KATEGORIA E PARË/ Koha për verdikte, në Laç luhet elita dhe fundi që “zien”
Kategoria e Parë hyn në një nga kthesat më vendimtare të sezonit, teksa java e 31-të premton emocione të forta në të gjitha frontet: Ngjitja në elitë, zona “play off” dhe mbijetesa. Me vetëm pak javë nga fundi, çdo pikë peshon dyfish dhe presioni është maksimal për të gjitha skuadrat.

Në krye, Skënderbeu duket me një dorë te bileta për rikthimin në Superiore, ndërsa pas tij gara është e ndezur mes Laçit dhe Pogradecit, që përplasen këtë javë në një duel që mund të vendosë fatin e sezonit. Nga ana tjetër, fundi i tabelës është një “fushë beteje”, ku katër ekipe rrezikojnë seriozisht rënien dhe çdo gabim mund të jetë fatal. Java e 31-të pritet të jetë një nga më vendimtaret e sezonit, ku mund të marrin formë përfundimtare shumë objektiva. Nga “finalja” e Laçit, te festa e mundshme e Skënderbeut dhe deri te drama e mbijetesës. Kjo javë ka gjithçka që e bën futbollin tërheqës, presion, emocione dhe fat të varur në detaje.
LAÇI – POGRADECI
“Finalja” për Superioren luhet në Kurbin. E gjithë vëmendja është përqendruar në Laç, aty ku vendasit presin Pogradecin në një përballje që vlen më shumë se tri pikë. Diferenca prej vetëm 3 pikësh mes tyre e bën këtë duel një shans të artë për të dyja skuadrat. Laçi synon të mbrojë vendin e dytë dhe të afrohet ndjeshëm me objektivin e rikthimit në elitë. Në krahun tjetër, liqenorët vijnë të motivuar maksimalisht, jo vetëm nga rëndësia sportive, por edhe nga një super-premio prej 50 mijë euro për fitoren dhe 100 mijë euro shtesë për ngjitjen. Atmosfera pritet elektrizuese, me tifozë të mobilizuar dhe tension të lartë.
SKËNDERBEU – KASTRIOTI
Korçarët një hap larg festës së rikthimit. Kryesuesit e Skënderbeut kanë një mundësi “të artë” për të “prerë shiritin” e rikthimit në Superiore, nëse marrin një fitore ndaj Kastriotit. Me 73 pikë dhe një sezon dominues, bardhekuqtë janë pranë objektivit madhor. Kastrioti, nga ana tjetër, është në mesin “e artë” të tabelës dhe pa shumë presion, por mbetet një kundërshtar i rrezikshëm që mund të hapë probleme nëse nënvlerësohet.
APOLONIA – BESA
Balancë dhe tension në Fier. Një duel që pritet shumë i luftuar, me të dyja skuadrat që kërkojnë të sigurojnë matematikisht mbijetesën. Apolonia dhe Besa janë pranë njëra-tjetrës në renditje dhe çdo rezultat mund të ndryshojë ndjeshëm pozicionet. Besa ka treguar luhatje, ndërsa Apolonia kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë për të marrë pikë jetike dhe për t’i shpëtuar rënies direkte.
LUSHNJA – ILIRIA
Iliria për të “blinduar” sezonin, Lushnja për mbijetesë. Iliria, surpriza e këtij sezoni, kërkon të ruajë vendin në mesin e tabelës dhe të mbyllë çdo diskutim për mbijetesën. Përballë ka një Lushnjë të etur për pikë, pasi ndodhet në zonën e rrezikut. Presioni është total mbi vendasit, që nuk kanë më hapësira për gabime.
LUFTËTARI – BURRELI
Një nga ndeshjet më të “nxehta” të javës. Luftëtari dhe Burreli janë në të njëjtin “territor” rreziku dhe përballja mes tyre mund të jetë vendimtare për fatin e sezonit. Një fitore do të thoshte shumë për moralin dhe renditjen, ndërsa humbja mund të komplikojë gjithçka në javët e mbetura.
KUKËSI – KORABI
Shpresa e fundit për Kukësin në shtëpi. Kukësi luan një nga shanset e fundit të këtij sezoni plot luhatje për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë. Përballë ka Korabin, një skuadër disi e qëndrueshme në mesin e tabelës, por që nuk fal lehtë, pasi thuhet se ende aspiron një vend në zonën “play off”. Çdo rezultat tjetër përveç fitores do ta vështirësonte jashtëzakonisht situatën për verilindorët, pasi diferencat janë shumë të vogla dhe me një humbje mund të prekësh edhe fundin e renditjes.

PANORAMASPORT.AL













