Kategoria e dytë, lajme shkurt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2016 | 11:37

Kategoria e dytë, lajme shkurt

TOMORI

Tomori e ka hedhur pas krahëve fitoren ndaj Delvinës, teksa dje u është rikthyer përgatitjeve për sfidën ndaj Skraparit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori Sharavolli shprehet: “Jam i lumtur që shënova gol në stadiumin e Delvinës. Kjo më jep qetësi dhe vazhdimësinë time me Tomorin. Nuk i trembemi kundërshtarit që do të kemi përballë në sfidën tjetër”. Ndërkaq, sot lojtarët, të cilët u aktivizuan ndaj Delvinës, do të marrin edhe premiot e premtuara që do shpërndahen nga kryebashkiaku Petri Sinaj dhe donatori Kastriot Kërkuta. Eris Sylyku TomoriEGNATIA

Egnatia nuk arriti t’i bëjë një nisje të mirë fazës së dytë, pasi u mund me rezultatin 2-1 nga Kevitani. Edhe pse shënuan të parët me anë të sulmuesit Lapi, rrogozhinasit nuk arritën ta ruanin avantazhin deri në fund. Në takimin e së dielës, Bashkia si kurrë më parë kishte vënë në dispozicion tre autobusë për tifozët. Me këtë humbje, diferenca e pikëve nga katër që ishte në përfundim të fazës së parë, shkon në 6. Drejtuesit e skuadrës presin që nga ndeshja e kësaj fundjave ndaj Tiranës B të nisë kthesa e shumëpritur që të mos thellohet më tepër diferenca në pikë. Aldo Buzi

PARTIZANI B

Skuadra e Partizanit B mori një pikë në fundin e takimit ndaj Shënkollit. Megjithatë, të kuqtë besojnë se do të rikthehen te fitorja këtë javë. Për këtë, mesfushori Endrit Karameto është plotësisht i bindur te një sukses në sfidën ndaj Luzit. “Kemi humbur dy pikë të arta me Shënkollin, por përsëri nuk jemi të vonuar për të kapur kreun, pasi për ne fitorja me Luzin është e padiskutueshme dhe sytë janë drejtuar nga dy rivalet që përplasen, Shënkolli dhe Kevitani. Në atë sfidë na pëlqen një barazim për të kompensuar pikët e humbura”, thotë Karameto. Abdulla Dushku

KEVITANI

Skuadra e Kevitanit, pas fitores me Egnatian dhe barazimit të Shënkollit me Partizanin B, e sheh veten në krye me pikë të barabarta me lezhjanët. Një përballje e fortë do të luhet këtë javë mes Kevitanit dhe Shënkollit. Mateus Levendi shpreson shumë te një rezultat pozitiv në këtë transfertë. “Sigurisht që është një ndeshje që do të ketë vlerësimin maksimal tonin, pasi varen fatet e skuadrës. Jemi në një fushë mjaft të vështirë për të luajtur, ku ka një tifozeri të ashpër. Megjithatë, do bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv”. Abdulla Dushku

INTERNACIONALI

Te skuadra e Internacionalit është harruar ajo humbje e thellë e së dielës në Luz me ekipin e Kavaja Junajted 4-1. Një nga prurjet e kësaj faze te kjo skuadër është edhe futbollisti i ardhur nga të rinjtë e Partizanit, Amri Jonuzi, që është mjaft optimist. Këtë javë, Internacionali do të përballet me Vorën ku do të kërkojë rezultat pozitiv. “Është një kundërshtar tepër i fortë, por jo i pathyeshëm. Shpresoj shumë tek aftësitë e shokëve të skuadrës se do të jemi në gjendje të marrim tri pikë ndaj kësaj skuadre”, është shprehur Jonuzi në prononcimin e tij. Abdulla Dushku

VELEÇIKU

Ekipi i Veleçikut e filloi fazën e dytë me barazim në fushën e vet ndaj Vorës. Trajneri Besnik Duli shprehet: “Një gabim i portierit dhe shumë të sulmuesve bënë që ne të merrnim vetëm barazimin. Por, edhe pse morëm një pikë në javën e parë, ne jemi vetëm pesë pikë larg vendit të parë. Megjithatë, ne do t’i qëndrojmë deri në fund objektivit tonë për të zënë vendin e parë. Ka ende shumë takime deri në fund dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Janë në lojë shumë pikë dhe do të bëjmë gjithçka për të kapur vendin e parë”, shprehet trajneri Besnik Duli. Esat Ymeri

SKRAPARI

Në ndryshim të plotë nga faza e parë, pjesa e dytë e kampionatit ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Skraparin që ka marrë tri pikët e para në kampionat. Mesfushori beratas Fatjon Karamani, një nga afrimet e shumta gjatë kësaj periudhe, shprehet: “Ishte një ndeshje e vështirë përballë një ekipi të fortë. Por ne arritëm të siguronim në përfundim një fitore tepër të çmuar sidomos në planin moral. Janë tri pikë që do t’i shërbejnë skuadrës për të ardhmen. Jemi të vendosur për të shpëtuar Skraparin nga rënia në Kategorinë e Dytë”. Arben Çepani

ALBPETROLI

Albpetroli e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e dytë. Skuadra e Adriatik Kurtit ka arritur të fitojë 2-0 ndaj Sukthit në transfertë. Trajneri, në një prononcim për gazetën, shprehet: “Ishim përgatitur me kujdes për këtë ndeshje. Skuadra u shpreh mirë. Lojtarët tanë u treguan të disiplinuar e me shpirt të lartë gare. Krijuam epërsi ndaj kundërshtarit dhe përveç golave të shënuar, kishim edhe shumë raste të tjera shënimi. Gjithsesi, kjo fitore nuk duhet të na vërë në gjumë. Tashmë na duhet të mendojmë për ndeshjet në vazhdim”. Mario Gjika

BILISHT SPORTI

Ekipi i Bilisht Sportit, pavarësisht lojës së vrullshme dhe plot dinamikë që zhvilloi në transfertën e Përmetit, u mund 3-1. 90 minutat e zhvilluara flasin për një takim të fortë e të barabartë pavarësisht se faktori fushë është vendimtar në transferta. Bilishtarët në javën e ardhshme presin brenda fushës ekipin e Himarës dhe janë të bindur se nuk do ta diskutojnë fitoren duke u nisur edhe nga vendi i parafundit që ky ekip mban në tabelën e klasifikimit. Bilishtarët synojnë vendin e parë dhe kanë bërë të ditur se do të luftojnë deri në fund për atë pozicion. Thanas Çeva