Kategoria e Parë, “luftë” e hapur në çdo front. Mësoni përballjet e sotme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2026 | 10:35

Kategoria e Parë, “luftë” e hapur në çdo front. Mësoni përballjet e sotme

Kategoria e Parë hyn në një moment vendimtar me zhvillimin e javës së 27-të në mesjavë, ku çdo pikë fillon të peshojë më shumë se kurrë. Treshja kryesuese, Skënderbeu, Laçi dhe Pogradeci, synon të ruajë hapin e njëri-tjetrit në një garë që po zhvillohet me ritëm të lartë dhe pa lëshime. Në anën tjetër të tabelës, situata është edhe më dramatike.

korabi skenderbeu

Përballjet direkte si Luftëtari-Apolonia dhe Kukësi-Lushnja pritet të jenë “jetike” për mbijetesën. Të gjitha sfidat do të luhen sot në orën 15:00, duke ofruar një panoramë të plotë dhe të njëkohshme të garës, ku çdo rezultat mund të ndryshojë balancat. Java e 27-të pritet të jetë një nga më vendimtaret e sezonit. Nëse kreu do të vijojë marshimin e sinkronizuar, mbetet për t’u parë, por ajo që është e sigurt është se fundi i tabelës do të jetë “i zjarrtë”, me ndeshje që vlejnë më shumë se tri pikë.

Skënderbeu – Korabi

Skënderbeu vjen si lider me një ecuri mbresëlënëse dhe me synimin e qartë për të ruajtur distancën nga ndjekësit. Përballë një Korabi që lufton për të qëndruar larg zonës së rrezikut, korçarët duken favoritë, sidomos në fushën e tyre. Megjithatë, miqtë nuk kanë luksin të dorëzohen dhe një pikë do të ishte oksigjen për ta. Klubi korçar u ka bërë thirrje edhe tifozëve që të jenë sa më të shumtë në mbështetje të ekipit, që ti kalojnë me sukses 7 finalet e mbetura.

Laçi – Besa

Laçi vijon të ndjekë nga afër kreun dhe nuk mund të gabojë në këtë fazë. Përballë do të ketë një Besë që luhatet mes rezultateve, por që ka potencial për të surprizuar. Një ndeshje ku vendasit kanë presionin e rezultatit, ndërsa miqtë mund të luajnë më të lirshëm. Laçi do të kërkojë fitoren e 13-të radhazi, ndërsa Besa me rikthimin e katër titullarëve do të jetë gati për reflektim.

Pogradeci – Iliria

Pogradeci kërkon të ruajë vendin në podium dhe të qëndrojë në garë për kreun. Iliria, nga ana tjetër, synon të konsolidojë pozitat në mesin e tabelës dhe pse jo të afrohet me zonën e sipërme. Një ndeshje e hapur, ku çdo rezultat është i mundur. Kjo mund të rezultojë si ndeshja më interesante e javës, pasi përballen vendi i tretë me të katërtin.

Kastrioti – Burreli

Dy skuadra me pikë të barabarta dhe objektiva të ngjashëm përballen në një duel që mund të përcaktojë shumë për vijimësinë. Kastrioti ka avantazhin e fushës, por Burreli ka treguar se di të marrë rezultate edhe në transfertë. Një sfidë ku barazimi nuk i shërben shumë askujt.

Luftëtari – Apolonia

Një nga ndeshjet më të nxehta të javës. Luftëtari dhe Apolonia janë në një situatë delikate dhe çdo gabim mund të kushtojë shumë. Të dyja ekipet duhet të “vrasin” frikën e humbjes dhe të besojnë te fitorja, pasi vetëm trepikëshi mund t’i mbajë gjallë në garë për mbijetesë.

Kukësi – Lushnja

Një tjetër përballje direkte në fundin e tabelës. Kukësi, i zhytur në krizë rezultatesh, pret një Lushnje që gjithashtu lufton për të dalë nga zona e rrezikut. Presioni është maksimal dhe kjo sfidë mund të shërbejë si pikë kthese për njërën prej skuadrave, ose si goditje fatale për tjetrën. Barazimi mund t’u prishë punë të dyjave, duke i lënë mbase në vendet 11-të dhe 12-të, që përkthen rënie direkte në Kategorinë e Dytë në fund të sezonit.

k1

PANORAMASPORT.AL