Ish-trajneri Llazar Dushi lëshon alarmin: Lushnja ka humbur identitetin, duhet revolucion urgjent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2026 | 12:57

Ish-trajneri Llazar Dushi lëshon alarmin: Lushnja ka humbur identitetin, duhet revolucion urgjent

Futbolli lushnjar po kalon një nga momentet më të errëta të historisë së tij. Situata ka degraduar deri në atë pikë sa askush nuk do ta kishte imagjinuar që Lushnja, një emër me traditë në futbollin shqiptar, do të rrezikonte rënien në Kategorinë e Dytë. Kritikat dhe këshillat nga ish-futbollistë, ish-trajnerë dhe specialistë të futbollit lushnjar nuk kanë munguar gjatë gjithë sezonit, por asnjë prej tyre nuk është marrë në konsideratë. 

LLAZAR DUSHI

Sot, pasojat janë të dukshme dhe verdhejeshilët ndodhen buzë greminës. Një nga zërat më kritikë dhe më të sinqertë ka qenë ish-trajneri dhe ish-drejtuesi i Lushnjës, Llazar Dushi, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” analizon shkaqet e kësaj rënieje dramatike dhe jep alarmin për nevojën e një revolucioni të thellë në klub. Sipas tij, mbijetesa tashmë është pothuajse jashtë kontrollit të Lushnjës, ndërsa e vetmja zgjidhje për të ardhmen është një reformim rrënjësor në çdo hallkë të klubit. Me situatën aktuale, Lushnja gjendet në udhëkryq, ose do të nisë një reformim të thellë për t’u ringritur, ose rënia mund të jetë vetëm fillimi i një krize edhe më të madhe. Alarmet janë dhënë prej kohësh, por tani është momenti që dikush të reagojë, përpara se një histori e madhe e futbollit shqiptar të zhytet edhe më thellë në errësirë.

Pas tetë sezonesh në Kategorinë e Parë, Lushnja duket se po merr rrugën për në të Dytën. Çfarë po ndodh me Lushnjën si ekip dhe me futbollin lushnjar në përgjithësi?

Nuk është hera e parë që e them këtë gjë për sezonin aktual. Ekipi i Lushnjës ka humbur identitetin e tij, një identitet që është ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë ndër vite. Lojtarët kanë paraqitur performanca të dobëta gjatë gjithë kampionatit, ndërsa përforcimet e bëra në merkato nuk kanë qenë në nivelin e duhur dhe nuk i kanë dhënë ekipit atë që pritej.

Si ish-lojtar, trajner dhe drejtues i klubit, sa ju dhemb kjo situatë?

Si çdo specialist që ka dhënë kontribut për këtë klub ndër vite, kjo situatë më dhemb shumë. Të jem i sinqertë, askush nuk e kishte menduar që Lushnja do të arrinte në këtë pikë. Është e dhimbshme të shohësh një klub me kaq histori në këtë gjendje.

Si shpjegohet që një klub me një buxhet të konsiderueshëm po shkon drejt rënies dhe kush mban përgjegjësi?

Buxheti mund të ketë qenë i konsiderueshëm, por përzgjedhja e lojtarëve ka qenë e gabuar. Janë afruar futbollistë që nuk kanë pasur nivelin e duhur për objektivat e klubit. Për këtë arsye, përgjegjësia bie mbi drejtuesit, të cilët nuk e kanë menaxhuar si duhet buxhetin dhe ndërtimin e skuadrës.

Në aspektin sportiv, çfarë shkoi gabim me ekipin, që u drejtua nga tre trajnerë gjatë sezonit?

Ndryshimi i shpeshtë i trajnerëve nuk sjell stabilitet. Çdo trajner ka filozofinë dhe idetë e veta, ndërsa lojtarëve u duhet kohë për t’u përshtatur. Kur ndryshimet bëhen të shpeshta, skuadra humbet ekuilibrin dhe rezultatet mungojnë.

Kur erdhi trajneri Bano në janar, u mendua se situata do të ndryshonte, por ndodhi e kundërta. Pse?

Trajneri Bano ishte një zgjedhje që u mbështet nga tifozëria lushnjare dhe pati kohën e nevojshme për të bërë ndryshimin. Por, siç po shihet, situata nuk u përmirësua.

Matematikisht ekziston ende mundësia e mbijetesës. A ka shpresë Lushnja?

Matematikisht po, por praktikisht mbijetesa nuk është më në dorën e Lushnjës. Skuadra duhet të fitojë dy ndeshjet e mbetura dhe njëkohësisht të shpresojë që rivalët të gabojnë. Kjo e bën situatën shumë të vështirë dhe tregon qartë se fati i skuadrës nuk varet më vetëm nga ajo vetë.

Si mund të zgjidhet ngërçi dhe si mund të rikthehet Lushnja në Superiore?

Klubi ka nevojë për ndryshime rrënjësore, duke filluar nga drejtimi administrativ. Buxheti duhet menaxhuar me shumë zgjuarsi dhe duhet ndërtuar një strategji afatgjatë. Akademia duhet të funksionojë seriozisht dhe të bëhet baza e furnizimit për ekipin e parë. Gjithashtu, duhen shfrytëzuar të gjitha terrenet sportive ekzistuese për të krijuar kushte më të mira pune. Privatizimi i klubit do të ishte pozitiv, sepse një investitor privat do të sillte më shumë përgjegjësi dhe kujdes në menaxhim. E thënë shkurt, futbolli lushnjar ka nevojë urgjente për një revolucion të vërtetë dhe ky ndryshim nuk duhet të shtyhet më.

 8 sezone

ka Lushnja larg elitës së futbollit shqiptar, ku për herë të fundit ka milituar në Superiore në edicionin 2017-2018. Në vitet e fundit Lushnja më shumë ka luftuar për mbijetesën në të Parën, ku aktualisht po e humbasin.

 

3 trajnerë

e kanë drejtuar Lushnjën në këtë sezon, që nisi nën drejtimin e Erion Xhafës. Më pas frenat e skuadrës i mori lezhjani Ditmar Bicaj, i cili në fillim të këtij viti ia dorëzoi stafetën teknikut aktual, Artan Bano.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL