Humbja ndaj Egnatias, Bordini “trondit” Tiranën! Dembele mbetet në dyshim për Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2025 | 22:18

Humbja ndaj Egnatias, Bordini “trondit” Tiranën! Dembele mbetet në dyshim për Dinamon

Tirana ka nisur për gatitjet për sfidën e radhës në kampionat, ndërkohë që trajneri Roberto Bordini ka bërë një analizë të thelluar mbi paraqitjet e fundit të skuadrës.dembeleTekniku italian ka folur hapur për mangësitë që janë shfaqur dhe nuk ka kursyer asnjë lojtar, duke kritikuar të gjithë për performancën e dobët. Sipas tij, problemi nuk është vetëm te individët, por në gjithë mekanizmin e lojës, që duhet rregulluar me urgjencë.

DEMBELE NË DYSHIM Një nga çështjet kryesore mbetet situata e Dembele-s. Mbrojtësi francez u zëvendësua në sfidën ndaj Egnatias dhe konsiderohet fajtor në golin e parë, pasi nuk ndoqi siç duhet Buriçin. Forma e tij po diskutohet gjerësisht brenda skuadrës, ndërkohë që vetë Bordini ka lënë të kuptohet se mbrojtësi duhet të tregojë shumë më tepër në javët e ardhshme për të ruajtur vendin në formacion.

KRAHU I DJATHTË “PLAGA E HAPUR” Një tjetër pikë e nxehtë është krahu i djathtë i mbrojtjes. Për dy ndeshje rresht Tirana ka pësuar gola nga ajo anë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e repartit defensiv. Trajneri kërkon më shumë përqendrim dhe mbulim të hapësirave, duke paralajmëruar ndryshime të mundshme në atë zonë të fushës.

KARTONI I KUQ Situata është komplikuar edhe më shumë nga kartoni i kuq i Henry Markut, i cili i ka kufizuar alternativat në prapavijë. Kjo mungesë e detyron Bordinin të improvizojë, duke projektuar një dyshe qendrore të përbërë nga Lleshi dhe Dembele, edhe pse mbi këtë të fundit ka ende dyshime. Në kushte normale, tekniku italian do të kishte më shumë hapësira për zgjedhje, por tashmë do t’i duhet të rrezikojë.

RAFAEL Një lajm pozitiv është rikthimi i Rafaelit në mesfushë. Ai shihet si pika më e fortë e Tiranës për të vendosur ekuilibër në lojë dhe për të dhënë stabilitet në qendër të fushës. Rikthimi i tij pritet të jetë vendimtar, pasi skuadra ka pasur mungesë lidershipi dhe qartësie në organizim.

MENSAH RREZIKON STOLIN Edhe sulmi ka hyrë në analizën e Bordinit. Mensah nuk ka bindur me paraqitjet e fundit dhe rrezikon seriozisht të humbasë vendin e titullarit. Në vend të tij, shanset i rriten për Patstasia, një lojtar që ka treguar më shumë lëvizshmëri dhe dëshirë për të ndryshuar ritmin e sulmit. Bordini synon të sjellë freski në fazën ofensive, duke rritur agresivitetin dhe konkretësinë përpara portës.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL