“Jemi në rrugën e duhur, ja kush po merret me merkaton”. Ferko: Flamurtari i ri, si e kërkon Vlora dhe tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2025 | 11:48

“Jemi në rrugën e duhur, ja kush po merret me merkaton”. Ferko: Flamurtari i ri, si e kërkon Vlora dhe tifozët

Alfred Ferko paralajmëron një Flamurtar të fortë dhe dinjitoz për Superioren. Drejtori i klubit është i kënaqur nga blerjet e para të merkatos. Për “Panorama Sport”, Ferko zbulon se për ndërtimin e Flamurtarit të ri po punon drejtori sportiv, Artim Pollozhani, dhe trajneri Karlos Garsia. Kreu i klubit premton skuadrën që do Vlora dhe tifozët.

ALFRED FERKO

Ferko thekson se do të ketë shumë afrime. “Po punojmë për ndërtimin e skuadrës së re. Natyrisht që ka rinovime, siç i dini, Lorenc Trashi dhe Ariol Kaloshi. Kemi nënshkruar edhe me dy lojtarë të rinj, me mbrojtësin e djathtë Todor Teodoroski, si dhe portierin Igor Aleksovski. Të dy këta futbollistë vijnë nga kampionati maqedonas dhe ne shpresojmë se do të japin maksimumin, si dhe do të bëjnë mjaft mirë edhe këtu në Vlorë te Flamurtari. Ata janë lojtarë të Kombëtares së Maqedonisë. Këto ishin përforcimet e para. Në vijim do ta vazhdojmë me shumë prurje të tjera. Është duke u diskutuar për afrimet dhe për rinovimet e tjera hap pas hapi nga drejtori teknik, Artim Pollozhani dhe trajneri i ri, Karlos Garsia. Jemi në rrugën e duhur dhe në kohët e duhura për të marrë vendime të rëndësishme për Flamurtarin. Do të bëjmë çfarë është e mundur, që t’i japim Flamurtarit, qytetit dhe tifozëve, një ekip që e meriton ta ketë Vlora”, shprehet Ferko.

RINOVIMI I KONTRATËS – Drejtori i klubit, Alfred Ferko, komenton edhe shtyrjen pa afat të administrimit të Flamurtarit nga kompanitë turke, deri në privatizim. Ai e shikon të drejtë vendimin e Këshillit Bashkiak. “Ishte një vendim pozitiv i ndërmarrë nga Këshilli Bashkiak i Vlorës për shtyrjen pa afat të kontratës. Ishte ajo që prisnim dhe që kërkonim, ajo që ishte e drejtë. Idrizi ka vite që investon te Flamurtari dhe është e drejta e tij legjitime që të vazhdojë në këtë projekt madhështor që ka për skuadrën dhe klubin. Besoj se ishte një vendim i drejtë nga ana e Këshillit Bashkiak. Natyrisht, ishte një veprim logjik dhe besoj se morën vendimi i duhur, për mendimin tim, me atë shtyrje që i bënë pa afat deri në privatizim”, thotë Ferko.

INVESTIMET – Alfred Ferko flet edhe për investimet që po realizohen në stadiumin e qytetit të Vlorës, nga tapeti e deri te tribunat. “Duke ardhur, gjërat do të përmirësohen dhe do të shkojnë në drejtimin e duhur. Siç e dini, fushën e filluam para një muaji dhe tani po mbaron. Vazhdon me projektin e saj edhe tribuna qendrore për t’u bërë krejtësisht e re bashkë edhe me stadiumin në tërësi”, përfundoi Ferko.

 

2 afrime ka kryer deri më tani Flamurtari në merkaton e verës, të cilat janë: portieri Igor Aleksovski dhe mbrojtësi Todor Teodoroski.

 

5 milionë

euro parashikohet të jetë buxheti i Flamurtarit të Superiores për sezonin 2025-2026. Vlonjatët do të kenë një ekip “big” dhe për këtë arsye Idrizi solli një trajner, i cili pranoi kushtin për të luftuar për 2 trofetë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL