Kapiteni Abazaj: Bylisi i plotë, ruajmë ritmin me Dinamon
Bylisi kërkon vazhdimësinë dhe synimi është marrja e një rezultati pozitiv edhe në sfidën me Dinamon, e cila zhvillohet sot në orën 17:00 në “Elbasan Arena”.
Ballshiotët do të jenë thuajse të plotë, ndërsa stafi dhe lojtarët janë optimistë në prag të kësaj transferte. Trajneri Gentian Mezani dhe lojtarët kanë besim se mund t’ia dalin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Marin Abazaj, kapiteni i Bylisit, analizon duelin me Statusin e “ish”-it.
DEKLARATA – “Dinamo na gjen në një moment të mire tonin. Ne jemi një ekip që luajmë njësoj, si brenda fushës, ashtu edhe jashtë saj, sepse kemi kualitete dhe lojtarë, që në sfida delikate kanë bërë diferencën. Ne jemi në pozita jo komode dhe na duhet që të bëjmë llogari ndeshje pas ndeshje. Fazën e katërt e nisëm siç duhet dhe duhet të ruajmë ritmin. Unë gjykoj se nuk ka shumë diferenca mes ekipeve të Superiores, me përjashtim të 2-3 skuadrave, kështu që tashmë bëhen llogari dhe ne duhet që në çdo ndeshje të bëjmë 200%, në mënyrë që në fund të mbijetojmë. Pozitive është që jemi të plotë dhe nuk kemi mungesa. Llogaritë tona dihen, ne luftojmë për mbijetesë dhe do të bëjmë më të mirën që nga Dinamo, me të cilët luajmë këtë fundjavë e për të vijuar edhe me çdo kundërshtar tjetër”, u shpreh mbrojtësi nga Pogradeci.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













