Kampionati Europian i Moshave në Peshëngritje, Shqipëria me 3 talente drejt Madridit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2025 | 18:34

Kampionati Europian i Moshave në Peshëngritje, Shqipëria me 3 talente drejt Madridit

Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka zyrtarizuar ekipin kombëtar, me të cilin do të përfaqësohet në Kampionatin Europian U-17, eveniment që do të zhvillohet në Madrid nga data 23 deri më 30 korrik. Gjithçka ka ardhur pas kampionati kombëtar U-15 dhe U-17, që u mbajt të premten në Tiranë, aktivitet nga i cili u përzgjodhën edhe më të mirët që do të garojnë për Kombëtaren.

Peshengritje

Nga ky aktivitet dolën në pah disa prej talenteve më premtues të peshëngritjes shqiptare, të cilët, falë rezultateve të shkëlqyera, do të kenë nderin dhe përgjegjësinë të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që do të mbahet në Madrid.

Kështu, FSHP ka bërë të ditur se Shqipëria do udhëtojë drejt kryeqytetit spanjoll me Enkileda Carjen, Maida Lozin dhe Antonino Mullisin.

“Këta sportistë pritet të jenë ambasadorë të denjë të vendit tonë, duke përfaqësuar me krenari ngjyrat kuqezi dhe duke dëshmuar jo vetëm përgatitjen e tyre teknike, por edhe vlerat e sportit shqiptar: disiplinën, karakterin dhe shpirtin garues”, shprehet FSHP për talentet që do të mbrojnë ngjyrat kuqezi Europianin e moshave në Madrid. Carja, Lozi dhe Mullisi do të shkojnë në këtë kompeticion ndërkombëtar si pretendentë të padiskutueshëm për të qenë pjesë e zonës së medaljeve.

PANORAMASPORT.AL