Kategoria e Parë, ja verdiktet e klubeve sipas vitit 2026. Kukësi bëhet surprizë, Myzeqeja në krizë
Sezoni 2025-2026 në Kategorinë e Parë ka hyrë në fazën vendimtare, por ajo që e bën këtë kampionat kaq intrigues është kontrasti i fortë mes renditjes së përgjithshme dhe formës aktuale të skuadrave gjatë 11 javëve të luajtura në 2026-ën.

Në njërën anë qëndron Skënderbeu, lider konstant prej javës së parë, ndërsa në tjetrën Laçi, skuadra më në formë absolute e muajve të fundit. Ky “dyzim” ka krijuar një garë të hapur dhe një fund sezoni që pritet të jetë ndër më dramatikët e viteve të fundit.
KREU I TABELËS – Në renditjen e përgjithshme, Skënderbeu kryeson me 67 pikë, duke konfirmuar një sezon të qëndrueshëm dhe pothuajse perfekt. Me vetëm 3 humbje në 28 ndeshje, korçarët kanë qenë skuadra më e balancuar gjatë gjithë kampionatit dhe me meritë mbajnë vendin e parë. Megjithatë, fotografia ndryshon ndjeshëm kur fokusohemi vetëm te viti 2026. Aty, protagonisti absolut është Laçi. Bardhezinjtë kanë zhvilluar një ecuri thuajse perfekte, duke grumbulluar 31 pikë në 11 ndeshje dhe duke lënë vetëm 2 pikë rrugës.
Një ritëm i frikshëm, që i ka kthyer në skuadrën më të rrezikshme të momentit. Pogradeci mban ritëm të lartë si në renditjen e përgjithshme (61 pikë), ashtu edhe në atë të vitit 2026, duke qenë një pretendent serioz për ngjitje direkte. Ndërkohë, Skënderbeu, edhe pse kryeson totalin, ka pasur më shumë ndalesa në këtë periudhë, çka ka ngushtuar diferencat dhe ka rritur ndjeshëm presionin në krye. Sipas ecurisë së 2026-ës, Skënderbeu mbetet pa elitë, pasi ndodhet i treti.
ZONA E MESIT DHE SURPRIZA KUKËSI – Iliria është pasqyra perfekte e stabilitetit, e katërta në renditjen e përgjithshme dhe po aty edhe në ecurinë e 2026- ës. Një skuadër solide, por që nuk ka bërë hapin cilësor për t’u futur në garën për ngjitje. Pas saj, panorama bëhet më e luhatshme. Kastrioti mban një pozicion të mirë në tabelën totale me 36 pikë, por nuk ka shkëlqyer në muajt e fundit. E njëjta gjë vlen edhe për Burrelin dhe Besën, që kanë humbur terren në 2026-ën, duke mos justifikuar pritshmëritë.
Ndërkohë, surpriza më e madhe është Kukësi. Në renditjen e përgjithshme ndodhet në vendin e 10-të dhe në zonë rreziku, por forma në 2026 e tregon një histori krejt tjetër. Verilindorët janë rikthyer fuqishëm, duke hyrë në zonën “play-off” të kësaj periudhe. Ndikimi i merkatos së dimrit dhe trajnerit Bledi Kadiu ka qenë i menjëhershëm, duke transformuar një skuadër në krizë në një ekip konkurrues.
FUNDI I TABELËS, MYZEQEJA NË KRIZË – Në pjesën e poshtme, diferenca mes renditjes reale dhe formës së 2026-ës është më pak e theksuar, pasi skuadrat në krizë kanë vijuar të mbeten në të njëjtën situatë. Apolonia, me 26 pikë në total, po kalon një periudhë katastrofike. Katër muaj pa fitore dhe vetëm 4 barazime në 2026 e kanë zhytur në një krizë të thellë, duke e bërë një nga kandidatet kryesore për rënie.
Lushnja është ndoshta rasti më dramatik. Me vetëm 22 pikë në renditjen e përgjithshme dhe një ecuri shumë të dobët në 2026, verdhejeshilët numërojnë tashmë 77 ditë pa fitore. Suksesi i fundit daton më 17 janar ndaj Korabit, dhe përballja e radhës pikërisht ndaj të njëjtit kundërshtar mund të jetë një “finale” për mbijetesën. Edhe Luftëtari, që mbyll tabelën me 22 pikë, ka treguar përmirësime të lehta në lojë, por jo në rezultate. Barazimet e shumta nuk kanë mjaftuar për ta nxjerrë nga zona e rrezikut.

DY KAMPIONATE NË NJË SEZON – Kategoria e Parë 2025- 2026 po zhvillohet si dy kampionate paralelë. Një kampionat i gjatë, ku Skënderbeu ka ndërtuar avantazhin dhe mban kreun me meritë. Një kampionat i shkurtër (2026), ku Laçi dominon dhe po kërcënon seriozisht gjithçka që është ndërtuar deri tani. Ky kontrast e bën fundin e sezonit tërësisht të paparashikueshëm. Gara për ngjitje direkte është e hapur mes tre skuadrave, ndërsa poshtë mbijetesa është kthyer në një betejë nervash. Pesë javë nga fundi, një gjë është e sigurt, diferencat janë të vogla, presioni është maksimal dhe çdo ndeshje mund të ndryshojë fatin e një sezoni të tërë.
PANORAMASPORT.AL













