Kapiteni Dedgjonaj: Skuadra nuk e arriti objektivin, por Burreli duhet të ruajë grupin
Pozicionimi në vendin e shtatë në renditje nuk e ka kënaqur kapitenin e skuadrës matjane, Aleks Dedgjonaj. Sipas mbrojtësit, Burreli zhvilloi një kampionat me shumë oshilacione dhe nuk arriti objektivat e vendosur nga drejtuesit e klubit në fillim të sezonit.
Një nga futbollistët më të rëndësishëm të formacionit bazë të matjanëve bëri analizën e sezonit të sapopërfunduar, duke pranuar se skuadra pati shumë ulje-ngritje, sidomos gjatë fazës së tretë të kampionatit. “Nëse bëjmë një analizë të kampionatit që sapo u mbyll, skuadra zhvilloi një sezon me shumë luhatje, të shoqëruara me ulje dhe ngritje. E thënë shkurt, mbyllëm një kampionat të vështirë dhe nuk arritëm objektivat e vendosur nga drejtuesit e klubit, që ishte renditja mes gjashtë vendeve të para”, u shpreh Dedgjonaj. Aktualisht futbollisti 30-vjeçar po shijon pushimet, ndërsa pret sinjalin nga drejtuesit matjanë për nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. “Tani është kohë pushimesh dhe për momentin nuk dua të diskutoj gjë tjetër”, deklaroi shkurt kapiteni i Burrelit.
Duke u nisur nga eksperienca e gjatë me skuadrën matjane, ku ky është sezoni i tetë për të, Dedgjonaj thekson se ruajtja e grupit aktual është thelbësore për vazhdimësinë e ekipit. “Ruajtja e grupit është e domosdoshme, sepse i shërben kompaktësimit të skuadrës. Si çdo ekip tjetër, edhe ne kemi nevojë për përforcime me futbollistë cilësorë”, përfundoi kapiteni i matjanëve. Në sezonin e fundit, Dedgjonaj zhvilloi 29 ndeshje me fanellën e Burrelit, përfshirë edhe takimet e Kupës, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit bazë.
Nderim GOCI- PANORAMAPSORT.AL













