Kapiteni Aleksi para ndeshjes me Partizanin: Egnatia nuk ndalet, trajneri Tetova ka ide europiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2025 | 20:37

Kapiteni Aleksi para ndeshjes me Partizanin: Egnatia nuk ndalet, trajneri Tetova ka ide europiane

Kapiteni i skuadrës së Egnatias, Albano Aleksi, ishte i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH”, ku foli për skuadrën e tij, por u ngacmua sigurisht edhe për rivalët e rrogozhinasve. Fillimisht, ai vlerësoi kryesuesit e Vllaznisë, që i kanë shkaktuar edhe humbjen e vetme në kampionat, në javën e parë.

aleksi

“Humbjen e javës së parë e kemi harruar, sepse ne sportistëve na pëlqen që, kur humbasim një ndeshje, mezi presim tjetrën për të treguar se ka qenë thjesht një ditë jo e mirë”, ka deklaruar fillimisht kapiteni i Egnatias. Ai vlerësoi gjithashtu se Vllaznia, përballë së cilës humbën, ka treguar se është skuadër pretendente, ashtu siç ka qenë gjithnjë në vitet e fundit.

“Finalja e vitit të kaluar është një histori më vete. Një ndeshje varet shumë nga përqendrimi dhe forma e ditës. Tani Vllaznia ka marrë disa lojtarë cilësorë, si Kallaku, që është shumë i mirë teknikisht dhe luan me të dyja këmbët. Ka treguar se është pretendente kryesore, pa përfshirë këtu Egnatian, që do t’ia lëmë vazhdimësisë”, shtoi Aleksi.

DINAMO

Sa i përket përballjes me Dinamon, kapiteni rrogozhinas u ndal te detajet që, sipas tij, bënë diferencën. “Dinamo është ekip i mirë, që i përshtatet lojës sonë dhe ka lojtarë cilësorë. Në disa momente të lojës nuk kemi bërë detyrat e sakta të dhëna nga stafi. Me pak më shumë kujdes në pasimet e fundit, mund ta kishim ndëshkuar Dinamon. Këtë e shoh si një nga mungesat tona në atë ndeshje”, – theksoi mesfushori.

AFRIMET E REJA

Aleksi ndaloi te një pikë që, sipas tij, kërkon ende kohë, siç janë afrimet e reja. “Mendoj se sulmi nuk është konsoliduar plotësisht, sepse janë katër lojtarë që kanë ardhur këtë vit te Egnatia dhe normalisht duan kohën e tyre. Nga fundi i tetorit dhe fillimi i nëntorit besoj se do të jenë 100 për qind në formën e tyre. Si kapiten, mundohem t’i afroj sa më shpejt me grupin, t’i ndihmoj të shprehen lirshëm dhe të mos ndiejnë presionin e gabimeve apo të formës”, vijoi më tej mesfushori.

TRAJNERI TETOVA

Në fund, Aleksi foli me tone vlerësuese për punën e stafit teknik dhe në veçanti për trajnerin Edlir Tetova. “Stafi ka bërë një punë shumë të mirë, edhe pse largimet kanë qenë me peshë, si Lushkja apo Ujka. Gjithsesi, edhe afrimet janë në të njëjtin nivel dhe nuk ka ndryshim cilësor. Sekreti i Tetovës është qetësia dhe idetë. Ka shumë ide, shumë qartësi në mendim. Jo se e kam unë trajner, por ka potencial të madh dhe do të ketë një të ardhme të ndritur. Do të më bëhej qejfi nëse nesër do të ishte trajner në ndonjë ekip europian. Ka shumë për të dhënë dhe është ndër më të mirët aktualisht në futbollin shqiptar”, u shpreh kapiteni i Egnatias, Albano Aleksi.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL