Kanë nisur aludimet për investitorët, ndërsa ekipi rrezikon. Në Lushnjë shohin ëndrra me presidentë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2026 | 10:08

Kanë nisur aludimet për investitorët, ndërsa ekipi rrezikon. Në Lushnjë shohin ëndrra me presidentë, por…

Klubi i Lushnjës po hyn në një moment historik, teksa gjithçka po shkon drejt privatizimit. Bashkia e Lushnjës ka hapur zyrtarisht rrugën për investitorët privatë, duke sinjalizuar një ndryshim rrënjësor për të ardhmen e klubit. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Bashkiak mori një vendim të rëndësishëm, duke i dhënë “dritën jeshile” privatizimit të klubit të futbollit Lushnja.

LUSHNJA

Sipas këtij vendimi, 70% e aksioneve do të dalin në shitje për investitorë privatë, ndërsa 30% do të mbeten në pronësi të Bashkisë, me synimin për të ruajtur identitetin dhe vazhdimësinë e klubit. Kryebashkiakja Eriselda Sefa konfirmoi se ky është një hap i menduar për të ndryshuar rrënjësisht situatën aktuale të ekipit. Vendimi u miratua unanimisht nga të gjithë këshilltarët bashkiakë, duke reflektuar një konsensus të plotë për këtë lëvizje strategjike. Menjëherë pas këtij lajmi, në qytetin e Lushnjës ka shpërthyer entuziazmi, por edhe spekulimet. Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë emra të ndryshëm investitorësh të mundshëm, ndërsa tifozët ëndërrojnë për një epokë të re. Për momentin, gjithçka mbetet në kuadrin e aludimeve, me burime jozyrtare, ndërmjetësime dhe dëshira të hapura të sportdashësve.

Megjithatë, ndryshe nga përpjekjet e mëparshme, këtë herë duket se interesi për blerjen e 70% të aksioneve ka baza më konkrete. Pikërisht për këtë arsye, bashkia ka vendosur të ndërmarrë këtë iniciativë, ndërsa është urdhëruar menjëherë ngritja e një grupi pune për të ndjekur procedurat dhe për të hapur zyrtarisht ankandin. Pavarësisht entuziazmit, realiteti sportiv mbetet i ashpër. Lushnja ndodhet aktualisht në një situatë kritike, me rrezikun real të rënies nga kategoria. Ekipi ka nevojë urgjente për qetësi, bashkim dhe fokus maksimal në pesë javët e mbetura, ku do të vendoset gjithçka për mbijetesën në Kategorinë e Parë.

Në këtë kontekst, zhurma rreth privatizimit mund të ketë edhe një efekt të dyfishtë. Nga njëra anë sjell shpresë për të ardhmen, por nga ana tjetër mund të shpërqendrojë ekipin në një moment vendimtar. Madje, nuk përjashtohet që kjo lëvizje të shërbejë edhe si një “amortizator” për të zbutur pasojat e mundshme të një rënieje. Gjithsesi, edhe në rastin më të keq, historia ka treguar se rënia nuk është fundi. Klube të mëdha në Shqipëri kanë kaluar nëpër këtë fazë dhe janë rikthyer më të forta. Por për Lushnjën, momenti është tani. Mes një të ardhmeje të re me investitorë dhe një beteje të ashpër për të mos rënë nga kategoria.

PANORAMAPSORT.AL