Java e 26-të e Superiores/ Notat e skuadrave, shikoni formacionin më të mirë dhe më të dobët
Notat e skuadrave si dhe formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së 26-të të Kategorisë Superiore sipas “Panorama Sport”:
NOTAT E SKUADRAVE
BYLISI 9 – Të përmbysësh rezultatin në shtëpinë e Partizanit dhe aq më shumë në disavantazh të dyfishtë, ndodh shumë rrallë për një ekip mbijetese. Bylisi e bërë këtë gjë, duke treguar kurajë në fushë, cilësi dhe personalitet për të dalë me 3 pikë nga kjo sfidë.
TEUTA 8.5 – Tjetër përmbysje, por këtë radhë nga 0-1 në 2-1. Teuta u gjend sërish në vështirësi dhe u duk se do ta pësonte edhe nga Tirana, megjithatë reagoi mirë. Durrsakët barazuan shpejt, këmbëngulën deri në fund dhe rigjetën fitoren e munguar, jetike për mbijetesën.
DINAMO 8 – Nuk mund të gabonte pas 4 barazimeve radhazi Dinamo. Blutë arritën të mposhtnin 2-0 Laçin, një nga skuadrat më në formë të momentit, duke dhënë sinjalin e rikthimit në nivelin e mëparshëm. Ndeshje e administruar mirë nga kryeqytetasit.
SKËNDERBEU 7.5 – Dikush para ndeshjes nuk i jepte shanse për pikë Skënderbeut ndaj Egnatias, por ja që korçarët i mundën kampionët. Edhe pse humbën një penallti me Bismark, ata nuk u dekurajuan por e gjetën golin e fitores, duke dominuar madje ndaj ekipit kryesues.
ELBASANI 6 – Në një ndeshje të hapur në pjesën më të madhe të saj, Elbasani kishte shanset e veta, që nuk diti të shfrytëzonte. Pozitiv është reagimi pas golit të pësuar shumë shpejt, ndërsa barazimi në Shkodër është një rezultat i pranueshëm.
VLLAZNIA 6 – Një penallti e shpërdoruar dhe një lojë fragmentare nga ana e Vllaznisë, që nuk bëri aq sa duhej për të fituar në fushën e saj. Sidomos në pjesën e dytë skuadra shkodrane rrezikoi shumë për të pësuar një tjetër gol.
EGNATIA 5.5 – Skuadra kampione në fuqi u duk “e vogël” në Korçë, duke mos treguar thuajse asgjë nga potenciali i saj. Shumë gabime në lojë, sidomos në mbrojtje, me ato dy penallti të shkaktuara. Po ashtu, edhe sulmi i rrogozhinasve shumë pak bëri në këtë ndeshje.
LAÇI 5 – Ajo goditje e marrë që në fillim me golin e Bregut sigurisht që kushtëzoi ndeshjen e Laçit. Në momente të caktuara skuadra kurbinasve e rriti lojën e saj, por pa pasur forcën për të shkuar te goli. Goli i dytë pastaj preu shpresat për pikë.
TIRANA 5 – Një mundësi e shpërdoruar nga Tirana, që e nisi ndeshjen në avantazh dhe mund ta menaxhonte shumë më mirë për të dalë të paktën me një pikë nga Durrësi. Bën gabime lehtësisht të evitueshme dhe në fund e paguan me një humbje që kompromenton fort pozitat e saj.
PARTIZANI 4 – Çon dëm një fitore të sigurt Partizani, që nga 2-0 përmbyset në 2- 3 nga Bylisi. Nuk është rastësi kjo paraqitje e të kuqve, që i kishte dhënë shenjat e krizës prej javësh. Pak lojë dhe shumë probleme në lojën mbrojtëse.
PANORAMASPORT.AL













