultat në kokë: fitojnë kurbinasit 1-0.
Diferencat Pse fiton Laçi? Kësaj pyetjeje, shtatë nga kapitenët që mendojnë se bardhezinjtë e Nicës fitojnë kupën, janë munduar t’i japin një përgjigje, duke renditur disa arsye. Në unison, duke filluar nga Shkëmbi i Skënderbeut, lojtarët mendojnë se Laçi është një ekip më i kompletuar dhe bën diferencën edhe për faktin se grupi i futbollistëve kurbinas kanë kohë që luajnë bashkë. “Janë një ekip që kanë më shumë karakter dhe grintë se Bylisi. Është shumë i rëndësishëm fakti që Laçi ka lojtarë që luajnë prej vitesh bashkë. Kjo skuadër funksionon si grup. Diferencën do ta bëjë një futbollist si Vucaj”. Është ky mendimi i Beqirit të Vllaznisë, Cacës së Kastriotit, Tafajit të Partizanit dhe Norës së Luftëtarit. Ky i fundit, duke qenë se ka luajtur edhe për bardhezinjtë në një sezon historik, ndër të tjera vlerëson trajnerin Stavri Nica. “Laçi ka trajnerin më të mirë në Shqipëri. Gjithashtu, ka një grup me shpirt të lartë gare dhe që jep gjithçka në fushë. Ka edhe një president si Laska, i cili ka një meritë të veçantë në motivimin që u bën futbollistëve”,- thekson kapiteni i Luftëtarit. Ndërkohë, edhe pse Lika e Tiranës mendon që Laçi do të fitojë kupën, shikon Bylisin si skuadrën më të mirë. “Ballshiotët kanë një ekip më të mirë se Laçi. Është një finale dhe mendoj se diferencat janë shumë të pakta në të tilla ndeshje. Ndoshta mund të kemi një barazim brenda kohës së rregullt, por besoj se Laçi do të fitojë, pasi ndonjëherë ekipet që nuk nisen si favorite, i ndihmon edhe fati në finale”,- thotë ai. Për kapitenin e Besës, Artion Poçi, Bylisi futet favorit në këtë finale, edhe për faktin se ka likuiduar një kundërshtar si Skënderbeu. Nga ana tjetër, interesante është edhe deklarata e Hallaçit të Kukësit. “Dua të fitojë Laçi, pasi është skuadra që na eliminoi në gjysmëfinale. Megjithatë, mendoj se në krahasim me Bylisin, ekipi kurbinas qëndron më lart”,- deklaron mbrojtësi. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të rezervojnë 90 minutat e takimit të sotëm në stadiumin “Qemal Stafa”. Edhe vetë kapitenët e skuadrave që nuk janë finaliste, e shikojnë takimin gati të paparashikueshëm, pasi jo më kot “votimet” janë 7-6 për Laçin.

PARASHIKIMET E 13 KAPITENËVE
BLEDI SHKËMBI (SKËNDERBEU) “Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur për t’u parë dhe një 90-minutësh i mbushur me emocione. Laçi i ka të gjitha mundësitë për të fituar trofeun, pasi me lojtarët që ka më duket një ekip më i kompletuar se Bylisi. Edhe dëshira ime është që Laçi të fitojë”.
RRAHMAN HALLAÇI (KUKËSI) “Unë kam dëshirë të fitojë Laçi. Së pari është ekipi që na ka eliminuar ne në gjysmëfinale. Së dyti është skuadër nga veriu dhe mendoj se e meriton të fitojë këtë trofe. Do jetë një finale e bukur mes dy klubeve, që s’kanë qenë ndonjëherë në këto nivele”.
BLEDIAN RIZVANI (TEUTA) “Nuk shikoj skuadër favorite, por mendimi im personal është se këtë ndeshje do ta fitojë Bylisi. Ballshiotët kanë bërë një paraqitje të mirë në kompeticionin e kupës. Ata kanë një ekip më kompakt se Laçi dhe një trajner me ambicie dhe shumë karikues”.
