Kotobelli nuk do t‘ia dijë për historinë e Tiranës: Ne kemi objektivat tona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2026 | 10:36

Kotobelli nuk do t‘ia dijë për historinë e Tiranës: Ne kemi objektivat tona

Blerim Kotobelli ka lënë pas një javë emocionesh të forta. Kapiteni i Teutës shënoi një supergol ndaj Bylis, pikërisht në një nga momentet e tij më të vështira, duke u kthyer në protagonist dhe duke marrë duartrokitjet e tifozëve.

kotobelli

Tashmë, në prag të duelit të së dielës ndaj Tiranës, mbrojtësi flet për “Panorama Sport” mbi gjendjen e tij, momentin personal dhe objektivin e skuadrës në këtë sfidë të rëndësishme.

Blerim si po ndiheni personalisht pas supergolit ndaj Bylisit, në një nga momentet tuaja më të vështira?
Ishte një çlirim i madh për mua. Kisha kaluar një periudhë jo të lehtë dhe ai gol erdhi në momentin e duhur. Më dha shumë besim dhe forcë për të vazhduar përpara. Futbolli të jep mundësinë të reagosh në fushë dhe unë jam i lumtur që munda ta ndihmoj skuadrën në atë mënyrë. Tani ndihem më i qetë dhe më i motivuar për të dhënë maksimumin në ndeshjet që vijnë.

Të dielën përballeni me Tiranën. Çfarë ndeshjeje prisni?
Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Tirana është një skuadër me histori dhe objektiva madhorë, por edhe ne kemi synimet tona. Kemi punuar mirë gjatë javës dhe jemi të përqendruar maksimalisht për të marrë një rezultat pozitiv.

Sa e motivon skuadrën fakti që është një përballje ndaj një rivali që luan për mbijetesë?
Ndeshje të tilla të motivojnë vetvetiu. Kur përballesh me Tiranën, nuk ke nevojë për fjalë të mëdha. Të gjithë lojtarët janë të karikuar dhe e dinë rëndësinë e pikëve në këtë fazë të kampionatit.

Si kapiten, çfarë u kërkoni shokëve të skuadrës para kësaj sfide?
U kërkoj qetësi dhe përqendrim. Duhet të jemi kompaktë në çdo repart dhe të luftojmë për çdo top. Në ndeshje të tilla detajet bëjnë diferencën, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm nga fillimi deri në fund.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL