I grumbulluar me Kombëtaren U21, ka oferta për lojtarin që spikati te klubi i Superiores
Ballshiotët tashmë krenohen me tre kuqezinjtë, sepse pas Aurel Markut dhe Fabjan Përndrecës që janë grumbulluar me Shpresat U-21, Arli Përgjoni, u grumbullua nga Kombëtarja e madhe.

Ndonëse vetëm për pak ditë, si i përzgjedhur i Silvinjos dhe stafit të tij nga Superiorja, duket se kjo është një arritje për lojtarin 23-vjeçar, që sezonin e shkuar ishte nga mesfushorët më të spikatur të elitës. Madje, në vijim ai mund të jetë një nga lojtarët që mund të grumbullohet dhe të shihet më imtësisht, madje te Bylisi gjatë verës mund të ketë edhe oferta konkrete për lezhjanin shtatlartë, që spikati edhe me gola vjet në elitë. Kishte një periudhë të gjatë që nga Bylisi nuk grumbulloheshin lojtarë në Kombëtaren “A”, ndërsa duket se këtë verë do të ketë surpriza të këndshme në aspektin e merkatos më dalje. Ka interes për shumë emra titullarësh në Ballsh, por do të vendosë Besnik Kapllanj në bazë të ofertave që do të ketë në aspektin financiar.
Në Ballsh janë duke menduar edhe për afrimet, teksa janë vëzhguar disa lojtarë, nga tregu vendas dhe ai i huaj. Me shumë mundësi skuadra do të konsolidohet në çdo repart gjatë tregut. Nuk do të hiqet dorë edhe nga tregu afrikan, për afrimin e disa elementëve cilësorë, që do të vlejnë për skuadrën e parë, por edhe moshat. Ballshiotët kanë shumë të huaj në gjirin e tyre, natyrisht që në sezonin e ardhshëm do të favorizohen edhe nga rregullorja e re për lojtarët që vijnë nga jashtë.
Sigurisht që në ditët në vijim do të ketë edhe ndonjë largim, por kjo varet edhe nga merkato në hyrje. Pritet që brenda pak ditëve të mblidhet bordi i Bylisit dhe të vendosë piketat e sezonit të ri. Janë disa vendime të rëndësishme që do të merren, duke nisur që nga stafi i ri. Për të vijuar edhe me merkaton apo fazën përgatitore, por jo vetëm pasi do të ketë një riorganizim dhe hapa konkretë edhe për akademinë “Bylis”.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













