Kartonët e kuq si problem tek Egnatia, kërcënim për titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2026 | 21:48

Kartonët e kuq si problem tek Egnatia, kërcënim për titullin kampion

Sezoni aktual po sho qërohet me një fenom en që bie qartë në sy te Egnatia: nervozizmi në fushë dhe ndëshkimet e shumta me kartonë. Për një skuadër që vjen si kampione dhe që konsiderohet ndër pretendentet kryesore për titull, statistikat disiplinore janë një sinjal alarmi. Shifrat tregojnë se në shumë momente rrogozhinasit kanë dalë nga vetja, sidomos në përballjet më të forta të kampionatit. Në total, Egnatia ka marrë 9 kartonë të kuq gjatë këtij sezoni, një shifër e konsiderueshme për një ekip që lufton për vendet e para.

kartoniiii

Edhe më domethënëse është fakti se këto ndëshkime kanë ardhur në 9 ndeshje të ndryshme, që do të thotë se në secilin rast skuadra është detyruar të vazhdojë lojën me 10 lojtarë në fushë. Nëse analizohen shifrat, del një mesatare që nuk është aspak e zakonshme për një ekip të kreut: afërsisht një karton i kuq në çdo tre ndeshje kampionati. Një ritëm i tillë ndëshkimesh mund të ndikojë drejtpërdrejt në performancën e skuadrës, pasi luajtja me një lojtar më pak shpesh ndryshon ekuilibrat e një sfide.

NDËSHKIMET – Lista e përballjeve ku lojtarët e Egnatias kanë marrë karton të kuq tregon qartë edhe kontekstin e tyre. Nga kjo listë vihet re edhe një tjetër element interesant: disa lojtarë janë ndëshkuar më shumë se një herë. Xhemajli kryeson me tre kartonë të kuq, ndërsa Fangaj ka marrë dy. Ndërkohë nga një karton të kuq kanë marrë Votlai, Haime, Alijev dhe Aleksi.

Kjo shpërndarje tregon se nervozizmi nuk ka qenë i izoluar te një lojtar i vetëm, por është një fenomen që ka përfshirë disa elementë të skuadrës gjatë sezonit. Një tjetër detaj që bie në sy nga statistikat është fakti se të gjithë kartonët e kuq kanë ardhur në ndeshje kundër rivalëve direktë të kampionatit. Përballjet me skuadra si Vllaznia, Partizani, Dinamo apo Elbasani kanë qenë shpesh të tensionuara dhe kjo është reflektuar edhe në disiplinën në fushë. Në anën tjetër, Egnatia nuk ka marrë asnjë karton të kuq në përballjet me ekipet që luftojnë për mbijetesë. Kjo tregon se tensioni dhe presioni janë më të mëdha pikërisht në ndeshjet që kanë peshë direkte në garën për titull dhe pozicionet e para.

KONTESTIMET – Nuk kanë munguar edhe polemikat. Në disa raste klubi ka pasur pretendime për vendimet e arbitrave. Një nga episodet më të diskutuara ka qenë edhe ai në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, ku pati kontestime për vendimin e arbitrit Xhemajli. Megjithatë, pavarësisht pretendimeve apo situatave të diskutueshme, statistikat mbeten të qarta dhe tregojnë një prirje që nuk mund të injorohet. Në një kampionat të gjatë, disiplinimi në fushë është shpesh po aq i rëndësishëm sa edhe cilësia teknike.

Me tetë javë të mbetura deri në fund të sezonit, Egnatia ndodhet në një moment delikat të kampionatit. Gara për titull është e hapur dhe çdo detaj mund të bëjë diferencën. Në këtë kontekst, kontrolli i emocioneve dhe ruajtja e qetësisë në fushë mund të jetë një faktor vendimtar. Kartonët e kuq jo vetëm që dobësojnë skuadrën gjatë ndeshjes, por shpesh sjellin edhe mungesa në takimet pasuese për shkak të pezullimeve. Për një skuadër që synon të mbrojë titullin, disiplina taktike dhe emocionale do të jetë po aq e rëndësishme sa edhe forma sportive. Nëse rrogozhinasit arrijnë të menaxhojnë më mirë presionin e ndeshjeve direkte, ata mund të shmangin situata që rrezikojnë të ndikojnë negativisht në objektivat e sezonit.

Screenshot 2026-03-16 214702

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL