Ikona e shtangës akuzon rëndë: Qerimaj: Juria e anuloi! Drejtuesit e federatës ishin aty dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2026 | 9:32

Ikona e shtangës akuzon rëndë: Qerimaj: Juria e anuloi! Drejtuesit e federatës ishin aty dhe…

Ikona e shtangës shqiptare, Erkand Qerimaj, ka akuzuar rëndë pasi përfundoi dje garën në Europian. Qerimaj e ndjen veten të vjedhur, ndërsa akuzon për mungesë reagimi nga drejtuesit e federatës. Qerimaj garoi në kategorinë 79 kilogramë, ndërsa në shkëputje mori vendin e tetë me 152 kg. Duke qenë se nuk kaloi asnjë nga provat e shtytjes, nuk u klasifikua në dygarësh.

Screenshot 2026-04-23 092758

DEKLARATA E ERKAND QERIMAJT

“Sapo përfundova garën në Kampionatin Europian dhe këtë herë ama do flas pa filtra!
Në shkëputje realizova 152 kg dhe tentova rekordin e Europës me 157 kg. Isha shumë pranë. Në shtytje realizova 184 kg – provë e pastër, e dhënë me 3 të bardha nga gjyqtarët. Më pas, juria vendos ta anulojë për një lëkundje minimale. Ky nuk është thjesht një vendim – është një padrejtësi e pastër dhe e turpshme që i bëhet një sportisti në mes të Europës.
Por edhe më e rëndë se kjo është heshtja. Drejtuesit e federatës ishin aty, me lekët e taksapaguesve, dhe nuk patën as guximin minimal për të mbrojtur sportistin e tyre. Asnjë reagim. Asnjë protestë. Asnjë qëndrim. Kjo nuk është papërgjegjshmëri por kjo është dështim.

Kur marrim medalje, jeni të parët për foto dhe deklarata. Kur ndodh padrejtësia, zhdukeni. Kjo është hipokrizi e pastër.

Jemi i vetmi ekip në Europe që dalim pa uniforma dinjitoze. Pa fizioterapist. Pa mjek. Pa asnjë standard bazë që çdo shtet serioz e konsideron minimum. Dhe pastaj flasim për “rrugën drejt Europës”? Kjo është skandaloze.

Fondet? Vijnë çdo vit. Askush nuk jep llogari. Askush nuk tregon ku shkojnë. Kam kërkuar auditim, zero përgjigje. Kjo federatë sillet si pronë private, jo si institucion që duhet t’i shërbejë sportistëve dhe trajnerëve.

STOP me heshtje. BOLL më me abuzim. Sportistët nuk janë dekor për foto dhe propagandë, janë ata që mbajnë peshën reale të përfaqësimit Sportiv mbi supe.

Dhe kjo që po ndodh nuk është thjesht problem, është turp”.

Screenshot 2026-04-23 092649

PANORAMASPORT.AL