Kapiteni i Bylisit, Marku: Në Durrës për kthesën, kemi cilësinë për të dalë nga kriza
Bylis e konsideron sfidën ndaj Teutës si një moment kyç të sezonit. Në Ballsh, kjo përballje ka marrë një rëndësi të veçantë, pasi synimi i klubit është vetëm fitorja, për të hedhur një hap të sigurt drejt betejës për mbijetesë.
Mallakastriotët pritet të zbresin në fushë me formacionin më të mirë, aq më tepër që 11 afrimet e realizuara gjatë merkatos së janarit kanë konsoliduar grupin. Bëhet fjalë për lojtarë me eksperiencë, të ardhur nga kampionate të njohura, që kanë rritur konkurrencën dhe cilësinë brenda skuadrës. Trajneri Mirel Josa pritet të bëjë sërish lëvizje në formacionin bazë, ashtu si në ndeshjet ndaj Partizanit dhe Vllaznisë. Edhe në seancën e fundit stërvitore, tekniku ka porositur përqendrim maksimal, duke theksuar kualitetet e kundërshtarit, që për momentin konsiderohet ndër ekipet më të forta të elitës.
Megjithatë, ai ka kërkuar optimizëm dhe besim, pasi skuadra ka potencialin për t’u rikthyer te fitorja. Në Ballsh kërkohet kthesa, sidomos në një kalendar të ngjeshur dhe me përballje delikate. Bylisi ka sot mundësinë të reagojë dhe të kënaqë tifozët, të cilët mbetën të zhgënjyer pas dy ndeshjeve të fundit në shtëpi, veçanërisht ndaj Partizanit në kampionat dhe Vllaznisë në Kupë. Cilësia dhe potenciali nuk mungojnë, ndaj synimi është që këto vlera të përkthehen në rezultat pozitiv. Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni Aurel Marku shprehet me besim për një kthesë të mundshme.
Marku, Bylisi po largohet gjithnjë e më shumë nga fitorja…
Janë situata jo të mira. Ne jemi përpjekur të japim maksimumin, por kundërshtarët, falë elementëve të tyre cilësorë, kanë arritur të vendosin ndeshjet në favorin e tyre.
Pas dy disfatave, me Partizanin në kampionat dhe Vllazninë në Kupë, tani përballeni me Teutën. Cili është synimi për këtë transfertë?
Janë ndeshje shumë të forta dhe për ne kanë rëndësi të madhe, sepse duhet të rikthehemi te ecuria pozitive. Nuk do ta kemi të lehtë në Durrës, por kemi nevojë më shumë se kurrë për pikë dhe do të luftojmë për t’i marrë.
A kanë ndikuar lëvizjet e merkatos në këtë moment të skuadrës?
Të them të drejtën, mendoj se jemi përforcuar si ekip. Pavarësisht lëvizjeve, dëmtimeve apo largimeve, filozofia e lojës nuk ka ndryshuar. Ka munguar edhe pak fat në disa ndeshje, gjë që u pa qartë sidomos ndaj Partizanit. Besoj se me punë dhe përqendrim do të rikthehemi te rezultatet pozitive.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