FRANC VELIU (FLAMURTARI) “Si Laçi, ashtu edhe Bylisi kanë lojtarë cilësorë. Mendoj se do të ketë një barazim brenda 90 minutave dhe më pas ndeshja do të shkojë te penalltitë. Bindja ime është se do të fitojë Bylisi, pasi ka më shumë kualitete, edhe pse Laçi nuk mbetet pas”.
GILMAN LIKA (TIRANA) “Është një finale dhe mendoj se diferencat janë shumë të pakta në të tilla ndeshje. Gjithsesi, për mendimin tim personal, Bylisi ka një skuadër më të mirë se Laçi, por kam bindjen se kupën do ta fitojnë kurbinasit. Diferencën besoj se do ta bëjë Erjon Vucaj”.
ELVIN BEQIRI (VLLAZNIA) “Për mua është një finale ku luajnë dy skuadra të të njëjtit nivel. Nuk shikoj diferenca në përbërje apo lojën që bëjnë. Gjithsesi, unë mendoj se Laçi do të jetë fitues i këtij trofeu, pasi ka një skuadër kompakte dhe me tepër karakter si grup”.
FATMIR CACA (KASTRIOTI) “Kam bindjen se finalen e kupës do ta fitojë Laçi. Mendoj se kurbinasit kanë bërë një kampionat më të mirë se Bylisi. Gjithashtu ata kanë një grup më të kompletuar se kundërshtari. Kanë edhe një lojtar si Vucaj dhe me tepër grintë si skuadër”.
ARTION POÇI (BESA) “Shikoj Bylisin si fitues, pasi është një skuadër që ka zhvilluar një sezon më të mirë se Laçi. Bylisi ka vënë disa herë në vështirësi Skënderbeun, ndaj besoj te forca e grupit që ata kanë. Megjithatë, një finale është gjithnjë e paparashikueshme”.
LORENC PASHJA (SHKUMBINI) “Do të jetë një finale e fortë dhe e bukur. Personalisht shikoj fitues ekipin e Bylisit, pasi qëndron më lart se Laçi, si në përbërje, por edhe në organizim. Jam i bindur që Bylisi do të arrijë të fitojë trofeun e kupës, pasi vërtet e meriton atë”.
ARLIND NORA (LUFTËTARI) “Te Bylisi luan miku im më i mirë, Klodian Arbri, por unë jam tifoz me Laçin. Kam bindjen se Laçi do të fitojë me rezultatin 1-0. Ata kanë një grup lojtarësh që luajnë bashkë prej kohësh, një supertrajner si Nica dhe një president që di të motivojë”.
GERSI ARBRI (TOMORI) “Kupën e Shqipërisë e fiton Bylysi. Kam luajtur 3 vite në Ballsh dhe kam kaluar momente të bukura me këtë ekip. Në aspektin teknik, ekipi i Bylisit për mendimin tim ka një grup më cilësor se Laçi. Një arsye tjetër është fakti që atje luan xhaxhai im, Klodiani”.
GAZMEND CIMILI (APOLONIA) “Ekipi i Bylisit do të jetë fituesi i kupës, sepse ka lojtarë më cilësorë se Laçi dhe një trajner që di të motivojë lojtarët në çdo moment. Jam i bindur se ai e ka zgjedhur kurthin për të sfiduar kundërshtarin, si në lojë, ashtu edhe në rezultat”.
FATJON TAFAJI (PARTIZANI) “Së pari, unë mendoj se kjo ishte një finale surprizë. Laçin e shikoj favorit për të fituar trofeun, sepse ka në përbërje të tij lojtarë më cilësorë se Bylisi. Një tjetër faktor plus për Laçin është edhe fakti se ka lojtarë që luajnë prej vitesh bashkë”.

DedeDede parashikon penallti, Bushati “firmos” për Laçin
Trajnerët e tetë skuadrave në Shqipëri janë të ndarë për finalen e sotme, Laçi-Bylisi. Tre prej tyre shikojnë skuadrën kurbinase si favorite, tre të tjerë mendojnë se ballshiotët do të fitojnë kupën, ndërsa dy nuk janë në gjendje të bëjnë një parashikim konkret. Megjithatë, për trajnerin e Tiranës, Nevil Dede, ky takim me shumë mundësi do të shkojë te penalltitë. “Është ndeshje shumë e fortë dhe mendoj se 90 minutat e kohës së rregullt do të mbyllen në barazim”, – ka thënë kreu i pankinës bardheblu për “Panorama Sport”. Nga ana tjetër, edhe Artan Bano, trajneri i Lushnjës së sapongjitur në Superiore, mendon se ndeshja është shumë e balancuar. “Është e vështirë të japësh një parashikim. Janë dy ekipe të të njëjtit nivel dhe ndeshja do të vendoset nga episodet”, – shprehet Bano. Për Artan Bushatin e Vllaznisë, ekipi kurbinas është favorit. “Dua të shpreh vlerësimin tim për Bylisin, pasi është një nga skuadrat që bën futbollin më të bukur, por mendoj se finalen do ta fitojë Laçi. Është një ekip me karakter dhe që bën një luftë të fortë sportive”, – deklaron kreu i pankinës shkodrane. Në të njëjtën linjë është edhe trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, i cili shikon lojën në grup si çelësin e suksesit te Laçi. “Mendoj se kurbinasit janë treguar më të pjekur në ndeshjet decizive. Janë një skuadër më luftarake se sa Bylisi, edhe pse ballshiotët në përbërjen e tyre kanë 2-3 lojtarë cilësorë”, – thotë Ndreu. Nga ana tjetër, të bindur në mendimin e tyre janë tre trajnerët e ekipeve që zbritën këtë sezon nga Superiorja. Bellai i Luftëtarit, Muxhaji i Tomorit dhe Demiraj i Apolonisë besojnë se Bylisi nuk do ta diskutojë fitimin e kupës. Sipas tyre, ballshiotët kanë një grup më kompakt dhe zhvillojnë një lojë më të bukur se Laçi. “Në krahasim me kurbinasit, ballshiotët kanë më shumë kualitete dhe një trajner shumë profesionist si Shensoji”, – thotë fieraku Demiraj, i cili e njeh mirë Bylisin, pasi në të kaluarën ka qenë pjesë e stafit teknik të kësaj skuadre.

REAGIMET E TRAJNERËVE
Nevil Dede – “Mendoj se është një ndeshje shumë e fortë. Kush gabon i pari do të humbasë finalen. Megjithatë, për mendimin tim, ky takim do të shkojë në shtesë dhe më pas do të ndahet nga penalltitë”, – është shprehur trajneri i Tiranës.
Artan Bushati – “Unë e shikoj Laçin favorit në këtë finale. Në futbollin shqiptar është determinate lufta e fortë dhe karakteri që shpreh skuadra. Laçi e ka treguar një gjë të tillë, por ka edhe një fantazist si Vucaj”, – ka thënë trajneri i Vllaznisë.
Ramadan Ndreu – “Laçi ka një ekip më luftarak dhe e shikoj favorit. Koha ka treguar që Laçi ndeshjet decizive i fiton. Bylisi ka dy-tre lojtarë cilësorë, por e veçanta e Laçit është se funksionon si grup”, – deklaroi trajneri i Kastriotit. Kristaq
Mile – “Për mendimin tim Laçi është pak më i favorizuar, sepse ka një grup lojtarësh që luajnë prej vitesh dhe gjithashtu mbështetet nga një tifozeri shumë e zjarrtë. Gjithsesi, uroj të fitojë më i miri”, – tha trajneri i Shkumbinit.
Arian Bellai – “Mendoj se Bylisi do të fitojë finalen e kupës, pasi ka lojtarë më cilësorë, si dhe të përgatitur mirë, si nga ana tekniko- taktike, ashtu dhe fizike. Luajnë futboll të bukur dhe kolektiv”, – shprehet trajneri i Luftëtarit.
