Java e 28 në Kategoria e Parë “flakë”, transferta që vendosin titullin dhe… mbijetesën. Fundi nis me derbin e qëndrimit
Pas një jave të ngjeshur dhe plot surpriza, Kategoria e Parë rikthehet menjëherë në skenë me javën e 28-të, një tjetër kapitull që premton emocione të forta në të gjitha frontet.
Renditja mbetet plotësisht e hapur, si për ngjitjen ashtu edhe për mbijetesën, ndërsa gabimi i fundit i Skënderbeut, barazimi në shtëpi ndaj Korabit, ka rihapur garën në krye. Tre kryesueset, Skënderbeu me 64 pikë, Laçi 63 pikë dhe Pogradeci me 58 pikë, këtë javë zbresin në transfertë, një faktor që mund të prodhojë sërish “shkarje këmbësh” si fundjavën e kaluar.
Nga ana tjetër, në fundin e tabelës çdo pikë vlen “jetë a vdekje”. Java hapet me një duel direkt për mbijetesë në Myzeqe, Apolonia-Lushnja, ndërsa të dielën pritet një “stuhi” ndeshjesh me peshë të madhe për fatet e sezonit. Java e 28-të mund të jetë një nga më vendimtaret e sezonit.
Me tre kryesueset në transfertë dhe me përballje direkte në fundin e tabelës, pritet një tjetër fundjavë plot tension dhe surpriza. A do të kemi sinkronizim të rezultateve në krye, apo një tjetër revolucion në renditje? Përgjigjet do të vijnë në fushë.
Sot, ora 15:00
Apolonia – Lushnja Finale mbijetese në Myzeqe. Sfida hapëse është një përballje direkte mes dy skuadrave që luftojnë për të mos rënë nga kategoria. Apolonia me 25 pikë në vend të nëntë dhe Lushnja me 21 pikë e fundit ndahen nga vetëm katër pikë, çka e bën këtë takim një finale të mirëfilltë. Fierakët kanë avantazhin e fushës, por presioni është i jashtëzakonshëm. Një fitore do t’i jepte frymëmarrje, ndërsa çdo rezultat tjetër mund ta komplikojë seriozisht situatën. Për Lushnjën, kjo është ndoshta një nga shanset e fundit për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës, qoftë edhe me ndeshje shtesë.
Të dielën, ora 15:00
Kastrioti – Kukësi Kastrioti, me 36 pikë dhe në vend të pestë, kërkon të konsolidojë mesin e tabelës dhe të afrohet me zonën e sipërme, ndërsa Kukësi (21) është në krizë të thellë dhe në rrezik serioz rënieje. Për kuksianët çdo ndeshje është finale. Problemi mbetet mungesa e vazhdimësisë, ndërsa Kastrioti në shtëpi di të jetë shumë i rrezikshëm, siç ndodhi edhe në mesjavë me Besën. Një tjetër hap fals mund të jetë fatal për verilindorët.
Burreli – Pogradeci Pogradeci, me 58 pikë dhe në vend të tretë, vjen me moral të lartë pas fitores ndaj Ilirisë, e gjashta radhazi. Por transfertat si ajo e Burrelit janë gjithmonë të vështira. Vendasit kanë treguar se dinë të ndalin ekipet e forta, mes tyre edhe Pogradecin në fazën e parë. Ndërkohë, liqenorët nuk kanë më luksin të gabojnë nëse duan të qëndrojnë në garën për vendet e para. Kjo është një ndeshje që mat ambiciet reale të Pogradecit.
Iliria – Laçi Laçi për të marrë kreun, Iliria për surprizën në shtëpi. Laçi, me 63 pikë, është vetëm një hap larg vendit të parë dhe çdo pikë ka peshë ari. Por përballë është Iliria me 37 pikë, një skuadër e paparashikueshme që lufton për të hyrë në zonën më të sigurt të tabelës. Kurbinasit janë favoritë në letër, por presioni është i madh dhe çdo nënvlerësim mund të kushtojë shumë në këtë fazë të sezonit.
Besa – Skënderbeu Reagimi i kryesuesve në provë. Skënderbeu kryesues, me 64 pikë, vjen pas një ndalese të papritur ndaj Korabit dhe tani kërkohet reagim i menjëhershëm. Përballë është Besa që luan në shtëpi dhe që lufton për një vend në “play off” dhe nuk ka asgjë për të humbur. Kavajasit janë të rrezikshëm në shtëpi dhe mund të hapin probleme serioze. Nëse Skënderbeu gabon sërish, mund të humbasë kreun.
Korabi – Luftëtari Dibranët për vazhdimësi, gjirokastritët për mbijetesë. Korabi mori një rezultat të madh ndaj Skënderbeut dhe kërkon të ndërtojë mbi atë paraqitje. Në anën tjetër, Luftëtari, me 22 pikë dhe në vend të 10-të, është në një situatë të vështirë dhe ka nevojë urgjente për pikë. Një duel nervash, ku çdo gabim mund të jetë vendimtar për fatin e sezonit.
PANORAMASPORT.AL