Madrid Muxhaj – “Kupën e fiton Bylisi. Të dyja ekipet kanë një organikë të mirë, por ballshiotët qëndrojnë më lart si cilësi. Në përbërje kanë edhe një sulmues si Klodian Arbri. Jam i bindur se sot do të shpërblehet puna e tyre”, – ka thënë trajneri i Tomorit.
Elidon Demiraj – “Jam i bindur se do të jetë Bylisi fitues, pasi ka treguar vlera të padiskutueshme gjatë këtij sezoni. Në krahasim me Laçin, ballshiotët kanë më shumë kualitete dhe një trajner si Shensoji”, – ka thënë kreu i Apolonisë.
Artan Bano – “Ndeshja mes Bylisit e Laçit është e vështirë për t’u parashikuar. Laçi është një ekip me karakter, që di t’i suportojë momentet e vështira, ndërsa Bylisi ka një sulm të rrezikshëm dhe të shpejtë”, – deklaroi trajneri i Lushnjës.
JORGIS MEMO

Rruga e Laçit drejt finales
TURI I PARË
Mamurrasi-Laçi 0-3
Shënues: Buljan 38′, 74′, Nimani 85′
Laçi-Mamurrasi 0-0 (3-0)
TURI I DYTË
Tomori-Laçi 0-0
LAÇI-Tomori 3-1
Shënues: Bilibashi 48′, Buljan 53′, Emurllai 67’/ Paja 61′
ÇEREKFINALET
Laçi-Teuta 4-0
Shënues: Milenkoviç 30′, Buljan 32′ (p), Nimani 64′, 90+2′
Flamurtari-Laçi 2-1
Shënues: Zeqiri 39′, Muzaka 44’/ Vucaj 67′
Laçi-Flamurtari 1-0
Shënues: Buljan 76′
Teuta-Laçi 1-2
Shënues: Mancaku 45’/ Vucaj 26′, Milenkoviç 34′
Laçi-Bylis 3-2
Shënues: Emurllai 48′, Çela 59′, Vucaj 90+3’/ Huan 22′, Olajinka 31′
Bylis-Laçi 2-1
Shënues: Shoshi 30′, Meto 69’/ Marashi 74′
GJYSMËFINALET
Kukësi-Laçi 0-0
Shënues: S’ka
Laçi-Kukësi 2-1
Shënues: Nimani 33′, Çela 79’/ Peqini 65′


Rruga e Bylisit drejt finales

TURI I PARË
Tërbuni-Bylis 0-2
Shënues: Ferko 35′, Adan 44′
Bylis-Tërbuni 1-0 (2-0)
Ferko 82′
TURI I DYTË
Luftëtari-Bylisi 2-1
Shënues: Nora 86′, 90+2’/ Izuçuku 85′ (p)
Bylis-Luftëtari 3-1
Shënues: Gega 14′, Bakiu 53′, Arifaj 70’/ Mersini 55′
ÇEREKFINALET
Flamurtari-Bylis 0-1
Shënues: K.Arbri 8′
Bylis-Laçi 2-1
Shënues: Shoshi 30′, Meto 69’/ Marashi 74′
Bylis-Teuta 5-0
Shënues: Izuçuku 4′ (p), 7′, Bakiu 5′, 41′, Meto 89′
Teuta-Bylis 2-3
Shënues: Veliaj 78′, Mancaku 90’/ Olajinka 45′, F.Xhafa 46′, Bakiu 88′
Bylis-Flamurtari 2-3
Shënues: Sefa 70′, Teqja 82’/ Muzaka 6′, Memelli 60′, 75′
Laçi-Bylis 3-2
Shënues: Emurllai 48′, Çela 59′, Vucaj 90+3’/ Huan 22′, Olajinka 31′
GJYSMËFINALET
Skënderbeu-Laçi1-1
Shënues: Lilaj 88’/ Olajinka 81’
Bylis-Skënderbeu 1-0
Shënues: Gërxho 53’